Foto:VCG

Foto:VCG

Ekonomia e Kinës është futur në fazën e zhvillimit me cilësi të lartë. Në këtë fazë, hapja është bërë gjithnjë e më e rëndësishme dhe ky është një mision që po nxitet nga vendimmarrësit në ekonominë e 2-të të botës.

Në fund të dhjetorit 2021, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës dhe Ministria e Tregtisë e Kinës publikuan listën negative për investimet e huaja 2021 dhe listën negative për investimet e huaja në zonat e tregtisë së lirë 2021, të cilat në krahasim me vitin 2020, janë shkurtuar më tej dhe janë saktësuar më shumë.

Listat negative për tërë vendin dhe për zonat e tregtisë së lirë janë shkurtuar përkatësisht në 31 dhe 27 pika, 6.1 % e 10 % më pak se ato të vitit 2020.

Një nga arsyet që Kina i kushton kaq shumë rëndësi zgjerimit të hapjes është që tregtia e jashtme ka rëndësi të madhe për ekonominë kineze. Veçanërisht pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, tregtia e jashtme është bërë mbështetja kryesore për rritjen ekonomike të vendit, duke kompensuar në njëfarë mënyre ngadalësimin e investimeve dhe mëkëmbjen e pamjaftueshme të konsumit.

Të dhënat tregojnë që në 11 muajt e parë të vitit 2021, import-eksporti i Kinës shënoi rritje 22% në krahasim me 2019-in. Para shpërthimit të epidemisë, rritja vjetore e import-eksportit ishte vetëm 3.4 %.

Por kjo rritje e madhe tregtare nuk mund të vazhdojë gjithmonë dhe duhet të merren masa për të stabilizuar tregtinë e jashtme, që do të mbështetë rritjen ekonomike. Një nga masat e duhura është zgjerimi i hapjes, çka mund të integrojë më tej ekonominë kineze në ekonominë globale dhe të shtojë më shumë rastet për tregti të barabartë me përfitime të ndërsjella.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në fakt, zgjerimi i hapjes ka qenë një politikë e vazhdueshme në vitet e fundit. Vendimmarrësit kinezë kanë shpallur vendosmërinë e Kinës për zgjerimin e hapjes në shumë veprimtari ndërkombëtare. Nga masat për uljen e taksave doganore, lehtësimin e hyrjes së investimeve të huaja dhe pakësimin e kufizimeve ndaj investimeve të huaja, deri në publikimin e listave negative, krijimin e gjykatës së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe miratimin e ligjit për investimet e huaja, mund të shohim që Kina po zgjeron hapjen e saj në nivel politikash dhe institucional.

Ky raund i ri hapjeje ka lidhje me fazën e zhvillimit ekonomik të Kinës. Në të kaluarën, kur flitej për hapje, përmendej shpesh shtimi i eksportit dhe tërheqja e investimeve të huaja. Kur të formohet një treg gjigant dhe zinxhiri i plotë industrial, posaçërisht pas procesit të globalizimit, hapja e Kinës duhet të futet në një nivel të ri dhe të integrohet me tregun ndërkombëtar, duke nxitur ndryshimin e modelit të sektorit industrial vendas.

Në të ardhmen, hapja do të bëhet në rang institucional, rregulloret vendase do të bashkërendohen me standardet e përparuara ndërkombëtare dhe do të shtohen reformat në dhënien e licencave, politikat e konkurrencës, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit. Krahas këtyre, Kina do të marrë pjesë aktivisht në hartimin e rregullave tregtare globale dhe në ndërtimin e sistemit administrativ global.

Zgjerimi i hapjes do të thotë hyrje e konkurrentëve ndërkombëtarë. Kjo do t’i shtyjë ndërmarrjet vendase të përmirësojnë modelin e prodhimit dhe nivelin teknologjik, për të shtuar aftësinë e tyre konkurruese. Zgjerimi i hapjes është në të mirë të “importimit” të rregullave ndërkombëtare, çka mund të nxitë procesin e menaxhimit ligjor të ekonomisë së tregut dhe të formimit të një tregu me konkurrencë të barabartë e të lirë të bazuar në rregulla.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zhvillimi me cilësi të lartë nuk mund të ndahet nga tregu global dhe zhvillimi i Kinës nuk mund të kthehet në rrugën e vjetër. Në të ardhmen, rruga e zhvillimit të shpejtë e cilësor do të bazohet te zgjerimi i hapjes dhe integrimi në sistemin global për hartimin e rregullave dhe ndërtimin e sistemit të administrimit. Publikimi i dy listave për vitin 2021 ka treguar vendosmërinë e Kinës për zgjerimin e hapjes dhe që, në të ardhmen, Kina do të hapet më tej. (Jiang Lei)