Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, në analizën vjetore të klimës së biznesit në Shqipëri deklaroi se “3-4 vjet rradhazi kemi pasur një rënie të Indexit të Biznesit, që ka të bëjë me besimin e komunitetit të biznesit në terrenin ekonomik në të cilin ata operojnë” dhe se “presionet ekonomike globale nuk i kemi në dorë, por reformën për përmirësimin e klimës, që është e lidhur me gjithë këto benefite e ka në dorë Shqipëria”.

Jaço vërejti se rekomandimet e tyre për tërheqjen e investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor i ka ndjekur më mirë Maqedonia e Veriut.

“Ju na keni degjuar shumë të flasim për klimën e investimeve dhe të të bërit biznes aq sa mund të jemi bërë pak të mërzitshëm. Por rëndësia e kësaj reforme është rritur këto 2 vjet për disa arsye të jashtme dhe disa të brendshme: sfidat ekonomike globale, lufta në Ukrainë ka përshpejtuar inflacionin dhe ka sjellë ndërprerje të zinxhirit të furnizimeve të mallrave, duke shkaktuar çrregullime dhe presione ekonomike gobale. Disa nga këto presione sigurisht që prekin dhe Shqipërinë. Por nga ana tjetër në 3-4 vjet rradhazi kemi pasur një rënie të Indexit të Biznesit, që ka të bëjë me besimin e komunitetit të biznesit në terrenin ekonomik në të cilin ata operojnë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ulja e besimit shkakton shumë efekte të tjera të padëshirueshme në investime, kapitale, largim të kapitalit njerëzor etj. Presionet ekonomike globale nuk i kemi në dorë. Por Reformën për përmirësimin e klimës, që është e lidhur me gjithë këto benefite e ka në dorë Shqipëria”- deklaroi Jaço.

Sipas Presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, përpjekjet me qeverinë shqiptare vijojnë për të përmirësuar klimën e biznesit. Madje vlerësohet roli i Ministres së Financave Ibrahimaj.

“Për këtë arsye, AmCham ka zhvilluar ‘Axhendën e Investimeve’, proces që ka filluar që në 2020. Në bashkëbisedim me Qeverinë kemi rënë dakort për nevojën për reformim; si rrjedhojë AmCham krijoi 40 Rekomandime, zgjidhjet, përmes 8 shtyllave për të ndërtuar një strukturë të suksesshme të investimeve dhe klimës së biznesit. Ky nuk është një raport i thjeshtë pjesë e praktikave më të mira të Dhomave Amerikane të Tregtisë pjesë e rrjetit më të madh global të Dhomave të Tregtise në mbi 110 vende, frut i punës se 5 Komiteteve të AmCham-it, ku janë përfshire mbi 40 ekspertë të ndryshëm. Këto zgjidhje janë tashmë publike dhe i janë dorëzuar qeverisë. Dua të vlerësoj rolin që ka luajtur Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj mbi krijimin e një grupi pune mbi implementimin e rekomandimeve. Por unë dua të jem realist në lidhje me rezultatet. Zbërthimi teknik i ndërhyrjeve ligjore ka qenë pjesa më e mprehtë e procesit. Deri në këtë moment, procesi i adresimit teknik ka qenë i ngadaltë, ndërsa koha po kalon. Ne kemi krijuar një Scorecard që mat progresin. AmCham konsideron si të suksesshëm procesin e implementimit nëse një minimum prej 75% të rekomandimeve plotësohet. Deri tani vetëm 33% e rekomandimeve janë vënë në zbatim. Duke qenë se ka kaluar pothuajse 2 vjet nga fillimi i procesit zyrtar, progresi është nën pritshmërinë tonë.”- deklaroi Jaço.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në emër të bizneseve anëtare ka edhe 8 rekomandime që kërkojnë zgjidhje. Deri tani adresimi i problemeve dhe rekomandimeve të dhëna ka qenë i ngadaltë sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë.

“Nëse do realizoheshin 75% e rekomandimeve, do jepte mundësinë e një klime biznesi të favorshme, por kemi vetëm 33% të rekomandimeve të plotësuara. Ne kemi dhënë 40 rekomandime të rëndësishme. Së pari, strukturë për të tërhequr investime të huaja, kush tërheq investime të huaja ka benefite të mëdha në ekonomi. Investimet sjellin të ardhura, punësim, investim në teknologji. Duhet të zbatohet një strategji transparente në investime, se kush janë prioritet. Ne mendojmë se duhet të ketë procedura të shkurtuara lidhur me investimet, lidhur me lejet e ndërtimit. Shembulli më i mirë është Maqedonia e Veriut dhe Serbia, që janë të përqendruar në procedura të thjeshta dhe të shkurtra. E kundërta ndodh në Shqipëri. Duhet të ketë iniciativa të qarta për investimet. Të ketë ulje të përqendrimit të tregut dhe rënie të monopolit në disa sektor. Së dyti kërkojmë miratimin e një pakete anti korrupsion në Kuvend. Kjo ka qëllim parandalimin e korrupsionit edhe është komplementare nga organet ligjvënëse. Ne propozojmë miratimin e legjislacionit anti ryshfet. I lidhur ngushtë me antikorrupsionin është reformimi. Me eliminimin në maksimum të rasteve përjashtimore, ne mendojmë që në kushtet e Shqipërisë duhet të jemi sa më konservatorë se kemi pasur raste të dukshme të shkeljeve. Kërkojmë një sistem të riformatuar të prokurimet publike. Duhet të ketë sa më pak raste përjashtimore që anashkalojnë procedurat standarde të prokurimit publik.”- shton Jaço.

E rëndësishme gjithashtu sipas sipërmarrësve anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë është edhe perfshirja e shoqërisë civile.

“Duhet aktivizim i shoqërisë civile. Ne kemi ndoshta një nga ligjet më të mira të konsultimit public, por problemi është që nuk zbatohet në mënyrën e duhur. Ne rekomandojmë një numër instrumentash që ka për qëllim zbatimin e duhur të ligjit. Sa më mirë të funksionojë, aq më shumë rritet besimi i publikut. Së pesti sistemi tatimor duhet të përputhet me standardet ndërkombëtare. Sistemi tatimor është i rëndësishëm për bizneset. Parimet tona janë standardet e kontabilitetit. Duhet të jetë i parashikueshëm, që do të thotë se bizneset kanë nevojë të bëjnë planifikimin e tyre. Nëse ligjet ndryshojnë çdo vit, e vështirë të bëjnë parashikim. Vendet më të mira ndryshojnë ligjin jo më shpesh se një herë në 4 vjet”, tha ai

Komente jepen edhe për ligjin e ri për systemin tatimor. Grupet e punës në AmCham po punojnë për komentet e tyre teknike, por thuhet se deri tani 3 nga 4 parimet e Dhomës nuk janë përmbushur.

“Drafti për tatimin mbi të ardhurat nuk përmbush standardet e kontabilitetit ndërkombëtar. Nuk është në përputhje me formalizimin e ekonomisë. Disa pika janë në kundërshtim me fiskalizimin, dhe disa pika nuk janë në përputhje me konkurrueshmërinë. Është një draft shumë kompleks. E gjashta, e 7 dhe e 8 janë stimuluese për ekonominë. Ne shikojmë që kemi mundësi të larta. Disa kanë mundësi të larta për të globalizuar më tej dhe kemi propozuar një sërë masash për arritjen e këtij potenciali. Tregtia elektronike ka hapësira. I kemi dhënë shenjat e para. Ne mendojmë që duhet të ketë kufizime ndaj pagesave cash. Do të sillte një mbështetje edhe ndaj përpjekjeve që bëhen kundër pastrimit të parave. Mos të harrojmë që Shqipëria mbetet në zonën gri për disa vjet tashmë. Së 8, përmirësimi dhe rritja e fuqive punëtore. Ky është një hendek që po ndodh në të gjithë botën, por në Shqipëri është shumë e theksuar", tha Jaço.

Kompanitë e Dhomës Amerikane të Tregtisë kanë mbi 30 mijë punëtorë dhe 3.1 miliardë dollarë të ardhura vjetore, ose sa 20% të ekonomisë shqiptare.