Pasi ekonomia kineze është futur në fazën e re të zhvillimit me cilësi të lartë, përmirësimi i sektorit të prodhimit është një punë kyçe për zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë kineze.

Ditët e fundit, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës ka publikuar raportin për zhvillimin ekonomik-shoqëror 2020 dhe për planin e zhvillimit ekonomik-shoqëror 2021. Në këtë raport, plani për zhvillimin e sektorit të prodhimit në 5 vitet e ardhshme ka zënë një pjesë kryesore, duke propozuar që të rritet konkurrueshmëria thelbësore e sektorit të prodhimit, të nxitet përmirësimi i sektorëve industrialë tradicionalë, të thellohet rregullimi i strukturës në sektorët e rëndësishëm dhe të shpejtohet zhvillimi i sektorit të shërbimeve. Synimi i Kinës është zhvillimi dhe lulëzimi i ekonomisë reale, duke realizuar zhvillimin me cilësi të lartë.

Për të ngritur nivelin e zhvillimit industrial, duhet të njihet qartë gjendja e sektorit industrial në Kinë. Gjatë "dy sesioneve" të këtij viti, zv.drejtori i komisionit të ekonomisë të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Miao Wei, vuri në dukje që në sektorin botëror të prodhimit ka katër kategori dhe Kina ende ndodhet në kategorinë e tretë.

Këto katër kategori që ka përmendur Miao Wei janë: qendra globale e inovacionit teknologjik me ShBA-në në krye; prodhimi me nivel të lartë, i përfaqësuar nga BE-ja e Japonia; ekonomitë e reja me prodhim të nivelit të mesëm e të ulët dhe vendet që eksportojnë burime natyrore.

Në fund të vitit 2020, Kina ka publikuar “Librin e gjelbër për inovacionin teknologjik në fushat kryesore të sektorit industrial — harta e rrugës në teknologji 2019”. Nga të dhënat e publikuara në këtë dokument, mund të shohim që Kina ende ka një distancë të madhe me vendet e zhvilluara të botës në katër sektorët industrialë, të cilët janë: qarqet e integruara e pajisjet përkatëse, sistemet e operimit dhe softuerët industrialë, motorët për avionë dhe makineritë bujqësore.

Para shumë vjetësh, produktet “Made in China” mbuluan tërë botën dhe tani, për 11 vjet radhazi, Kina është bërë vendi më i madh në prodhimin botëror. Por Kina po përballon një gjendje me prodhim të shumtë, por jo të fuqishëm; të gjithanshëm, por jo cilësor. Teknologjitë thelbësore janë në dorën e të tjerëve dhe vitet e fundit, po rriten shpejt rreziqet e kufizimit, posaçërisht në sektorin teknologjik.

Gjendja konkrete është që tani sektori industrial në Kinë ende ka aftësi të dobët në krijim të pavarur dhe niveli i kërkimit dhe dizejnimit për pajisjet industriale është i ulët. Ndërmarrjet ende po ndjekin të tjerët në inovimin teknologjik dhe nuk kanë bërë përparime në teknologjitë bazë. Në disa sektorë nuk ka standard të përsosur teknologjik dhe produktet përkatëse kanë vlerë të vogël praktike. Krahas këtyre, zhvillimi i markave është i prapambetur dhe në sektorin industrial botëror, 90 % e markave të njohura janë nga vendet e zhvilluara. Struktura industriale në Kinë ende nuk është e arsyeshme, produktiviteti me nivel të ulët është tepër i lartë, ndërsa produktiviteti me nivel të lartë nuk është i mjaftueshëm.

Me ndikimin nga COVID-19, investimet në sektorin industrial janë në gjendje të dobët. Të dhënat statistikore tregojnë që në 2 vitet e fundit, niveli i investimeve është ulur mesatarisht me 3.4%.

Duke marrë parasysh këto probleme konkrete, në këtë raport nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës janë paraqitur një sërë projektesh, të cilat janë më sistematike dhe më të gjithanshme se në programin e publikuar para tre vjetësh për forcimin e konkurrueshmërisë thelbësore.

Në këtë raport është theksuar që duhet të shpejtohet zhvillimi i pavarur teknologjik, të nxitet modernizimi i zinxhirit industrial e të forcohet fuqia strategjike teknologjike e vendit. Kjo ka si qëllim për të forcuar teknologjitë kyçe në fushat që po përballojnë kufizimet nga jashtë, si materialet e reja, makineritë industriale, pajisjet teknologjike, prodhimi inteligjent, pajisjet mjekësore me nivel të lartë dhe ilaçet e reja, makineritë bujqësore, softuerët industrialë etj.

Ndërkohë, janë prezantuar masat konkrete, si forcimi i kërkimeve bazë e kërkimeve të aplikuara dhe shndërrimi i arritjeve teknologjike në zhvillim ekonomik. Investimet e përgjithshme në kërkim dhe zhvillim do të rriten mbi 7 %.

Për ndërmarrjet industriale janë paraqitur politikat mbështetëse. Do të vazhdojë pakësimi shtesë i taksave për kërkim-zhvillimin e ndërmarrjeve. Niveli i pakësimit do të jetë 75 %, ndërsa për ndërmarrjet industriale do të arrijë në 100%.