Masat garantuese për furnizim

Në prag të Festës së Mesvjeshtës, Ministria e Tregtisë e Kinës u shpreh që do të përpiqet duke marrë katër masa për të garantuar furnizimin e mjaftueshëm dhe funksionimin e qëndrueshëm të tregut, me synim që të plotësohen më mirë kërkesat e konsumatorëve.

Këto masa janë përkatësisht: forcimi i lidhjes mes tregut vendas e ndërmarrjeve dhe garantimi i furnizimit të pandërprerë të mallrave të përdorimit të përditshëm; shtimi i rezervës së mallrave dhe i llojeve të tyre; inkurajimi për nxitjen e konsumit me rastin e festës dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut, me synim që të dihet mirë gjendja e ofertës dhe e kërkesës në treg dhe të bëhen përgatitje për problemet e mundshme.

Disa ditë përpara Festës së Mesvjeshtës, shitësit në supermarkete dhe qendra tregtare kanë filluar të përgatitin një larmi të pasur produktesh, si keku i hënës, frutat e thata, mishi dhe frutat e freskëta. Krahas kësaj, edhe numri i blerësve është shtuar. Si produkt përfaqësues i festës, keku i hënës ka shitje të madhe dhe çmimi i tij vazhdon të qëndrojë në një nivel të përshtatshëm.

Promovime në prag të festës

Në tregjet bujqësore dhe supermarketet kryesore, shitësit kanë shfrytëzuar rastin e festës për të nisur aktivitetet promovuese. Njoftimet e uljes së çmimeve janë vendosur në hyrjet e supermarketeve dhe në vende të tjera të dukshme. Produktet, si keku i hënës, që janë vendosur në vende të dukshme, kanë tërhequr mjaft vëmendjen e konsumatorëve.

Shumë shitës në fakt kanë bërë plane promovimi dy muaj para festës. Në disa qendra tregtare ka një promovim të tillë që, kur blerja arrin në një nivel të caktuar, klientët mund të marrin dhuratë. Krahas kësaj, disa qendra kanë zgjatur kohën e hapjes gjatë periudhës së festës.

Lidhur me çmimin e kekut të hënës, në supermarkete çmimi është i përshtatshëm për qytetarët. Me 100 juanë mund të blihet një kuti me kekë, kurse me blerje në grup, çmimi do të jetë më i ulët. Krahas kësaj, keku i hënës pa kuti parapëlqehet më shumë nga njerëzit. Për katër copë keku me mbushje me vezë, çmimi është rreth 40 juanë, ndërsa çmimi i kekut me mbushje të përzier është vetëm pak më i lartë. Këto lloj produktesh kanë tërhequr mjaft blerës.

Një qytetare, znj. Wang, thotë që para festës mjedisi për blerje është shumë i mirë dhe atmosfera është mjaft aktive, çka ka shtuar dëshirën për konsum. “Me aktivitetet e promovimit para festës, njerëzit mund të bëjnë krahasim dhe të blejnë mallra me çmim të mirë,” thotë Wang.

Shije të reja për festë

Në Kinë, keku i hënës është një ushqim tradicional dhe ngrënia e tij është traditë në këtë festë. Me këtë lloj keku, njerëzit shprehin urime të mira për festën dhe mallin për familjen.

Vitet e fundit të rinjtë gradualisht janë bërë konsumatorë kryesorë dhe shijet tradicionale, si keku me mbushje të përzier, me vezë dhe me pjepër, nuk mund të plotësojnë kërkesat e njerëzve. Të rinjtë adhurojnë më shumë kekët me shije të reja.

Këtë vit janë futur në treg shumë lloje të ndryshme keku hëne. Ndër to ka kekë me shije klasike, shije të reja, si dhe shije “fisnike”. Në një sondazh të bërë në internet mbi kekun e hënës, 45.5 % e të pyeturve u shprehën që dëshirojnë të blejnë dhe të provojnë kek hëne me shije të reja. 45.3 % e tyre thanë që do të presin dhe të shohin si do të reagojnë ata që i kanë provuar. Vetëm 9.2 % u përgjigjën që nuk u pëlqejnë kekët me shije të reja.

(Jiang Lei)