Rritja e shpejtë e çmimeve dhe e naftës ka ndikuar shumë në ekonominë botërore po ashtu edhe në atë të vendit tonë. Nafta ka shënuar rritjen më të madhe që nga 2008, me më shumë se 7%. Nafta e papërpunuar Brent gjithashtu u rrit në nivelin më të lartë që nga viti 2008, me 8% në 127,66 dollarë për fuçi.

Naftë, karburabte (Burimi monitor.al)

Naftë, karburabte (Burimi monitor.al)

Kriza e parë e naftës nisi në tetorin e vitit 1973 kur anëtarët e organizatës së vendeve arabe eksportuese të naftës të udhëhequra nga Arabia Saudite deklaruan një embargo nafte.

Pasojat ekonomike të një inflacionimi të tillë të një produkti kyç si nafta janë të shumëfishta. Njëra anë është rritja e përgjithshme e çmimeve në produktet e tjera, ndërsa ana tjetër është një fenomen i identifikuar fillimisht në vitet 1970, gjatë një krize të mëparshme të çmimeve të naftës. Quhet stagflacion dhe nënkupton situatën kur, njerëzit, të detyruar të rezervojnë më shumë buxhet personal për të paguar naftën, detyrohen të kursejnë në mallra e shërbime të tjera, gjë që e vë ekonominë njëkohësisht në gjendjen e rritjes së çmimeve dhe gjithashtu, në ngërç në prodhim, në stanjacion ose në rritje të ngadaltë të prodhimit, për shkak se njerëzit kursejnë për mallra e shërbime të tjera.

Pasojat e krizës në Ukrainë kanë ndikuar ndjeshëm dhe në çmimet e produkteve të tjera, kryesisht ato ushqimore për të cilat Shqipëria është e varur nga eksportet ndërkombëtare. Këto pasoja kane nisur të ndihen qartazi në Evropë dhe në vendet e Ballkanit, ndërsa çmimet kanë pësuar rritje të ndjeshme në disa shtete.

Aktualisht situata me çmimin e karburanteve mbetet e paqartë, për shkak të dinamikave në tregun ndërkombëtar dhe efekteve të luftës në Ukrainë. Ekspertët vlerësojnë se gjatë vjeshtës do të ndihet edhe impakti më i madh i një rritje të mundshme të çmimit në buxhetet familjare.

Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli në intervistë për CMG

Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli në intervistë për CMG

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) fjet eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli

CMG: Si është situata aktuale?

Fatos Çoçoli: Është një problem madhor jo vetëm për ekonominë tonë, por për të gjithë ekonominë botërore. Çmimi i lartë i naftës është i paparë në nivele të tilla që nga viti 1970 nga kriza e shekullit të kaluar. Kështu që mendoj që do të jetë një krizë që do të vazhdojë gjatë. Mendohet se mund të ketë pak lehtësi në një zbritje të pakët, tani që flasim së bashku çmimi në tregjet ndërkombëtare është 113 dollarë për fuçi. Ka qenë edhe 122 dhe 125, në tregun tonë është ndër më të lartit që kemi pasur deri tani, por për shkak të luftës në Ukrainë dhe të pasigurisë së furnizuesve për këtë lëndë mendoj se do të vazhdojë të jetë i lartë. Ndoshta në fillim të korrikut mund të shohim edhe një ndërhyrje të vendeve të OPEC-ut, të cilat kanë marrë përsipër të rrisin prodhimin dhe në moment që ky prodhim do të rritet, nafta mund të ulet diku tek 5-8% qoftë më tregjet ndërkombëtare, qoftë tek ne, sepse është një import i yni.

Ne prodhojmë naftë, por nuk e përpunojmë dot për tregun tonë të brendshëm.

CMG: Cilët janë disa nga faktorët?

Fatos Çoçoli: Po të udhëtosh në Europë në këto momente që flasim, shikon që çmimi varion, në Hungari është 1.2 euro ndërkohë që tek ne është më shumë se dy euro. Pra ajo diferencë prej 1 euro do të ndikojë në strukturat e çmimit të naftës tek ne, që ka përfshirë 8 lloje taksash, taksa e qarkullimit, akcizës, e TVSH-së, e markimit etj. Këto e bëjnë të mundur që tek ne ky çmim të jetë më i lartë se në disa vende të tjera të Europës.

CMG: A është normale nëse flasim për pjesën e taksave?

Fatos Çoçoli: Nuk është normale, por kjo ka qenë zgjidhja e autoriteteve tatimore, sepse ishte shumë e vështirë që të mblidhej akciza për shkak të kontrabandës që zhvillohej në momentin e hyrjes së naftës në vend. U mendua që kjo naftë edhe po të futej përtej rrugëve normale sërisht do të shitej. Kështu që më mirë ta tatonim në momentin kur kjo naftë shitej. Është më komode për buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër rëndon mbi çmimin.

CMG: Nëse flasim për vendet fqinje, çfarë ndikon që çmimi naftës është më i ulët?

Fatos Çoçoli: Është struktura e tyre e taksave mbi naftën, Kosova apo Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk kanë taksën e akcizës të inkorporuar në çmimin e naftës. Ato e vjelin në momentin kur importojnë naftë, sepse Kosova apo Maqedonia e Veriut edhe Mali i Zi janë importues neto, e marin vetëm nga porti i Durrësit. Duke qenë importues neto ato nuk kanë problem kontrabandën e naftës dhe në këtë kuptim e kanë më të lehtë që ta vjelin taksën e akcizës kur çdoganohet nafta.

Kriza e naftës në botës (Burimi BBC)

Kriza e naftës në botës (Burimi BBC)

CMG: Çfarë pritet të ndodhë me çmimin në vijim?

Fatos Çoçoli: Mendoj se nafta në muajt korrik -gusht për shkak të rritjes së prodhimit nga OPEC-ut mund të ulet pak, por jo në nivel siç ka qenë para luftës në Ukrainë. Do të qendrojë në ekuilibër të ri të lartë, por në nivelin e 258 lekëve nuk do të jetë, por do të shohim sesi do të vijojë edhe kriza në Ukrainë përgjatë muajve të verës.

Një gjë është e sigurtë që nafta, për shkak të sanksioneve mendohet se do të qëndrojë lart deri në fund të vitit 2024, por sesa lart do të jetë unë që e ndjek këtë treg them se gjatë verës do të ulet pak. Edhe pse konsumi do të jetë i lartë për shak të lëvizjeve të verës, kjo kërkesë e lartë nga ana tjetër do ta mbajë tek ne të rritur çmimin e naftës.

Krahasimisht nëse në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi për shkak të tregjeve ndërkombëtare do të jetë x, tek ne do të kesh një çmim y x dhe një marzh për shkak të kërkesës së lartë, sepse nevoja për naftë tek ne është edhe më e lartë se në këto vende.

CMG: Ju thoni që kërkesa është e lartë, të flasim për kërkesë-ofertën?

Fatos Çoçoli: Është faktori kryesor që përcakton një çmim në një treg të lirë sikurse është edhe i joni pavarësisht të disa pozicione oligopole që ka në këtë treg edhe në tregje të tjera.

CMG: Sipas jush a ka abuzim ?

Fatos Çoçoli: Unë mendoj se fakti që kemi tregun e naftës oligopoly, ku disa kompani zotërojnë pjesën dërrmuese të tregut të naftës tregon që edhe pse nuk ka fakt autoriteti ynë i konkurencës, çmimi i naftës para bordeve caktohej me marrëveshje të fshehtë. Kjo është edhe arsyeja e abuzimit, fakti që këto kompani vendosin një çmim x. Ky çmim ishte abuziv sepse po të ishte tregu i lirë në bazë të kërkesë- ofertës do të përcaktonte çmimin ai do të ishte pak më i ulët, por qoftë edhe 3,4 % për shifër totale rreth 750 milion euro naftë që ne konsumojnë në vit, nuk është pak. Pra, qytetarët do ta paguanin më pak në rast se nuk do të ishte ky pozicion oligopolist në këtë treg.

CMG: Sa i përket Bordit të Transparencës, sa e mirëmenaxhueshme është bërë situata pas krijimit të tij?

Fatos Çoçoli: Mendoj se në momentin kur u krijua bëhet fjalë për mesin e muajit mars, kur ishte situata shumë e vështirë, sapo kishte plasur konflikti në Ukrainë dhe kishte një frikë mes operatorëve në treg. Kjo frikë ekstreme të çonte në rritje abuzive të çmimit. Masa për ta caktuar mënyrë të centralizuar me një autoritet qëndror, në tregun e karburanteve apo ushqimeve ishte ajo e duhura. Dolën bordet dhe dhanë vendimet e tyre, kështu ra dukshëm edhe çmimi i naftës. Shkoi 270-260 para Bordit dhe më pas Bordi vendosi një çmim 220 dhe tregu u vetërregullua.

Për një periudhë të gjatë kohe drejtimi i sistemeve të tjera jetike, me vendimarrje të qendërzuar do të sjellë dëm të gjatë dhe shumë vështirësi të rikuperueshme në kohë, sepse vetë mekanizmat e tregut tone, si kudo në botë janë të tilla që vetë rregullohen. Është ligji i kërkesë-ofertës, dora e padukshme e cila tani është shumë e dukshme. Ka shumë vështirësi midis operatorëve të tregut, sepse kompani të mëdha favorizohen ndërsa të voglat tani e kanë më të vështirë.

Nafta (Burimi atsh)

Nafta (Burimi atsh)

CMG: Ju përmendët që nafta ka arritur në nivelet më të larta. A po shkojmë drejt një maksimumi historik?

Fatos Çoçoli: Sigurisht në rast se OPEC-u nuk do të ndërhyjë, në ditët e para të korrikut nafta mund të shkojë edhe 270. Madje po flitet gjithnjë për një naftë afër një rekordi 300 lekë/litër. Kjo do ta vështirësojë shumë gjendjen e ekonomisë tonë, sepse nafta ëshrë lubrikfikanti i të gjithë ekonomisë. Nafta dhe energjia elektrike janë dy elementet në koston e çdo biznesi dhe të familjeve shqiptare.

Pjesa më e madhe e kanë një makinë, kuptohet që për distancat çmimi i naftës të jetë i kontrolluar, nuk them se me bordet nuk kontrollohet, por drejtimi i këtyre tregjeve nëpërmjet bordeve do të sjellë disa dëme të parikuperueshme. Nëse flasim për fundin e këtij viti do të kemi gati 9 muaj menaxhim me borde, urojmë që situata të lehtësohet dhe në periudhën shumë kritike nga shtatori në dhjetor në mënyrë që tregu të rregullohet.

CMG: Ku ndikon kjo krizë e naftës, në cilat aspekte të tjera?

Fatos Çoçoli: Rrit menjëherë kostot e prodhimit, pra çdo kompani transporti ku lënda e parë është nafta. Nafta hyn edhe në shumë shërbime si ato të turizmit, të gjitha këto sjellin që sa më i lartë të jetë çmimi i naftës aq më lart do jenë edhe çmimet e tjera. Vëmë re që qytetarët kanë shkuar në bregdet dhe shohin që çmimet janë 20-30% më shtrenjtë se vitin e kaluar.

CMG: Jemi në nisje të sezonit turistik dhe nafta ka arritur nivelet më të larta. Ju si ekspert ekonomie, çfarë do të sugjeronit?

Fatos Çoçoli: Ka disa mënyra, ekonomistët ndahen në disa qëndrime. Njëri qëndrim është ai agresiv që quhet, në mënyrë që disa taksa që ndikojnë tek çmimi i naftës të hiqen ose të reduktohen ndjeshëm. Ka vende të Europës që e kanë përgjysmuar TVSH apo hequr përkohësisht taksën e akcizës. Kjo ka të bëjë me mënyrën sesi qeveritë e çdo vendi veprojnë dhe sa e varur është nga TVSH apo akcizës së naftës. Vendi ynë është shumë i varur prej kësaj dhe mundësia që ta heqësh fare është shumë e vogël, por duke parë të ardhurat e bollshme në buxhetin e shtetit për gjysmën e parë të vitit, ndoshta gjysma e dytë mund të jetë më e vështirë, sidomos duke filluar nga përfundimi i sezonit ekonomia do të jetë shumë e pambrojtur nga goditjet e larta në tregjet ndërkombëtare.