Besmir Disha është një emigrant i hershëm, i cili tashmë ka vendosur të investojë në fshatin Shën Gjergj, duke hapur biznesin e tij familjar. Ky aktivitet nuk i ka shërbyer vetëm familjës së tij, por mbarë zonës, të cilët kanë se ku të shesin prodhimet e tyre. Në mes të gjelbërimit, vetëm 35 kilometra larg Tiranës, ndodhet “Vila Disha” e themeluar nga Besmir Disha, vendi perfekt për ata që kërkojnë qetësi, ushqim tradicional dhe natyrë të bukur. I mbushur me nostalgji për vendin ku kishte kaluar fëmijërinë e tij dhe i dashuruar me bukuritë e Shën Gjergjit, Besmiri guxoi të ndërtonte diçka në shërbim të vizitorëve.

Pamje nga Vila (Foto Vila Disha)

Pamje nga Vila (Foto Vila Disha)

“Pasi u ktheva nga emigrimi, një periudhë kohore rreth 10 vjeçare, shkova në fshat të shikoja shtëpinë ku dhe jam rritur deri në moshën 13 vjeçare. Aty më erdhi një nostalgji dhe fillova të mendoja për të bërë një agroturizëm, duke qenë se dhe vendi ishte shumë i përshtatshëm. Pastaj pas dy vitesh vendosëm bashkë me familjen që të investonim dhe të fillonim të krijonim agroturizmin tonë dhe bëmë rikonstruksionin e shtëpisë. Duke qenë se dhe rruga ishte rregulluar pasi u ktheva nga emigrimi dhe shumë gjëra ishin rregulluar dhe Shën Gjergji është vetëm 35 km larg nga Tirana. Kjo ishte një shtysë e madhe që na dha kurajo që të investonim në Shën Gjergj”- thotë Besmir Disha.

Vila, e hapur në vitin 2019 pas restaurimit të shtëpisë së vjetër, e trashëguar ndër breza, përmban 6 dhoma mjaft komode dhe me të gjitha kushtet e nevojshme, në të cilat mund të akomodohen rreth 20-22 persona. Pranë vilës, në maj të 2021 është hapur dhe restoranti, në të cilin serviren ushqimet e shijshme 100% bio të zonës. Atmosfera që krijohet në restorant është mishërim i mikpritjes dhe traditës, duke u kujdesur që të gjithë vizitorët të shijojnë çdo çast në ambientet e tyre. Vilën ku është ndërtuar bujtina, sipërmarrësi Disha e quan shtëpi muze, pasi ajo ka qenë bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Besmir Disha (Foto nga Vila Disha)

Besmir Disha (Foto nga Vila Disha)

Dhjetëra italianë apo njerëz të tjerë që u larguan prej luftës dhe nuk kishin ku të qëndronin gjetën strehë aty.

Besmiri rrëfen detajet e aktivitetit të tij dhe të vecantat.

“Me biznesin tonë kemi ndihmuar shumë familje të fshatit Shën Gjergj, kryesisht duke ju blerë atyre prodhimet e vendit, nga fruta-perime dhe gjer te mishrat. Disa familje i kemi punësuar dhe aty në vilë. Vila Disha u hap më 1 shtator 2019 pas restaurimit të shtëpisë së vjetër që ne kishim, trashëguar nga gjyshi dhe nga babi im. Më pas bëmë dhe restorantin aty pranë vilës, që ëshët hapur në vitin 2021 në maj.Vila përmban 6 dhoma, ku secila ka banjon e saj private dhe një kapacitet rreth 20-22 persona”, tregon sipërmarrësi.

Një nga dhomat e vilës (Foto Vila Disha)

Një nga dhomat e vilës (Foto Vila Disha)

Shën Gjergji është një zonë perfekte për të apasionuarit pas natyrës, një zonë ku je i rrethuar nga të katërta anët me gjelbërim në stinën e pranverës dhe me bardhësinë e mrekullueshme të borës në dimër. Si e tillë aty ka plot vende për të vizituar.

“Vende që mund të vizitohen këtu në Shën Gjergj janë ujëvara e Shën Gjergjit, ujëvara e Shtogut që gjendet në mes të maleve, Mali me Gropa, Liqeni i Lepurit, Liqeni i Bixës, fshati i Bixës, liqeni i Shën Mërisë, Ballkoni i Shën Gjergjit. Zona e Shën Gjergjit është e përshtatshme për turistët, në të katërt stinët e vitit. Është shumë e mirë për ecje, për të gjithë ata që janë të apasionuar pas hiking, për gjelbërim, për natyrë, ose dhe në dimër për borë.”, thotë ai.

Turistët mund të njihen edhe me historinë e kësaj zone.

Ushqimi (Foto Vila Disha)

Ushqimi (Foto Vila Disha)

“Një e veçantë tjetër në zonën e Shën Gjergjit është që në vitin 1912 është hapur shkolla e parë shqipe në rrethin e Tiranës dhe sot gjenden rrënojat e kësaj shkolle dhe kishave që janë bërë asaj kohe në zonën e Shen Gjegjit. Vila ku është bërë bujtina është një shtëpi muze sepse ka qenë bazë e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Aty janë strehuar shumë italianë apo njerëz të tjerë që u larguan prej luftës dhe nuk kishin ku të qëndronin.”

Restoranti (Foto nga Vila Disha)

Restoranti (Foto nga Vila Disha)

Karakteristikë e Shën Gjergjit janë edhe gatimet shumë të vecanta dhe të fresketa. Tryezat e zonës njihen për shijen e tyre siç janë djathi i dhisë me vaj ulliri, gjiza me vaj ulliri e vezë, çaji i malit me mjaltë, fërgesa e buka me misër të bardhë, pilafi me grurë të thërrmuar e buka e zezë me grurë të vendit, apo mishi i pjekur i kecit

Vila Disha (Foto nga Vila)

Vila Disha (Foto nga Vila)

“Ushqimi në zonën tonë është 100% bio dhe shërbehet me shumë pasion dhe dashuri. Mikpritja dhe tradita është diçka shumë e veçantë në zonën tonë, ku të gjithë ata që vijnë e shijojnë dhe kënaqen me atmosferën që krijohet.”, thotë Besmiri

vila disha ambjente jpg

vila disha ambjente jpg

Banorët e Shën Gjergjit janë të punësuar kryesisht në sektorin e bujqësisë, pra të vetëpunësuar. Vitet e fundit është zhvilluar edhe sektori agroturizmit ku janë të angazhuar pjesa më e madhe e familjeve që jetojnë në këtë fshat.