Në historinë që do të përcjellim tek ju, historia e traditës së prodhimit të verës ka nisur me gjyshin, babain dhe tashmë po vazhdon edhe me djemtë e rinj të familjes. Bëhet falë për “Kantinën Arbri”, e cila në vitin 2002 ka prodhuar verën e parë me dy llojet e verërave “Kallmeti” dhe “Sheshi i Bardhë”.

Pamje nga kantina (webpage kompania)

Pamje nga kantina (webpage kompania)

Rigers Kaçorri, nga “Kantina Arbëri” tregon për këte biznes familjar, që është kthyer në verën e preferuar për shumë familje shqiptare dhe më gjerë.

“Ne jemi një biznes familjar dhe jemi marrë prej kohësh me prodhimin e verës dhe të rakisë, sepse vijmë nga një zonë siç është Mirdita, ku historikisht është pirë një gotë verë. Duke qenë se është një zonë katolike dhe atëherë kur realisht ishte e pamundur, sepse nuk lejohej prodhimi në shtëpi, prapë familjarët prodhonin verë. Këtë traditë e kemi ruajtur që nga gjyshi, pastaj babai dhe normalisht tani është një biznes familjar i standardizuar. Fokusi kryesor është prodhimi i verës me varietetet autoktone shqiptare. Kantina Arbëri që në fillim të viteve 2000 ka filluar si projekt dhe në vitin 2002 është prodhuar vera e parë Kallmeti dhe Sheshi i Bardhë. Dy varietete autoktone shqiptare që prodhohen Kallmeti, kryesisht në veri të Shqipërisë dhe Sheshi i Bardhë që nga qendra e Shqipërisë në veri dhe në jug, por origjinën e ka nga Sheshi që ndodhet në Durrës.” – thotë Kacorri.

Kantina e verërave Arbëri (webpage kompania)

Kantina e verërave Arbëri (webpage kompania)

Tradita e prodhimit të vreshtarisë në rajonin e Mirditës daton në kohë të hershme, pasi përkatësia dhe kultura katolike e popullsisë së kësaj zone duket se nxiste prodhimin e rrushit dhe të verës si dhe konsumin e saj.

“Kantina Arbër operon me tre produkte, siç është Kallmeti klasik, Kallmeti i vjetëruar ose rezervë dhe Sheshi i Bardhë. Janë prej vitesh në treg dhe bësoj që janë konsoliduar me kalimin e viteve, duke u kthyer në tre verërat kryesore reprezentative të kantinës Arbër”, tregon Rigers Kaçorri.

Ndër vite ecuria e tregtisë së verës ka qenë pozitive, duke depërtuar edhe në tregje të largëta.

“Momentalisht Kantina Arbëri eksporton në disa vende, duke filluar nga SHBA, Gjermania, Zvicra, Austria, Franca, por dhe rajoni siç është Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Këto eksporte kanë filluar rreth viteve 2008-2009 dhe sot zënë rreth 15-18% të eskportit total të Kantinës Arbëri në prodhim vjetor. Ne jemi kryesisht të fokusuar te varietetet tona dhe po eksplorojmë përsa i përket varieteteve të reja, Sheshit të Zi dhe Cerruti, që janë dy varietete shumë të mira. Besojmë që shumë shpejt do të dalim dhe me produkte të reja, duke filluar nga 2023”, thekson ai.

Sipërmarrësi Rigers Kaçorri (Twitter )

Sipërmarrësi Rigers Kaçorri (Twitter )

Rigers Kaçorri ndalet edhe tek problemet që shkaktoi pandemia, por është optimist për vlerësimin që po i bën konsumatori shqiptar prodhimeve vendase.


“Sektori që pas pandemisë po has një sërë vështirësish, sepse në 2020 ka pasur një ulje të frikshme të daljeve kryesore të programuara nga ne. Viti 2020 na priti me stoqe shumë të mëdha që u trashëguan dhe në 2021-shin. Po ashtu dhe 2021 ishte i vështirë sepse ishin edhe stoqet e 2020-ës dhe realisht sektori po përballet me vështirësi shumë të mëdha. Por kam besim që produkti vendas po merr vendin e duhur që realisht i takon dhe shqiptarët po konsumojjnë më shumë produkt vendas sesa produkt importi. Këto janë të dhëna statistikore që të paktën nga 2010/2015 dhe sot prodhimi vendas është rritur dhe konsumi për produkt vendas është shtuar dhe shtohet nga viti në vit”, shpjegon Kaçorri.

Jo vetëm gjatë përiudhës së pandemisë, pra kulmit të karantinës, por edhe tani ka efekte negative në këtë sektor. Kjo sipas prodhuesve të verës mund të çojë edhe një rritje të çmimeve në vijim në treg. Qeverisë i bëhët thirrje për politika të vazhdueshme mbështetëse për sektorin e verës.

“Përsa i përket problematikave post-pandemike kemi rritje të çmimeve automatike, janë rritur kostot e lëndëve të para, duke filluar nga transporti që është një ndër problemet më të mëdha që çdo prodhues ka, nga transporti i brendshëm në Shqipëri, por edhe transporti i jashtëm. Janë rritur me mbi 30% edhe për eksportin. Normalisht këto kanë sjellë stopim të eksportit, momental. Por bashkëpunëtorët tanë janë të gatshëm që ne t’i suportojmë dhe të vazhdojë shitja. Ka rritje të kostove të letrës, rritje të kostove të etiketimit, të taksave të ndryshme edhe rajonale, por edhe shtetërore. Besoj që duke filluar nga 2022 do të ketë një rritje të çmimit të verës. Problematika të ndryshme janë pjesa e politikave që ne mendojmë se shteti nga njëra anë po mundohet t’i ndihmojë prodhuesit, por nga ana tjetër nuk po zbatohet pjesa legjislative siç duhet dhe duhet të jetë prezente në të gjithë filierin e vet, jo vetëm në pjesën e një ndihme që mund t’i jepet një herë në 3-4 vjet, por të jetë koherent me të gjithë problematikat që sektori ka.”, sugjeron ai.

Prodhimet e Kantinës Arbëri (webpage kompania)

Prodhimet e Kantinës Arbëri (webpage kompania)

Në përgjithësi viti që kaloi ka qënë i mbarë sa i përket prodhimit të verës në Shqipëri si nga sasia, por edhe cilësia.