Qeveria ka ngritur Task Force për të verifikuar pagat që nëndeklarohen nga biznesi. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj gjatë një deklarate për mediat tha se sipërmarrja ka afat deri më 20 janar për t’u vetë korrigjuar me dorëzimin e listë-pagesave të punonjësve. Pas këtij afati, nisin verifikimet nga zyra e më pas kontrollet në terren. Ibrahimaj ka bërë edhe një përmbledhje të situatës aktuale ekonomike dhe pritshmërive për këtë vit të ri.

Vetëkorrigjimi i pagave (Revista Monitor)

Vetëkorrigjimi i pagave (Revista Monitor)

“Rritja ekonomike për vitin 2021 në bazë të informacioneve dhe të dhënave të tërthorta që Ministria e Financave ka, parashikohet të jetë në nivelin 8.6%. Parashikimi i mëparshëm i muajit korrik me të dhënat që kishim deri në atë moment ishte 7.6%. Ndërkohë që në fillim të vitit jo vetëm ne, por edhe institucionet ndërkombëtare që merren dhe janë teknike të analizave ekonomike, si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore parashikonin një rritje rreth 5% për vitin. Niveli i lartë i rritjes ekonomike ka ardhur sigurisht si pasojë e treguesve të ndryshëm makroekonomikë, të cilët shoqërojnë rritjen ekonomike dhe janë të pandashme”- u shpreh Ibrahimaj

Ministrja deklaroi se të ardhurat parashikohet të jenë mbyllur në nivele të kënaqshme për vitin që lamë pas. Në bazë të analizave të bëra, sipas Ibrahimajt, ky rezultat pozitiv ka ardhur i ndikuar nga ecuria e mirë e bizneseve, por gjithashtu i ndikuar dhe nga fiskalizimi i cili është një proces që tashmë ka filluar dhe është në fazat e tij përfundimtare. Sipas ministres, ky proces ka filluar të japë efektin e vet sidomos në bizneset e mëdha ku përqindja e subjekteve të fiskalizuara është shumë më e lartë se përqindja totale e bizneseve.

“Fillimisht dua të flas për të ardhurat të cilat kanë pasur gjatë gjithë vitit një vijueshmëri dhe një ecuri shumë të kënaqshme. Për vitin 2021ne mendojmë që niveli i të ardhurave do të jetë rreth 506 miliardë lekë. Pra, do të përmbyllet me 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e të ardhurave ndaj GDP-së në 28.6%. Është një tregues, i cili sigurisht është optimist për atë synim që ne kemi, që në një periudhë afatmesme të arrijmë në një nivel të të ardhurave prej 30% të GDP-së. Kjo sigurisht arrihet si me një ecuri të mirë ekonomike dhe me krijimin e kushteve për një klimë të mirë ekonomike, por gjithashtu dhe me të gjitha politikat fiskale dhe të mirat e administrimit fiskal, të cilat tashmë prej kohësh kanë filluar. Në krahasim me vitin 2020 të ardhurat e këtij viti do të mbyllen me 21%. Ndërkohë që sigurisht viti 2020 ka qenë një vit i vështirë dhe atipik. Pra, nuk do të tregonte ecurinë e mirë vetëm në krahsim me vitin 2020, por nëse do ta krahasojmë me vitin 2019, i cili është një vit normal, me një ecuri normale të ekonomisë të ardhurat janë rritur me 11%”-tha Ibrahimaj.

Në analizën e bërë nga dikasteri i financave flitet për shifra pozitive sa i përket punësimit.

“Duke ju kthyer treguesve makroekonomikë unë dua të ndalem te treguesit e punësimit, të cilët gjithashtu kanë treguar një ecuri shumë të mirë. Të papunësisë në tremujorin e tretë arriti nivelet e vitit 2019 dhe gjithashtu treguesit e punësimit kanë arritur në nivelet e vitit 2019, duke treguar që ekonomia është rigjallëruar dhe nuk flasim më le të themi për një rimëkëmbje të ekonomisë, por në vitin 2022 do të flasim për reformat strukturore, të cilat do të çojnë në zhvillimin e mëtjeshëm ekonomik në ato sektorë që janë prioritarë për vendin” theksoi ministrja.

Ministrja Delina Ibrahimaj (Dosja.al)

Ministrja Delina Ibrahimaj (Dosja.al)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi se pagat kanë ardhur në rritje. Edhe treguesit e tregisë së jashtme kanë njohur përmirësim.

“Dhe nga ana e financimit të konsumit, pra pagat kemi pasur një ecuri të mirë. Në tremujorin e tretë pagat u rritën me 6.4% në krahasim me një vit më parë dhe është një tregues, i cili ka ardhur vazhdimisht në rritje. GDP-ja për frymë , që është një tjetër tregues që tregon për mirëqenien e qytetarëve dhe të konsumit, pritet që në vitin 2022 të jetë në nivelin 661000 lekë për banor. Nga na tjetër dhe treguesit e tregtisë së jashtme shumë të rëndësishme për të analizuar shëndetin e biznesit kanë qenë në rritje, në nivel 11-mujor ne kemi pasur një rritje të eksporteve me 35.4% në krahasim me vitin 2020 dhe një rritje të importeve me 31.1% në krahasim me vitin 2020.”