Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë po shihet me interes nga sipërmarrja private shqiptare dhe e huaj, që po rrit investimet në parqet fotovoltaike dhe eolike, duke mundësuar jo vetëm prodhimin e energjisë, por edhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.

Interesi për ndërtimin e impianteve për prodhimin e energjisë nga era nuk ka munguar në Shqipëri, por deri më sot akoma ndonjë projekt nuk është konkretizuar në investim.

Edhe pse të nxitura në të njëjtën kohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se më shumë interes ka pasur drejt impianteve fotovoltaikë deri në 2MW projekte, që sot një pjesë janë në prodhim dhe deri në fund të qershorit kishin prodhuar 22 mijë MWh energji.

Por muajt e fundit ka një zgjim të interesit për impiantet eolikë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) bëri me dije se zonat që përfshijnë projektet, që janë aktualisht në fazë shqyrtimi, janë në zonën e Himarës dhe Fierit.

MIE bëri me dije se shoqëria “NATURAL ENERGY SYSTEM” sh.p.k ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë saj përmes një aplikimi për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në Zonën e Semanit, Bashkia Fier, Qarku Fier.

Më parë ishte interesi nga shoqëria “SPARK WIND” sh.p.k që sipas MIE ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në Zonën e Pilurit, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë.

Sipas legjislacionit, impiantet fotovoltiakë deri në 2MW dhe ato eolikë deri në 3MW mund të kalojnë vetëm me miratim të ministrit përgjegjës pa pasur nevojë që të kalojnë në qeveri, sikurse ndodh me koncesionet tipike. Pas miratimit të kuadrit që nxiste këto impiante, Enti Rregullator i Energjisë miratoi çmimin e energjisë për këtë kategori.

Ky çmim është rishikuar tre herë për fotovoltaikët duke arritur në 71.2 euro/MWh, ndërkohë që për eolikët u rishikua në muajin gusht, duke u vendosur çmimi 75.64 euro/MWh, nga 76 euro/MWh që ishte më herët.

Shqipëria ka arritur të marrë nota pozitive sa i përket hartimit të kuadrit ligjor për nxitjen e përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme. Në raportin e fundit të hartuar nga Sekretariati i Komitetit të Energjisë mbi masat e marra (Akti i Qëndrueshmërisë), pala shqiptare është vlerësuar pozitivisht.

Sipas dokumentit, gjashtë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e “Procesit të Berlinit”, duhet të angazhohen në zbatimin programit, si dhe në krijimin e instrumenteve për segmentet e caktuara të tregut rajonal energjetik.

“Sa u përket masave mbështetëse për zhvillimin e energjisë së rinovueshme, thuhet në raport, progres është bërë nga Shqipëria, që nga periudha e fundit monitoruese. Me miratimin e ligjit, prezantohet për herë të parë procedura për garat me ankand për alokimin e kapaciteteve të ardhshme të energjisë së rinovueshme, si dhe skemat përmes të cilave u lejohet konsumatorëve të energjisë së rinovueshme që të grumbullojnë, shesin dhe blejnë”.

Vendet e tjera janë duke analizuar tregjet e tyre për të parë mundësitë e zhvillimit, por asnjëra prej tyre nuk po u mundëson qytetarëve që të jenë aktivë në sistemin energjetik.

Përdorimi i energjisë së rinovueshme ka shumë përfitime për Shqipërinë, duke përfshirë ulje të emetimeve të gazrave serrë, diversifikimin e furnizimeve të energjisë dhe një varësi të zvogëluar nga tregjet e karburanteve fosile (në veçanti, nafta dhe gazi). Rritja e burimeve të rinovueshme të energjisë është një mundësi shumë e mirë për punësimin dhe zhvillimin e bizneseve të reja në një sektor ende të pa shfrytëzuar në Shqipëri.

Vitin e fundit gjashtë kompani kanë nisur prodhimin e energjisë diellore nga parqe fotovoltaikë, deri në 2 MW nën formulën e koncesioneve jotipike.

Sipas statistikave zyrtare, prodhimi i energjisë nga parqet fotovoltaike, po vjen në rritje të qëndrueshme. Në total, këto impiante prodhuan 15,882 MWh energji në 6-mujorin e parë të vitit 2020, shifër kjo 0.9% më e lartë se vitin e kaluar. Sipas ekspertëve, ndonëse sasia e gjeneruar nga këto parqe është më e vogël në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike, përsëri rritja e prodhimit gradual të energjisë nga fotovoltaikët synon të rritet më tej me vënien në zbatim të 2 projekteve të reja për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Akërni të Vlorës, që pritet të nisin së shpejti.

Ndërkohë në total në fazën e parë u miratuan 11 projekte deri në 2MW, ku të paktën gjashtë prej tyre rezultojnë tashmë në prodhim, nga janari deri në gusht. Kompanitë që kanë instaluar parqe fotovoltaikë deri në 2 MWh janë përqendruar në zonën e Fierit dhe Lushnjës, ku kryesisht është zona e Topojës, Semanit dhe Plugut. Kapaciteti i instaluar aktualisht dhe në funksion si pjesë e kësaj skeme është rreth 12 MWh. Qeveria nisi pak vite më parë skemën për nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë, duke cilësuar se impiantet fotovoltaikë me fuqi të instaluar deri në 2MW dhe ato eolikë deri në 3MW, mund të miratohen me lehtësi.

Në lidhje me diellin ka pasur një interes të jashtëzakonshëm ndërkohë që për erën nuk ka ndodhur njëlloj. Çmimi që u caktua nga ERE për nxitjen e këtyre investimeve ishte që të garantohej blerja me 100 euro MWh për energjinë e prodhuar nga parqet fotovoltaikë dhe 76 euro/MWh për energjinë nga era.

Në planin kombëtar për burimet e rinovueshme të energjisë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur të paktën 75 aplikime për impiante Parqe Voltaike deri në 2 MW dhe 11 prej tyre janë pajisur me “Miratimin përfundimtar” dhe kanë nënshkruar kontratën me MEI, për ndërtimin e impianteve me energji diellore për 100 EUR/ MWh tarifë Feed-In-Tariff (FiT).

Etleva Xhajanka