Shumë vende të botës kanë nisur të ndjekin një model të ri të javës standarde të punës, për të ulur orët e punës, duke synuar mirëqenien e punonjësve dhe rritjen e produktivitetit të biznesit. Të punohet më pak, të punohet më mirë. Kjo është motoja që po ndiqet nga Islanda në Spanjë, nga Skocia në SHBA, të cilat po studiojnë javën e shkurtër të punës.

Java e shkurtër e punës diskutohet në disa vende të botës

Java e shkurtër e punës diskutohet në disa vende të botës

Debati është i hapur por nuk ka asnjë recetë që vlen për të gjitha vendet dhe të gjithë sektorët. Pika universale e fiksuar është nevoja për të rishpërndarë punën në mënyrë të barabartë. Prandaj, po kërkohet rruga për të zvogëluar aspektet negative të punës dhe për të përhapur ato pozitive.

Reduktimi i orëve të punës do të thotë kohë më e lirë. Por ulja duhet të bëhet me të njëjtën pagë, vetëm në këtë mënyrë, pabarazia, një temë tepër e ndjeshme në kohët e sotme, mund të sulmohet që në bërthamë. Giorgio Maran, ekspert i ekonomisë dhe autor i esesë “Koha nuk është para”, deklaroi për “Huffington Post”, se java me katër ditë pune është urgjente dhe e nevojshme.

Vendi i fundit që i është bashkuar këtij studimi është është Skocia. Debati në këtë vend u ndez pasi qeveria skoceze njoftoi në prill synimin për të ndarë 10 milionë paund për të financuar gjykimet në kompani. Për të dhënë një nxitje për zbatimin e projektit qeveritar tani mund të jetë një sondazh i kryer nga Instituti për Kërkimin e Politikave Publike (Ippr), në një test prej mbi 2000 punonjësish.

Rezultatet, në fakt, janë shumë inkurajuese. Për 80% të të anketuarve, zvogëlimi i numrit të ditëve të punës, pa shkurtime të pagave, favorizon mirëqenien individuale, ndërsa 88% e të intervistuarve do të ishin të gatshëm të merrnin pjesë në projekte të tilla pilot.

Për më tepër, rreth dy në tre punonjës janë të bindur se ndryshimi mund të ketë një efekt të dobishëm në produktivitetin e vendit.

Opsioni i diskutueshëm për javën me katër ditë pune

Opsioni i diskutueshëm për javën me katër ditë pune

Instituti për Kërkime të Politikave Publike propozon zgjerimin e programit pilot në një gamë të gjerë sektorësh, edhe për ata që nuk e përfshijnë punësimin në zyrë, ku kalimi në një javë pune do të ishte më i vështirë. "Synimi nuk është të punosh më shumë ose të punosh më shpejt. Reduktimi i orëve të punës për të njëjtën pagë, edhe në sektorët industrial dhe prodhues, mund t'i shtyjë kompanitë të investojnë në teknologji, duke i bërë ato më konkurruese pa ngarkuar punonjësit", -tha Maran.

Sipas ekspertëve, projekti skocez duhet të mbështesë të gjitha kompanitë në të gjithë sektorët, të gatshëm të përjetojnë një ulje prej 20% të orëve mesatare të punës për rreth 20.000 punëtorë në një periudhë trevjeçare. Për ta, vetëm falë një testi të këtillë, do të ishte e mundur të vlerësohej ndikimi i ndryshimit. Perspektiva e nxjerrë nga IPPR-ja kujton eksperimentin e kryer në Islandë midis viteve 2015 dhe 2019, duke përfshirë 2500 punonjës në kryeqytetin Rejkjavík, të cilët kishin shkuar nga 40 orë në javë në jo më shumë se 35/36 orë, pa shkurtime të pagave.

Rezultatet e testit islandez u publikuan qershorin e kaluar dhe zbuluan se produktiviteti i punonjësve të përfshirë, punonjës në zyrat qeveritare, shërbimet sociale, kopshtet dhe spitalet, mbeti konstant ose madje u rrit. Për drejtorin e kërkimit të kompanisë “Autonomy”, i cili analizoi rezultatet së bashku me Shoqatën për Qëndrueshmëri dhe Demokraci, studimi ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Falë zvogëlimit të orëve të punës, punonjësit islandezë gjithashtu deklaruan se ndihen më pak të stresuar, duke parë që rreziku për stresin u ul dhe balanca midis kohës së kaluar në punë dhe asaj kushtuar jetës private u përmirësua.

Duke folur për eksperimentin e kryer në Islandë, Giorgio Maran thotë: "Është e qartë se produktiviteti nuk varet nga sa punojmë, por nga ajo që bëjmë dhe si e bëjmë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për punën në zyrë. Merrni, për shembull, njerëzit e përfshirë në kujdesin personal. Gjatë emergjencës së koronavirusit, ne kemi parë punonjës të kujdesit shëndetësor të përballen me ngarkesa të mëdha pune dhe ndërrime të pafundme. Nuk mund të jetë normale. Edhe në këto zona, ulja e orëve të punës për të njëjtën pagë do të bënte të mundur në këmbim marrjen e një shërbimi më të mirë për qytetarin”.

Por si të kompensohet zvogëlimi i orëve? Sipas ekspertit, numri i njerëzve të punësuar mund të rritet. "Marrëdhënia midis zvogëlimit të orëve dhe shkallës së punësimit është e qartë. Financat publike do të përfitonin gjithashtu nga ulja e papunësisë, e cila duhet të shkaktojë shpenzime më të ulëta sociale. Për mos të përmendur përfitimet nga kërkesa e brendshme", -tha Maran.

"Zvogëlimi i orëve të punës nuk është një kërkesë ekskluzivisht sindikale, por një domosdoshmëri. Ajo ka potencialin për të transformuar plotësisht shoqërinë tonë", -theksoi Maran, duke shtuar se regjime të tilla pune na lejojnë të kombinojmë kërkesat e të drejtës sociale me ato nga ata që duan më shumë kohë për familjen dhe kohën e lirë.

Një grup pune gjatë një mbledhjeje

Një grup pune gjatë një mbledhjeje

Qëllimi është të lëmë vend për aspekte që nuk dominohen nga ekonomia dhe që nuk i përgjigjen logjikës së tregut dhe parasë. Kësaj duhet t'i shtohet përfitimi në aspektin mjedisor. Java e shkurtër e punës përfshin reduktimin e udhëtimeve nga shtëpia në punë, radhët, ngrohjen dhe ndriçimin në shumë vende pune.

Skocia dhe Islanda nuk janë raste të izoluara. Zgjidhjet janë duke u studiuar dhe testuar në Evropë dhe botë. Aktualisht disa kompani në Spanjë po testojnë uljen e një dite ose disa orëve në javën e punës, por jo të gjitha për të njëjtën pagë. Ministria e Industrisë po vlerëson një projekt pilot prej 50 milionë eurosh për të ndihmuar bizneset të zvogëlojnë orët e punës pa ndikuar te pagat.

Kompania “Kickstarter”, një platformë “crowdfunding” me seli në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se do të provojë modelin 4-ditor në vitin 2022. Në të kaluarën e afërt, në shumë vende të tjera, eksperimente janë kryer nga kompani private. Kjo ka ndodhur me “Unilever” në Zelandën e Re, me “Toyota” në Suedi dhe me “Microsoft” në Japoni. Në janar, rrjeti ndërkombëtar “Awin” krijoi Javën Katërditore për të gjithë punonjësit e tij në të gjithë botën.

“Në këtë mënyrë, punonjësit punojnë pa u ngacmuar vazhdimisht nga kontrollet e jashtme, duke arritur rezultate më cilësore. Tani ata janë edhe më të motivuar dhe ekipi është më koherent. Puna e tepërt është pjesë e një logjike të vjetëruar. Nuk do të thotë se të punosh më shumë nënkupton domosdoshmërisht një cilësi më të lartë të punës”, -deklaroi William Griffini, administrator i përgjithshëm i “Carter & Benson”.

Përgatiti: Irma Paloli