2022-shi është viti i 2-të që Kina ka nisur programin për lulëzimin e zonave rurale. Krahinat e ndryshme të Kinës, duke shfrytëzur burimet lokale dhe me mbështetjen e politikave dhe teknologjisë së internetit, kanë filluar të gjejnë pikat e reja të zhvillimit, duke filluar veprime konkrete për të nxitur zhvillimin cilësor në zonat rurale dhe për të formuar sistemin e bujqësisë moderne.

Foto:VCG

Foto:VCG

Rajoni Guangxi-Zhuang, “shporta” e pasur bujqësore

Në qytetin Baise të Kinës Jugperëndimore, mango njihet si pema e pasurisë.

Për të krijuar zonën e mallrave të veçanta bujqësore dhe për të formuar sektorin bujqësor me epërsi të veçantë, qyteti Baise në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugperëndimore ka përmbledhur markat që kanë lidhje me frutin e mangos, duke krijuar markën publike të mangos, me një vlerë 17.3 miliardë juanë.

Kjo është një pjesë e programit të rajonit Guangxi-Zhuang për lulëzimin e bujqësisë. Vitet e fundit, sektori bujqësor në këtë rajon është fokusuar te burimet e veçanta vendore, ka hartuar plane të hollësishme me mbështetje teknike dhe ka bërë përpjekje të mëdha për krijimin e një sektori të veçantë bujqësor.

Në këto tre vjetët e fundit, rajoni Guangxi-Zhuang ka publikuar një sërë dokumentesh, ka nisur veprimin 3-vjeçar “10+3” për zhvillimin cilësor të bujqësisë moderne, zgjerimin e zonave të bujqësisë moderne dhe ndërtimin e zonave të përpunimit të mallrave bujqësore, duke krijuar një sërë produktesh bujqësore karakteristike.

Deri tani, prodhimi i çajit të jaseminit nga ky rajon zë mbi 60% të prodhimit global, sipërfaqja dhe prodhimi i frutave cilësore renditet në vendin e parë në Kinë, sipërfaqja e kopshteve me mana zë një të tretën e sipërfaqes së përgjithshme të kopshteve me mana të vendit dhe prodhimi i krimit të mëndafshit përbën mbi 50% të prodhimit përkatës të vendit. Krahas kësaj, prodhimi i perimeve dhe frutave, si portokallet, mangot, momordika, si edhe mbarështimi i pulave pendëverdha, janë renditur në vendin e parë në Kinë. Rajoni Guangxi-Zhuang është bërë një “shportë” e rëndësishme bujqësore për mbarë Kinën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Fujian, pasurimi i bazuar te “komisionari i posaçëm”

Qyteza Zhenghe ndodhet në zonën malore të provincës Fujian dhe njihet si “vatra e çajit të bardhë”. Në këtë qytezë ka mbi 700 ndërmarrje që merren me çaj dhe sipërfaqja e përgjithshme e kopshteve të çajit është mbi 110 mijë akra. Mbi 75 % e fermerëve vendorë merren me punët e çajit dhe mbi gjysma e të ardhurave të tyre janë nga çaji. Çaji është bërë një biznes shtyllë për pasurimin e fermerëve vendas.

Për zhvillimin e gjelbër dhe me cilësi të lartë dhe për të krijuar një bazë të fortë për lulëzimin rural, “komisionari i posaçëm teknik” është bërë fuqia kryesore këtu.

“Më parë, këta komisionarë ishin të shpërndarë në ndërmarrje të ndryshme dhe sipas rregullave të provincave, në çdo ndërmarrje kishte e shumta dy komisionarë të posaçëm. Me këtë model, disa ndërmarrje të vogla kishin vështirësi të integroheshin me standardin teknik dhe disa komisionarë me vetëm një lloj mjeshtërie të posaçme nuk plotësonin kërkesat e disa ndërmarrjeve për zinxhirin e plotë. Edhe pushteti vendor kishte vështirësi të bënte koordinim dhe menaxhim,” thotë zv.kryetari i qytezës Pei Junwei.

Për ta zgjidhur këtë problem, qyteza Zhenghe ka krijuar modelin e komisionarit të posaçëm të çajit të bardhë, me të cilin ndërmarrjet shtetërore janë bërë platforma publike, ku janë vendosur komisionarët teknikë dhe ekipet e studimit nga shkollat e larta. Në këtë bazë, janë formuar edhe shkolla e çajit dhe instituti i studimeve mbi çajin e bardhë. Krahas këtyre, janë vënë në përdorim edhe komisionarë financiarë, me synim që të shtohet mbështetja për sektorin e çajit nga ana financiare. Ndërkohë, janë krijuar edhe fondet e investimeve dhe kërkimeve, përkatësisht prej 5 milionë dhe 1 milion juanësh, çka ka zgjidhur vështirësitë e financimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Foto:VCG

Foto:VCG

Hainan-i, perspektiva e mirë për fermat e përbashkëta rurale

Hainan-i i Kinës Jugore është provinca që ka eksploruar më herët modelin e “fermës së përbashkët”. Deri në dhjetor 2021, Hainan-i ka krijuar 200 ferma të përbashkëta pilot, të cilat kanë një sipërfaqe prej 2.23 milionë akrash, duke përfshirë produkte të veçanta, si mango, liçi, ananas dhe kafe. Këto ferma kanë pritur 2.21 milionë njerëz, duke shënuar të ardhura prej 850 milionë juanësh, me fitime prej 160 milionë juanësh.

Ferma e përbashkët, një model i ri i ekonomisë rurale me integrimin e bujqësisë, kulturës dhe turizmit, tani është bërë pika kryesore për lulëzimin rural të provincës Hainan.

Në fermën e përbashkët është krijuar modeli “Internet+” me bujqësi të veçantë, çka ka zgjidhur problemin e shitjes së produkteve bujqësore dhe ka ngritur fitimet e fermerëve. P. sh., në fermën e përbashkët në Danzhou, njerëzit mund të marrin shërbime “një porositje në internet, dërgim për tërë vitin, një vizitë turistike”. Në një fermë të përbashkët në qytetin Sanya, zhvillohet koncerti rural, që pëlqehet shumë nga konsumatorët e rinj dhe muzikëdashësit. Ndërsa në fermën e përbashkët që ndodhet në Boao, ofrohen shërbimet e veçanta shëndetësore për të moshuarit që lëvizin nga krahinat e tjera të vendit.