U mbajt në Expocity Edicioni i 4-t i Panairit dhe Forumit Ndërkombëtar të Energjisë. Biznese, institucione publike të sektorit, si dhe palë të tjera të interesuara, patën mundësinë që në ditën e parë të këtij eventi të ndajnë zhvillimet, risitë dhe pikëpamjet e tyre mbi një sektor, i cili është përfshirë nga një dinamikë e gjerë zhvillimesh në dy vitet e fundit. Ky panair përkon me kohën kur sektori energjitik në shumë vende po përballet me krizë çmimesh dhe siguri furnizimi.

Foto nga Expo City

Foto nga Expo City

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, tha se sektori i energjisë është bërë i paqëndrueshëm si për sa i takon çmimeve edhe sigurisë së furnizimit, çka parashtron sfida edhe për Shqipërinë, teksa për bizneset kjo mund të përbëjë një mundësi pasi kthimi i investimit është shumë më i shpejtë.

Edhe në këtë edicion, energjia e rinovueshme ishte temë kryesore.

Pamje nga panairi (Foto nga Expo city)

Pamje nga panairi (Foto nga Expo city)

Subjektet pjesëmarrëse e shohin si një mundësi shumë të mirë panairin.

“Ne kemi marrë pjesë në të gjitha panairet e organizuara në fushën e energjisë. Këtu është hera e dytë që organizohet dhe ne jemi pjesëmarrës. Kemi bërë panairet që kanë qenë me fokus energjinë, kemi qenë pjesëmarrës edhe atje. Në fakt qëllimi i panairit në vetvete është më tepër informimi i njerëzve për atë që ofron kjo lloj teknologjie, me avantazhet që ka sistemi fotovoltaik, sidomos në këtë periudhë ku çmimet e energjisë kanë kaluar nivele stratosferike. Pjesëmarrja në të tilla panaire nuk është si në panaire të tjera, sepse fokusi i këtyre lloj panaireve është shumë specifik dhe përgjithsësiht tek ne në të tilla panaire orientohet firma, biznese që janë të interesuar të investojnë në pjesën e impianteve fotovoltaike. –“ thotë Armand Skuqi nga Kompania Solares.

Panairi (Foto Expo city)1

Panairi (Foto Expo city)1

Skuqi gjen rastin të na tregojë për rëndësinë e investimeve në panele fotovoltaike pasi sjellin kursim të energjisë.

“Tashmë është pothuajse e ditur nga të gjithë rëndësia e investimit në panelet fotovoltaike në fushën e kursimit të energjisë. Energjia sot është bërë një aset shumë i kushtueshëm për të gjitha bizneset dhe çdo lloj teknologjie që ofron kursimin e kësaj energjie, sot është shumë më e avantazhuar. Sigurisht njerëzit kanë akoma nevojë për informacion në këtë fushë sepse dhe teknologjia jo gjithmonë është e njëjtë dhe jo gjithmonë investimet në të tilla aspekte duhen bërë në errësirë të plotë. Kështu që ky është pikërisht fokusi i këtyre panaireve ku ne kemi mundësinë t’u shpjegojmë njerëzve rëndësinë dhe diferencën e një produkti nga një tjetër apo dhe vetë investimet në fushën e impianteve fotovoltaike. “- thotë Skuqi.

Takim i Panairit (Foto Expo City)

Takim i Panairit (Foto Expo City)

Në kohën kur në treg ofrohen shumëllojshmëri panelesh, Skuqi bën apel për kujdes për të zgjedhur të duhurat.

“Problemi është që impiantet fotovoltaike kanë një tipologji vizuale të njëjtë, në pamje të parë duken të gjithë njësoj, por ajo që duhet të kenë kujdes duke qenë se investimet në këtë fushë janë të konsiderueshme është pjesa e garancisë së produktit dhe shpeshherë është e lidhur me prodhuesin e produktit. Ne jemi kompani lokale që merret me projektimin, implementime dhe deri instalimin përfundimtar të impiantit, por garancia e vërtetë vjen nga prodhuesi. Kështu që, informacioni i plotë në nivelin e cilësisë së prodhimit është ajo që pëbën garancinë e vërtetë të impiantit.”- shprehet ai.

ArmandSkuqi ( Foto Monitor )

ArmandSkuqi ( Foto Monitor )

Në Shqipëri janë rritur kërkesat nga bizneset për vendosjen e paneleve fotovolatike për të shmangur kështu rritjen e çmimeve.

“Aktualisht ne jemi afërsisht në 16 megavat të instaluara kuptohet në biznese të ndryshme, në impiante të ndryshme. Kemi përdorur pothuajse të gjitha llojet e tipologjive të impianteve rooftop, grountmount, të gjitha llojet e sistemeve dhe inverterave, përvec pjesës së paneleve që i kemi të pandryshuara. Ne jemi një kompani që kemi një ekskluzivitet të një kompanie sllovene. Punojmë me panele të prodhuara 100% në Evropë dhe sigurisht prodhimi 100% në Evropë ka dhe feedback-un e vet në termat e garancisë dhe suportit ndaj klientëve tanë. Pjesë tjetër përbërëse e paneleve sigurisht janë komponentë të ndryshme që merren nga kompani të ndryshme, por qëllimi ynë ka qenë gjithmonë që t’u rrimë produkteve që janë këto brande sot në botë në këtë fushë”, thekson ai.

Edhe pse kostot janë rritur për vendosjen e paneleve sërish përballë përfitimit që sjellin në kursimin e faturave, investimi është i vlefshëm thonë përfaqësuesit e bizneseve.

“Në fakt kostot janë rritur. Është disi paradoks, sepse me rritjen e kostove të impianteve është rritur shumë dhe kërkesa, por kjo vjen besoj si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë. Kush është menduar deri tani për të vendosur panele fotovoltaike, tani nuk mendohet më, sepse koha është fitimi më i madh në panelet fotovoltaike.”, thotë Skuqi

Panairi (Foto Expo city)

Panairi (Foto Expo city)

Energy Expo & Forum 2022 kishte në fokus politikat energjetike dhe aspektet ligjore në Shqipëri dhe rajon, orientimin dhe konsolidimin e planit kombëtar të energjisë, sfidat e bashkëpunimit rajonal të tregjeve, risitë, skemat mbështetëse që ofrohen nga qeveritë për promovimin e investimeve në këtë fushë, efikasitetin e përdorimit të energjisë; planifikimin ekologjik; zhvillimet klimatike; tregun dhe aktorët e tij; teknologjinë e ndërtimit në funksion të ruajtjes së energjisë; trajtimin e hidrokarbureve, investimet në naftë dhe gaz; riciklimin; informacionet për të rejat e procedurave dhe legjislacionit, bursën e energjisë, etj.