Në dhjetor 2020 u zhvillua në Pekin mbledhja qendrore e punëve ekonomike, ku u vu në dukje se siguria dhe stabiliteti i zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit janë baza për formimin e modelit të ri të zhvillimit. Për të garantuar një zinxhir të sigurt dhe të qëndrueshëm, duhet të rregullohen pikat e dobëta dhe të përmirësohen më tej pikat e forta.

Për pjesën e dobët të zinxhirit industrial, duhet të zbatohen mirë projektet lidhur me teknologjitë kyçe, të zgjidhen një sërë problemesh që pengojnë zhvillimin e vendit dhe të bëhen më shumë përpjekje të sakta e të thella në fushat me epërsi, për të eksploruar më shumë mjeshtëri dhe aftësi të posaçme për zhvillimin e mëtejshëm.

Në propozimet e paraqitura pak ditë më parë për Planin e 14-të 5-vjeçar, modernizimi i zinxhirit industrial dhe të furnizimit është bërë misioni i parë i Kinës për zhvillimin e shpejtë të një sistemi modern industrial.

Zv.drejtori i Departamentit të Planifikimit pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës He Yingkun u shpreh në Samitin e Zhvillimit Inovativ të Zinxhirit Industrial të Kinës se zinxhiri industrial dhe zinxhiri i furnizimit janë kyçi i qarkullimeve ekonomike të një vendi të madh, si dhe linja jetike për sigurinë e zhvillimit ekonomik. Tani rreziqet në mjedisin e jashtëm po rriten pandërprerë. Zinxhiri industrial global po ristrukturohet shpejt dhe zhvillimi i lokalizuar është bërë një prirje më e dukshme. Kështu që qarkullimi i madh ekonomik do të ketë një bazë të fortë vetëm kur të ngrihet niveli i zinxhirit industrial.

Zv.drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës Zhang Dawei është i mendimit që, për të formuar modelin e ri të zhvillimit, duhet të përshtatet oferta me kërkesën dhe duhet të realizohet qarkullimi i mbarë mes ekonomisë kombëtare dhe sektorëve të ndryshëm të prodhimit industrial.

Kyçi për një gjendje të tillë është që të forcohet niveli i inovacionit dhe i ndërlidhjes mes zinxhirit industrial dhe atij të furnizimit. Kjo do të zgjidhë ngërçet që po pengojnë zhvillimin e vendit.

Zhang Dawei u shpreh që, për të garantuar një zinxhir të pavarur, të kontrollueshëm, të sigurt dhe të besueshëm, duhet të bëhen përpjekje pikërisht në pikat përkatëse ku ka ngërç. Por kjo kërkon një nivel të lartë si teknik, ashtu edhe të organizimit industrial. Kjo nuk mund të bëhet vetëm me forcën e tregut, por duhet të drejtohet nga politikat e qeverisë, duke shfrytëzuar rolin koordinues të sektorëve administrativë dhe organizatave përkatëse, si edhe duke aktivizuar gjallërinë e subjekteve të ndryshme të tregut.

Kina është vendi me kategoritë më të plota industriale dhe fuqinë më të madhe të prodhimit kompleks. Kina ka aftësi shumë të madhe në shumicën dërrmuese të prodhimeve me nivel të ulët e të mesëm dhe në disa prodhime me nivel të lartë. Tani ngërçi kryesor për Kinën ndodhet në prodhimin me nivel të lartë.

Zv.drejtori i Departamentit të Kërkimeve për Ekonominë Industriale pranë Qendrës së Studimit të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit Xu Zhaoyuan u shpreh që pikat e dobëta të zinxhirit industrial dhe të furnizimit të Kinës ndodhen kryesisht në prodhimin me nivel të lartë. Për të forcuar nivelin e prodhimit të pavarur dhe të vetëkontrollueshëm, duhet të bëhen përpjekje të përbashkëta në fushën e ofertës dhe të kërkesës. Nga njëra anë, ndërmarrjet e mëdha duhet të heqin dorë nga një pjesë e kërkesës së tyre dhe të krijojnë mundësi për aplikimin e produkteve vendase. Nga ana tjetër, duhet të shfrytëzohet epërsia e ekonomisë digjitale, të forcohet menaxhimi i platformave të tregtisë elektronike, të nxitet klasifikimi i produkteve sipas cilësisë së tyre dhe të rekomandohen produktet me cilësi të lartë. Kështu, në platformat e tregtisë elektronike do të publikohen të dhënat mbi cilësinë e produkteve, duke formuar një forcë të rëndësishme stimuluese, dhe fusha e kërkesës mund të drejtojë përmirësimin dhe modernizimin e sektorit industrial.

Për mënyrat si mund të ngrihet niveli i modernizimit të zinxhirit industrial dhe të furnizimit, He Yingkun u shpreh që, së pari, duhet të përmirësohet aftësia bazë e sektorit industrial, të shtohen investimet në kërkimet bazë industriale dhe të konsolidohet baza e zhvillimit industrial.

Së dyti, duhet të gjallërohet tregu i kërkesës së brendshme, për të nxitur modernizimin e zinxhirit industrial. Krahas kësaj, duhet të shpejtohet konsumi i informacionit dhe të zgjerohet aktivisht konsumi në internet.

Së treti, duhet të shtohet qëndrueshmëria dhe aftësia konkurruese e zinxhirit industrial dhe e atij të furnizimit e të përmirësohet zinxhiri industrial në mënyrë të gjithanshme, si edhe të konsolidohet epërsia e zinxhirit tradicional industrial. (Jiang Lei)