Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së të zhvilluar në fund të korrikut, u analizua gjendja ekonomike dhe u planifikuan punët ekonomike për gjashtëmujorin e 2-të të vitit 2021.

Përballë gjendjes së ndërlikuar, kjo mbledhje ka lëshuar një sinjal të rëndësishëm politikash. Në fazën e ardhshme, Kina do të vazhdojë parimin e punës për zhvillim të qëndrueshëm, për zbatimin e konceptit të ri të zhvillimit dhe për thellimin e reformave strukturore nga fusha e ofertës, me synim që të shpejtohet formimi i modelit të ri të zhvillimit dhe të realizohet zhvillimi me cilësi të lartë.

Në këtë mbledhje u vu në dukje që duhet të bëhen mirë rregullimet në fushën e makropolitikave ekonomike, të ruhen qëndrueshmëria e vazhdueshmëria e makropolitikave dhe të integrohen mirë makropolitikat për sivjet dhe për vitin tjetër, për të ruajtur funksionimin e ekonomisë në një sferë të arsyeshme.

Në këtë mbledhje u theksua që duhet të eksplorohet potenciali i tregut të brendshëm, të shpejtohet zhvillimi i sektorit të automjeteve me energji të reja dhe të formohet sa më parë sistemi i tregtisë elektronike dhe sistemi logjistik. Ndërkohë, u kërkua që të forcohet inovacioni teknologjik dhe elasticiteti i zinxhirit industrial dhe të ofrohet më shumë mbështetje për ndërmarrjet e vogla e të mesme “profesionale, mjeshtërore, të specializuara dhe inovative”, për të shtuar gjallërinë e tregut.

Ekspertët analizojnë që epidemia globale ende po vazhdon me variante të ndryshme të koronavirusit, mjedisi ndërkombëtar është më i ndërlikuar dhe mëkëmbja e ekonomisë së brendshme duhet të konsolidohet më tej, ndërsa hovi i rritjes së brendshme është i dobët. Prandaj, duhet të thellohen reformat strukturore në fushën e ofertës dhe të zbatohet koncepti i ri i zhvillimit në mënyrë të plotë, të saktë dhe të gjithanshme, për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë dhe të qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare.

Studiuesi i Departamentit të Makroekonomisë pranë Qendrës Studimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit të Kinës, Zhang Liqun, thotë: “Tani gjendja e përgjithshme dhe detyrat janë në fazën e ndryshimit. Po kalojmë nga përballimi i epidemisë e mëkëmbja ekonomike në formimin e modelit të ri të zhvillimit dhe nisjen e ciklit të ri të rritjes ekonomike.”

Zv.drejtori i Qendrës së Studimeve Makroekonomike të Universitetit të Xiamen-it Lin Zhiyuan u shpreh që reformat strukturore në fushën e ofertës duhet të nisen nga rritja e cilësisë së ofertës, nxitja e rregullimit strukturor nëpërmjet reformave, ndreqja e shpërndarjes së shtrembëruar të faktorëve prodhues dhe shtimi i ofertës efektive.

Lin është i mendimit që tani, për përmirësimin e mjedisit të biznesit, duhet të thellohet reforma “lehtësim i administrimit, përmirësim i shërbimeve” dhe të nxitet konkurrenca e ndershme. Ndërkohë, do të orientohen kapitalet të futen në prodhimin me cilësi të lartë, energjitë e reja, materialet e reja, gjysmëpërçuesit, biofarmaceutika, sektori hapësinor dhe inteligjenca artificiale. Krahas kësaj, do të forcohet arsimi profesional dhe do të përgatiten më shumë talente për ekonominë reale. “Ekonomia duhet të kalojë në shinat e zhvillimit cilësor me risi tekniko-shkencore dhe grumbullim të kapitalit njerëzor,” vë në dukje Lin Zhiyuan.

Drejtori i Departamentit të Studimeve për Industritë e Reja në Institutin e Ekonomisë Industriale pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Yang Danhui u shpreh që, për thellimin e reformave dhe për shpejtimin e formimit të modelit të ri të zhvillimit, duhet të nxitet me fuqi të plotë inovacioni tekniko-shkencor, veçanërisht në sektorët strategjikë dhe me perspektivë të mirë, si ekonomia digjitale, shëndetësia e materialet e reja, ku mund të formohen pikat e reja të rritjes ekonomike dhe energjitë e reja të zhvillimit.

Yang shton që reforma strukturore në fushën e ofertës dhe menaxhimi në fushën e kërkesës kanë lidhje të ngushtë dhe mbështesin njëri-tjetrin. “Për nxitjen e sektorëve të rinj, ndërmarrjet kanë hapësirë të madhe. Ne duhet të nxitim përdorimin e teknologjive të reja, që nga frytet e industrializimit të ketë përfitime edhe në fushën e konsumit dhe konsumatorët të marrin më shumë shërbime të mira. Reformat në fushën e ofertës duhet t’i shërbejnë objektivit të Kinës për pakësimin e lëshimit të karbonit dhe duhet të nxisin konsumin e gjelbër dhe rritjen e konsumit,” mendon Yang Danhui.

Ndërsa Zhang Liqun vuri në dukje që tani kërkesa, sidomos ajo e brendshme, nuk është e mjaftueshme dhe kjo ka kufizuar në njëfarë shkalle funksionimin ekonomik. Ndërkohë, mjedisi i jashtëm është i paqëndrueshëm dhe i paqartë. Prandaj, eksportet e Kinës përballojnë rreziqe dhe sfida në rritje.

Zhang Liqun vuri në dukje që duhet të konkretizohet strategjia për zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe të çlirohet sa më parë potenciali i tregut gjigant të brendshëm. Sipas tij, e rëndësishmja është që të forcohet roli nxitës i investimeve qeveritare në këtë drejtim. Investimet duhet të integrohen ngushtë me procesin e urbanizimit të ri, të ngrihet niveli i zhvillimit të grupeve të qyteteve, urbanizimi e industrializimi i ri dhe informatizimi i nxitur nga ky proces. Kështu do të rritet niveli i porosive për ndërmarrjet dhe do të përmirësohen pritshmëritë e ndërmarrjeve. Kjo do të stimulojë investimet nga ndërmarrjet, rritjen e punësimit e të të ardhurave dhe shtimin e konsumit. (Jiang Lei)