Duke u përballur me presionin në rënie dhe pasiguritë në rritje, Kina ka rritur përpjekjet për të fuqizuar kërkesën e brendshme dhe për të ringjallur motorin e rritjes së ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Në një takim të zhvilluar nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, në fund të prillit, u përsërit rëndësia e zgjerimit të kërkesës së brendshme, duke bërë thirrje për të mbështetur plotësisht investimet efektive, përforcimin e ndërtimit të infrastrukturës dhe të lejohet që konsumi të lehtësojë qarkullimin ekonomik.

VCG

VCG

Për më tepër, takimi ekzekutiv i Këshillit të Shtetit nxiti përpjekjet për të mobilizuar më mirë asetet ekzistuese, për të zgjeruar kanalet për investimet private dhe investimet efektive. Kërkesa e brendshme ka shërbyer si shtytësi kryesor i ekonomisë kineze. Të dhënat zyrtare treguan se investimet e aseteve fikse të Kinës u rritën me 9.3 për qind nga viti në vit në periudhën janar-mars, nga 4.9 për qind për të gjithë vitin 2021. Konsumi final kontribuoi me gati 70 për qind të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto gjatë të njëjtës periudhë. Megjithatë, vetëm në muajin mars, shitjet me pakicë në vend ranë, ndërkohë që rritja e investimeve të aktiveve fikse u ngadalësua ndjeshëm në krahasim me dy muajt e parë të vitit. Një sërë faktorësh, një prej të cilëve dhe shpërthimet e Covid-19, kishin rënduar shumë në kërkesën e konsumatorëve dhe të biznesit gjatë kësaj periudhe.

“Një nga presionet kryesore me të cilat përballemi është tkurrja e kërkesës”, -tha Zhang Liqun, studiues i Qendrës Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit, duke theksuar nevojën për të zgjeruar kërkesën e brendshme dhe për të lehtësuar ekuilibrin e ofertës dhe kërkesës. Zhang bëri thirrje për shfrytëzimin e rolit jetik të investimeve në rritjen e kërkesës, veçanërisht investimet në infrastrukturë të udhëhequra nga qeveria, pasi, sipas tij, investime të tilla do të gjenerojnë më shumë porosi për ndërmarrjet dhe do të rrisin punësimin dhe pagat.

Nga Konferenca Qendrore mbi Ekonominë e vitit të kaluar, deri te raporti i punës së qeverisë së këtij viti dhe takimi i Komitetit Qendror për Çështjet Financiare dhe Ekonomike muajin e kaluar, avancimi i investimeve në infrastrukturë është bërë një çështje kyçe për politikëbërësit kinezë. Ndërkohë, është përshpejtuar ndërtimi i 102 projekteve madhore për periudhën e Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025). Përpjekjet për të shtuar risitë në infrastrukturë pritet të rriten gjithashtu, pasi vendi u zotua të ndërtojë rreth 600.000 stacione bazë 5G në vitin 2022.

VCG

VCG

Deri në fund të marsit, emetimi i obligacioneve për qëllime të veçanta për qeveritë vendore arriti në rreth 1.25 trilionë juanë (rreth 186 miliardë dollarë amerikanë). Pjesa më e madhe e fondeve u kanalizuan në ndërtimin e infrastrukturës, si zhvillimi i parqeve industriale, transportit, objekteve të ruajtjes së ujit dhe logjistikës së zinxhirit të ftohtë. “Mbështetja e politikave do të sigurojë ndërtim dhe financim më të qetë për projektet e infrastrukturës”, -tha Ming Ming, analist i “CITIC Securities”, duke theksuar se pritet që rritja e investimeve në infrastrukturë gjatë gjithë vitit të arrijë në 10 për qind.

Janë marrë gjithashtu masa për të nxitur më tej konsumin, një tjetër shtyllë kryesore për kërkesën e brendshme.

Sipas udhëzimeve të publikuara në prill për shfrytëzimin e potencialit të konsumit të vendit dhe promovimin e rimëkëmbjes së konsumit, Kina planifikon të ndërtojë një grup magazinash në periferi të qyteteve të mëdha dhe të mesme për të siguruar furnizimin e nevojave ditore në rast emergjencash.

Në udhëzime thuhet se ndër të tjera do të bëhen gjithashtu përpjekje për të pasur produkte dhe shërbime që plotësojnë nevojat e të moshuarve dhe të miturve, për të promovuar shitjet e automjeteve dhe pajisjeve shtëpiake në zonat rurale dhe për të ndërtuar disa dyqane “duty-free” brenda qyteteve.

VCG

VCG

Megjithëse disa sektorë të bazuar në kontakte u prekën nga Covid-19, disa prirje të reja u shfaqën në tregun e konsumit të Kinës. Një prej tyre ishte kampingu, që u përqafua shumë mes të rinjve kinezë, duke rritur kërkesën për akomodim dhe pajisje kampingu.

Sipas agjencisë kineze të udhëtimit “Ctrip”, hotelet dhe “B&B”-të me etiketimin “kampim” në prezantimin e tyre panë një rritje të interesimit dhe rezervimit, me rreth 153 për qind, gjatë festës së Ditës së Punës, krahasuar me festën treditore të Festivalit Qingming në fillim të prillit.

“Konsumi është elastik me një potencial të madh në Kinë dhe bazat për zgjerimin e tij mbeten pozitive”, -tha Sheng Qiuping, zëvendësministri i Tregtisë, gjatë një interviste për “Xinhua”.

VCG

VCG