Në vitin 1951, Xizang-u u çlirua në mënyrë paqësore, çka është një ngjarje e madhe historike në historinë kineze dhe një pikë e re kthese për Xizang-un.

Qysh nga ai vit, banorët e pakicave kombëtare në Xizang u çliruan nga agresionet imperialiste dhe u rikthyen në familjen e ngrohtë të kombit kinez. Qysh nga ajo kohë, historia e Xizang-ut është futur në një epokë të re.

Gjatë këtyre vjetëve, posaçërisht gjatë planit të 13-të 5-vjeçar, Xizang-u ka pasur ndryshime të mëdha në zhvillimin ekonomik e shoqëror. Për sa i përket rrjetit të transportit, janë ndërtuar rrugë të reja dhe janë vënë në përdorim linjat hekurudhore me lartësi më të madhe të botës. Qytetet kryesore janë lidhur me autostrada dhe shërbimi i autobusëve ka mbuluar të gjitha qytezat kryesore dhe fshatrat administrative. Krahas tyre, edhe linjat ajrore janë shtuar në 109, duke e lidhur rajonin e Xizang-ut me 62 qytete brenda e jashtë vendit.

Me një fjalë, Xizang-u është futur tani në rrjetin modern të transportit nga transporti i vjetër me fuqi njerëzore dhe kuaj.

Qyteti Lhasë ngul këmbë që çdo vit të përdorë mbi 80 % të të ardhurave fiskale për përmirësimin e jetesës së banorëve. Posaçërisht pas kongresit të 18-të të PKK-së, në Lhasë janë zhvendosur mbi 22 mijë veta nga zonat e varfra dhe janë investuar mbi 3 miliardë juanë në projektet e strehimit të qëndrueshëm dhe rregullimin e lagjeve të vjetra. Kështu, njerëzit mund të jetojnë në banesa të reja dhe mjedisi i jetesës së banorëve është përmirësuar në mënyrë jashtëzakonisht të dukshme.

Gjatë zbatimit të programit kombëtar për zhdukjen e varfërisë, 44 162 veta janë larguar nga skamja dhe numri i të varfërve të regjistruar është zero, duke eliminuar historikisht varfërinë absolute në Lhasë. Deri në vitin 2020, në Lhasë të ardhurat mesatare të banorëve në vështirësi ekonomike të regjistruar arritën në 13741 juanë, 15.07 % më shumë se një vit më parë.

Për jetesën e qytetarëve, në Lhasë janë zgjidhur problemet, si furnizimi i ujit të pijshëm, arsimimi i fëmijëve të familjeve të varfra dhe sigurimi mjekësor i të varfërve.

Arsimi është përparësia e punëve të Lhasës, e cila ka zbatuar politikën e 15 vjetëve arsim falas dhe politikën e “3 garancive” për fëmijët e familjeve të blegtorëve dhe familjeve të varfra. Tani në mbarë qytetin ka 373 shkolla dhe niveli i arsimit fillor e të mesëm dhe i arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike e ka kaluar nivelin mesatar kombëtar. Arsimi i detyrueshëm në rang qytezash ka realizuar zhvillimin e balancuar dhe niveli i konsolidimit të arsimit të detyrueshëm ka arritur në 99.03%. Kështu, në Lhasë, është formuar sistemi i plotë dhe i veçantë i arsimit modern, duke përfshirë arsimin parashkollor, arsimin e detyrueshëm, arsimin e lartë, arsimin politeknik dhe arsimin për njerëzit me nevoja të veçanta.

Për mbështetjen për të varfrit, vjet janë planifikuar 82 projektet industriale, të cilat janë në procesin e zbatimit. 17 ndërmarrjet kryesore të Lhasës kanë marrë pjesë në përkrahjen për të varfrit, duke rritur të ardhurat e 3291 familjeve të varfra. Krahas kësaj, në mbarë qytetin janë ndërtuar 32 zona banimi, ku janë sistemuar 22 979 veta të zhvendosur jashtë zonave të varfra.

Niveli i sigurimit bazë është element i rëndësishëm për nivelin e jetesës. Në Lhasë, sigurimi bazë për jetesën minimale në zonat urbane është rritur në 974 juanë për frymë në muaj, nga 130 juanë që ishte në vitin 1997. Ndërsa në zonat rurale, niveli i sigurimeve bazë vjetore është rritur nga 800 juanë në 2007-n në 5060 juanë. Sigurimi bazë për të moshuarit në zonat urbane është rritur në 205 juanë në muaj, nga 120 juanë në vitin 2014, dhe sigurimet e pensionit për punonjësit e ndërmarrjeve janë rritur në 4355 juanë në muaj, nga 2016 juanë në vitin 2010.

Njësoj si në krahinat e tjera të vendit, përgatitja e talenteve është puna kyçe për zhvillimin rural edhe në Lhasë. Për një kohë të gjatë, për shkak të bazës së dobët, zhvillimit jo të mjaftueshëm të zonave blegtorale e mosbalancimit mes zonave urbane dhe rurale, përgatitja e talenteve është përballur me shumë vështirësi.

Vitet e fundit, Lhasa ka forcuar vazhdimisht përgatitjen e talenteve, duke tërhequr shumë talente në bujqësi e blegtori dhe duke inkurajuar aktivisht talentet e ndryshme të shkojnë në zonat blegtorale, ku ata kanë ofruar shumë përkrahje për bujqësinë, arsimin, mjekësinë dhe për zhdukjen e varfërisë. Krahas këtyre, në Lhasë janë organizuar 27 kurse profesionale, duke përgatitur 1098 persona me aftësi praktike. Janë bërë investime prej 3.06 milionë juanësh, duke dhënë certifikata për 1020 bujq dhe blegtorë me nivel të lartë profesional.

Xizang-u është i njohur për pamjet e bukura dhe burimet e pasura natyrore. Prandaj, mbrojtja e mjedisit është një punë kyçe gjatë procesit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Në qershor 2021, në një konferencë shtypi mbi arritjet e mbrojtjes mjedisore të Xizang-ut, drejtori i Drejtorisë së Mjedisit Ekologjik të Rajonit Autonom të Xizang-ut, Luo Jie, prezantoi që “gjatë 70 vjetëve, Rajoni Autonom i Xizang-ut ka investuar gjithsej 81.4 miliardë juanë në mjedis dhe ekologji, duke zbatuar një sërë projekte mbrojtëse”.

“Xizang-u gjithmonë e konsideron mbrojtjen e mjedisit si ‘linjën e kuqe’ për zhvillimin ekonomik e shoqëror. Gjatë përpjekjeve për zhvillim me cilësi të lartë, duhet të garantohet mbrojtja e mirë e mjedisit ekologjik dhe të formohet sistemi modern industrial me karakteristika të Xizang-ut,” tha Luo Jie. (Jiang Lei)