“E-Albania”, ofron me qindra shërbime online pa pagesë 24 orë në 24 për qytetarët, duke i bërë efikase shërbimet.

Përdorimi i e -Albania nga qytetarët (MASR)

Përdorimi i e -Albania nga qytetarët (MASR)

Në raportin e OKB-së, Shqipëria renditet e 59-ta në botë, nga 193 shtete të vlerësuara për shërbimet që ofrohen online. Shërbimi i shkarkimit të dokumenteve publike shoqëruese online përmes platformës e-Albania përdoret gjerësisht nga qytetarët dhe bizneset. Madje sipas renditjes në raportin e OKB-së, Shqipëria është me pikë të barabarta me Kanadanë, ndërsa lë pas shtete të mëdha si Italinë, Gjermaninë dhe Zvicrën.

Digjitalizimi i shërbimeve publike konsiderohet si një ndër përparësitë më të rëndësishme të dekadës nga OKB, sepse përbën armën më të mirë për të reduktuar korrupsionin, për të shkurtuar burokracitë, duke i dhënë kështu një nxitje të rëndësishme rritjes ekonomike.

Portali e-Albania

Portali e-Albania

Me mikrofonin tone kemi mbledhur opinione të qytetarëve në kryeqytet lidhur me përdorimin e portalit e-Albania. Për ta ky portal është mjaft I dobishëm, sepse shkurton burokracitë dhe radhët në institucione.

Një qytetare thotë “E përdor e-Albania për të nxjerrë dokumente të ndryshme, certifikata familjare e të tjera. Për të shmangur radhët nëpër njësitë bashkiake i printojmë dokumentet nga e-Albania”

Përdorimi i portalit nuk është kaq i kufizuar. Në situatën aktuale të pandemisë shumë qytetarë marrin nëpërmjet portalit e-Albania dhe certifikatën e vaksinimit.

“E përdor aplikacionin vazhdimisht për dokumente që më duhe, certifikata të ndryshme apo sigurimet shoqërore. Çdo gjë që është nëpërmjet e-Albania me vulë elektronike e marim nëpërmjet portalit. Lidhur me certifikatën e vaksinimit e shoh vazhdimisht, pasi sapo kam bërë dozen e dytë të vaksinës dhe më duhet të pres përditësimin që të marr certifikatën e plotësuar me të dyja dozat”

Nëse nuk je rezident në Tiranë, por punon këtu portali e-Albania ofron mundësinë e marrjes së çdo lloj dokumenti që i nevojitet qytetarëve apo bizneseve, pa shkuar në vendlindje. Këtë na e thotë një qytetar.

“E përdor aplikacionin. Me thënë të drejtën kam filluar ta përdor më shumë gjatë kohës së mbylljes në pandemi dhe na duhej leja e daljes. E përdor për certifikata dhe dokumente të tjera që na nevojiten Eshtë e aksesueshme dhe të mbledhura në një vend na vlejnë shumë. Shkarkojmë direkt dokumentet dhe nuk kemi pse shkojmë në qytetin e lindjes për to. Unë nuk jam nga Tirana dhe në të kundërt do të më duhej të shkoja në vendlindje për një dokument. Kjo ta lehtëson punën”

Portali qeveritar e-Albania (YouTube)

Portali qeveritar e-Albania (YouTube)

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj bëri të ditur këto ditë se 11 milionë dokumente shoqëruese janë dhënë për qytetarët falë platformës duke kursyer kohë dhe para për ta.

“324 vite janë kursyer në radha falë kësaj pune të bërë nga punonjësit e trajnuar të administratës. Me dhjetëra dokumente nuk kërkohen më në zyrat e shtetit sepse administrata bën detyrën”, ka shkruar Karçanaj në facebook.

Sipas saj, viti 2020, i cilësuar ndryshe si viti i revolucionit digjital, pasi rreth 95% e shërbimeve publike sot janë elektronike, solli me vete një ndryshim rrënjësor: Sigurimin e dokumenteve shoqëruese gjatë aplikimit nga vetë punonjësit e administratës publike, duke regjistruar një rekord të ri.

Aktualisht në portalin e-Albania ofrohen 1208 shërbime publike online, nga të cilat 48 dokumente me vulë elektronike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në një njoftim zyrtar garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale.

Rreth portalit

Portali unik qeveritar shumëfunksional e-albania.al administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Portali qeveritar e-Albania është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike. Vizioni i portalit e-Albania është të shndërrohet në kanalin kryesor për marrjen e shërbimeve online të administratës publike

Çfarë ofron e-Albania

-e-Albania është një zyrë me një ndalesë për shërbimet online të administratës publike;

-është një kanal online për ofrimin e shërbimeve publike në 24 orë në 7 ditë të javës;

-ofron shërbime elektronike nëpërmjet standardeve më të fundit të teknologjisë, mundësi për kryerjen e pagesave online për këto shërbime nëpërmjet kartave të debitit dhe kreditit;

-ofron shërbime elektronike ku çdo i interesuar të marrë informacion të detajuar në lidhje me shërbimet për publikun, (licenca, leje, autorizime, dokumente të pajisura me vulë digjitale, certifikata apo shërbime të tjera të ngjashme).

-ofron mundësi komunikimi për çdo paqartësi, pyetje apo problem mbi regjistrimin, shërbimet e ofruara në portal, përmes forumit të portalit, postës elektronike, komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale;

Përdoruesit e portalit

Janë të gjithë qytetarët shqiptarë; bizneset e regjistruara në Republikën e Shqipërisë, punonjësit e administratës publike në active directory si dhe vizitorët e portalit.

Agjencia e OKB-së OECD në raportin mbi ndryshimet 10-vjeçare në Ballkanin Perëndimor e renditi Shqipërinë si vendin më të përparuar në fushën e digjitalizimit.

Sa i përket Qeverisjes Digjitale, Shqipëria renditet më e vlerësuara nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke plotësuar pozitivisht numrin më të madh të treguesve.

Gjithashtu vlerësohet fakti që Shqipëria publikon në mënyre periodike statistika të qeverisjes elektronike, përfshirë numrin e përdoruesve të regjistruar, përdorimin e shërbimeve nga qytetarët dhe bizneset etj.

Portali unik qeveritar shumëfunksional e-Albania.al, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.

Eda Merepeza