Foto:VCG

Foto:VCG

Sivjet është 25-vjetori i kthimit të Hong-Kongut në atdhe. Hong-Kongu është metropoli kinez që njihet si një qendër financiare globale. Pas zhvillimit mbi 100-vjeçar, posaçërisht pas kthimit në Kinë, Hong-Kongu ka përjetuar shumë ngjarje dhe momente kyçe ekonomike, si kriza financiare aziatike në vitin 1998 dhe kriza financiare globale e vitit 2008. Çdo herë, Hong-Kongu ka bërë zgjedhjen e duhur, duke kapur rastet për zhvillim të mëtejshëm dhe duke realizuar një mrekulli të paparë në sferën ekonomike.

Për arritjet e Hong-Kongut kemi mjaft shifra pozitive konkrete, kurse për të ardhmen e “Perlës Lindore”, publiku ka mendime disi të ndryshme. Disa mendojnë që, me goditjen e marrë nga trazirat e shkaktuara nga radikalët në vitin 2019 dhe ndikimet e rënda nga epidemia e COVID-19, Hong-Kongu nuk do të ketë investime të mjaftueshme për zhvillimin e mëtejshëm dhe kapitalet do të dalin më shumë jashtë tij. Por shumica kanë besim të plotë te ky metropol i Kinës Jugore. Arsyeja nuk është e ndërlikuar: Hong-Kongu mbështetet plotësisht nga qeveria qendrore kineze dhe zotëron një treg gjigant prej 1.4 miliard vetash.


Foto:VCG

Foto:VCG

Rasti i ri historik

Hong-Kongu është kthyer në atdhe për 25 vjet. Gjatë eksplorimeve dhe praktikave të bazuara në parimin “Një vend, dy sisteme”, Hong-Kongu po bën pandërprerë përmirësime dhe rregullime lidhur me drejtimin dhe objektivat e vet të zhvillimit. Ky është një proces i gjatë, por i vendosur.

Kthimi i Hong-Kongut është një ngjarje e madhe në historinë e Kinës dhe një rast i mirë për zhvillimin e këtij qyteti në Kinën Jugore. Për qeverinë qendrore kineze, lulëzimi dhe stabiliteti afatgjatë në Hong-Kong janë “aspirata origjinale” e parimit “Një vend, dy sisteme” dhe një domosdoshmëri për mëkëmbjen e kombit kinez. Për këtë arsye, qysh nga plani i 9-të 5-vjeçar, me rivendosjen e sovranitetit mbi Hong-Kongun, deri në planin e 11-të 5-vjeçar me përfshirjen e çështjeve të Hong-Kongut e Makaos, dhe deri në planin e 12-të 5-vjeçar, ku çështjet e Hong-Kongut e Makaos u vendosën në një kapitull të posaçëm, këto tregojnë që qeveria qendrore ka hartuar një plan më të qartë për ta përfshirë Hong-Kongun në procesin e zhvillimit të vendit.

Qysh nga viti 2016 (viti i parë i planit të 13-të 5-vjeçar, 2016 - 2020), Kina paraqiti projektin për ndërtimin e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, duke u shprehur qartë që Hong-Kongu duhet të luajë rol të rëndësishëm në bashkëpunimin për zhvillimin e deltës së lumit Zhujiang (që njihet edhe si Lumi i Perlave). Krahas kësaj, Këshilli i Shtetit i Kinës kërkoi që Guangzhou dhe Shenzhen-i të bashkëpunojnë me Hong-Kongun, për të krijuar një grup qytetesh të rangut botëror.

Në vitin 2017, qeveria qendrore theksoi në raportin e vet të punës që “duhet të nxitet thellimi i bashkëpunimit mes krahinave të brendshme dhe Hong-Kongut e Makaos, dhe të shfrytëzohet epërsia e veçantë e Hong-Kongut e Makaos për të forcuar statusin dhe aftësitë e Kinës në zhvillimin ekonomik dhe hapjen me botën e jashtme”.

Pa dyshim, ky është një rast i ri historik për Hong-Kongun. Për ndërtimin e Zonës së Madhe të Gjirit dhe për integrimin e mëtejshëm me zhvillimin e vendit, Hong-Kongu ka bazë të mirë dhe epërsi të veçantë. Gjatë 25-vjetëve pas kthimit, Hong-Kongu ka krijuar lidhje të ngushta me Shenzhen-in e Guangzhou-n, duke pasur bashkëpunim të mirë edhe me Shangain. Të gjitha këto qytete janë qendra ekonomike të Kinës. Prandaj, Hong-Kongu është “terminali” më i përshtatshëm për lidhjet ekonomike mes Kinës dhe botës.

Në raportin e punës për vitin 2017, kryeekzekutivja e 5-të e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Carrie Lam vuri në dukje se “nisma ‘Një brez, një rrugë’ dhe Zona e Madhe e Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao do të sjellin një rast të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Hong-Kongut dhe Hong-Kongu duhet të shfrytëzojë më mirë epërsinë e vet të veçantë dhe mbështetjen nga qeveria qendrore, të shtojë bashkëpunimin me krahinat e brendshme dhe të zbatojë rregullat e ekonomisë së tregut e të nxitë tregtinë e lirë”.


Foto:VCG

Foto:VCG

“Atdheu është mirë, prandaj edhe Hong-Kongu do të jetë më mirë”

Kryeekzekutivi i parë i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Tung Chee-hwa kujtoi që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur Kina filloi Reformën e Hapjen, Hong-Kongu mori pjesë në këtë proces, duke dhënë kontribut për zhvillimin e vendit. “Në atë kohë, ne thoshim shpesh që ‘atdheu është mirë, prandaj edhe Hong-Kongu është mirë”. Ndërsa pas kthimit në atdhe, unë kam thënë: ‘Atdheu është mirë, prandaj edhe Hong-Kongu është më mirë’. Kjo nuk ishte vetëm një shpresë nga unë, por njerëzit mund të shohin prirjen e zhvillimit të shpejtë të atdheut. Tani, shpresa është bërë realitet dhe unë jam më i bindur që ‘atdheu është mirë, prandaj edhe Hong-Kongu do të jetë më mirë’.

Në vitin 2017, ndërtimi i grupit të qyteteve në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao u përfshi në raportin e punës të qeverisë qendrore dhe në programet shtetërore të Kinës, si “Një brez, një rrugë” dhe Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII), u caktua një vend edhe për Hong-Kongun. Kjo do të thotë që, përveç Zonës së Madhe të Gjirit, edhe “Një brez, një rrugë” do të sjellë mundësi të mira për Hong-Kongun, i cili mund të shfrytëzojë epërsinë e vet si qendër financiare. “Epërsia e Hong-Kongut është pikërisht ajo për të cilën ka nevojë atdheu. Me shfrytëzimin e epërsive të tyre, zhvillimi i atdheut dhe Hong-Kongut me siguri do të ketë një perspektivë të pakufishme,” thuhet në raportin e punës të qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut.

Kina e sotme ende është motori i rritjes ekonomike për botën dhe është vlerësuar si “vendi me më shumë raste zhvillimi në botë”. Kina ka një treg gjigant, mundësi të shumta, ide inovative, si dhe energji të fuqishme për ndryshimin e modelit të zhvillimit, dhe të gjitha këto janë “mburojë”, “shtyllë” dhe “vela” për zhvillimin e Hong-Kongut.

Në vitin 2019, Kina publikoi tekstin e plotë të programit të zhvillimit për Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao. Kryeekzekutivi i 4-t i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, Leung Chun-ying, e përshkruan këtë program si një “krah”. “Nëse e përshkruajmë Reformën e Hapjen si një krah për zhvillimin e Hong-Kongut, tani Hong-Kongu ka edhe një tjetër krah, që është ndërtimi i Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao,” thotë Leung Chun-ying.

Përveç bashkëpunimit financiar, Zona e Madhe e Gjirit mund t’i ofrojë Hong-Kongut jo vetëm rritje ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve të shumtë, por edhe mund të krijojë më shumë hapësirë jetese për qytetarët e tij, duke u bërë një “oborr i gjerë” për Hong-Kongun.

Foto:VCG

Foto:VCG

Për të ardhmen e Hong-Kongut, shumë analistë dhe institucione ndërkombëtare kanë shprehur mendimet dhe parashikimet e tyre. Kryeekzekutivi i 6-të i qeverisë së rajonit të posaçëm John Lee ka thënë hapur: “Ne kemi mbështetje nga atdheu dhe gjithashtu kemi lidhje ndërkombëtare me tërë botën. Kjo është epërsia e Hong-Kongut e bazuar nga ‘Një vend, dy sisteme’. Unë kam besim të plotë për të ardhmen e Hong-Kongut.”

Instituti i studimit të politikave “Anbound” analizon që historia e zhvillimit shoqëror e ekonomik të Hong-Kongut mund të ndahet në tre faza: Hong-Kongu feudal, Hong-Kongu kolonial dhe Hong-Kongu i kthyer në Kinë. “Nëse shohim procesin e historisë së këtij qyteti, mund të gjejmë një përgjigje të qartë që e ardhmja e Hong-Kongut përcaktohet nga faza e 3-të, pra Hong-Kongu i Kinës,” thuhet në këtë analizë. (Jiang Lei)


Për më shumë mbi Hong-Kong:

Hong-Kongu, “aventura” nga fshati i vogël në metropolin ndërkombëtar

Hong-Kong, arritje të mëdha bazuar tek epërsitë e veçanta

Hong-Kongu, rast historik për një të ardhme më të mirë