Dean Çelaj është i riu shqiptar, i renditur në listën e 30 njerëzve më të suksesshëm nga revista prestigjioze “Forbes”. Çelaj është krijues i shumë projekteve teknologjike ndërkombëtare në bashkëpunim me universitetin e Harvardit. Ai u bë i njohur gjatë pandemisë së COVID-19, nëpërmjet platformës “akademi.al”, ku me krijimin e tij ndihmoi mbi 500,000 nxënës të aksesonin mësimin online falas.

Në intervistë për mediat ai tregon për arsimimin dhe mënyrën se si lindi idea për platformën “akademi.al” dhe suksesin e arritur.

Dean Çelaj (Foto ballkanweb)

Dean Çelaj (Foto ballkanweb)

“Kam ikur nga Shqipëria në një moshë shumë të vogël si fillim në Oksford, pastaj në Londër dhe më pas në Boston. Studimet e mia të bachelorit kanë qenë në fushën e informatikës. Kam studiuar sisteme informatike dhe tani po bëj një master në lidership në arsim dhe biznes në Universitetin e Harvardit. Lindi si ide për të dhënë kontributin tim pasi studiova në Angli për shumë vjet. Kur shkova në Angli në një moshë të vogël pashë një diferencë midis sistemit arsimor në Shqipëri dhe atij anglez dhe doja të jepja një kontribut pikërisht në këtë fushë për të krijuar një platformë ku nxënësit, pavarësisht nivelit të tyre mund të arsimoheshin nga një mësues i shkëlqyer online. Kështu nisi. U bë e domosdoshme gjatë pandemisë. 500’000 nxënës u regjistruan në një vit. 91% nga Shqipëria u aksesuan në këtë platformë. Ishte e vështirë si fillim para pandemisë për të siguruar mësuesit më të mirë. Ishte një sfidë për ne. Ishim një ekip shumë i vogël dhe duhej t’u mbushnim mendjen këtyre mësuesve për të ardhur me ne dhe për të filmuar videot që do të hidheshin në YouTube. Pastaj numri 1, aktori më i rëndësishëm për një biznes të ketë sukses kur është akoma i vogël, është koha. Për fatin tonë të mirë ishte koha perfekte për të lancuar një biznes mësimi online pak muaj para pandemisë, kështu që ajo na ndihmoi shumë. Patjetër kishte sfida implementimi, por koha që ne e nisëm biznesin ishte perfekte për t’u rritur aq shpejt. Kemi një ekip të brendshëm shqiptar. Kemi dhe një ekip programimi, që e përdorim dhe është ekip i jashtëm. Janë nga më të mirët në Ballkan besoj, ekipi shqiptar ” ka treguar Çelaj.

Ai thotë se kishte marrë shumë vlerësime për platformën e krijuar dhe një ditë do të vlerësohej për këtë gjë.

“U lumturova shumë, festova në atë moment, por ishte diçka që unë po e planifikoja prej disa muajsh. Rrita network-un tim kur isha në Harvard me njerëz që kanë qenë pjesë e listës. Po kisha besimin që mund ta merrja këtë trofe sepse çdokujt që i tregoja historinë tonë, që një platformë pati këtë lloj suksesi për një vit të implementohet nga 91% e një shteti. Kjo nuk ndodh, sidomos në platforma arsimore, nuk ke një platformë në një shtet që mund të ketë pasur më shumë se 70% entrim, jo më 91%. Ishte një histori e fortë për të nominuar. Kisha besim dhe ndodhi pastaj. Një ndjesi shumë e mirë, mbështetje nga të gjithë. “Jemi krenarë për ty!” Kam qenë shumë i lumtur dhe network-u im është trefishuar për dy javë. Më pëlqen shumë kjo ndjesi që njerëzit duan të bashkëpunojnë me mua, sidomos në një moshë të re akoma”, thotë Çelaj.

Dean Çelaj në Forbes(Foto panorama.al)

Dean Çelaj në Forbes(Foto panorama.al)

I listuar mes 30 njerëzve më të suksesshëm, e bën të riun me origjinë shqiptare edhe më të kërkuar në treg.

“Besoj se suksesi në Amerikë e përforcon punën tonë në Shqipëri. Patjetër që “akademi.al” njihej si platform, por jo si tani. Ky lajm na vuri në qendër të vëmendjes përsëri. Shpresoj që suksesi në Amerikë me projekte të tjera mund të shërbejë dhe për Shqipërinë, jo vetëm për të sjellë eksperienca, por edhe burime të tjera.”

Çelaj flet edhe për projekte të reja ku po kërkojnë një version tjetër të “akademi.al” për tregun amerikan.

“Kemi rreth 9 muaj që bashkëpunoj me disa nga profesorët e Harvardit dhe njerëz të tjerë që po krijojmë një si tip versioni 2.0 të akademi.al. Patjetër nuk do të quhet akademi.al, por do të quhet diçka tjetër për tregun amerikan. Kemi rreth 8-9 muaj që e ideojmë. Jemi afër lancimit të këtij produkti të ri, që shkon një hap më tutje çfarë është bërë në fushën e arsimit. Pavarësisht se jemi në Shqipëri, akademi.al është goxha konkurruese në botë”, shprehet Dean Çelaj.

Dean Çelaj(Foto observer Kult)

Dean Çelaj(Foto observer Kult)

Kujtojmë se “Forbes Under 30” është një listë e sipërmarrësve më të suksesshëm në botë nën moshën 30 vjeç . Lista njeh 600 persona me 30 individë të përzgjedhur nga 20 industri të ndryshme. Në njoftimin e dhënë nga prestigjiozja “Forbes”, thuhet se Çelaj nënshkroi kontrata me qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës së pandemisë për shfrytëzimin e platformës së tij.