Nga 7 deri më 10 maj në qytetin Haikou të provincës Hainan të Kinës Jugore do të zhvillohet Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Mallrave të Konsumit e Kinës. Tani në Hainan kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe gjithnjë e më shumë turistët, banorët dhe ndërmarrjet kanë besim të plotë për zhvillimin e Portit të Tregtisë së Lirë të këtij rajoni.

“Këta dy vjet Hainan-i ka pasur zhvillim të mirë dhe me trenat urbanë, mund të udhëtojmë me lehtësi,” thotë një turiste që po shkonte për në Sanya, një qytet i njohur turistik i provincës Hainan. Sipas saj, para shumë vjetësh, kur shkoi për herë të parë në Haikou, kryeqendra e Hainan-it, nuk kishte një sistem kaq të volitshëm transporti, po kohët e fundit njerëzit thonë që në Hainan ka pasur ndryshime të mëdha. "Është e vërtetë!," pohon turistja.

Edhe Gu, drejtues taksie, ka qenë dëshmitar i ndryshimeve në Hainan. Ai thotë: “Shiko, atje ka qenë një fshat peshkatarësh, dhe tani është shfrytëzuar si pjesë e portit. Peshkatarët nuk peshkojnë më, por kanë filluar të bëjnë biznes ose të punojnë në sektorin e shërbimeve.”

Si një destinacion kryesor turistik, Hainan-i ka marrë masa për kontrollin epidemik dhe rifillimin e punës e të prodhimit, duke shpallur politika të ndryshme për të garantuar mëkëmbjen e ekonomisë turistike. Tregtia e mallrave pa taksa doganore ka tërhequr shumë turistë. Në vitin 2020 Hainan-i priti 65 milionë turistë vendës e të huaj, duke pasur të ardhura me vlerë prej 86 miliardë juanësh. Hainan-i renditet në vendet e para në Kinë për sa i përket mëkëmbjes së turizmit.

“Tani në Hainan është në rritje jo vetëm numri i turistëve, por edhe i investitorëve,” thotë presidenti i grupit turistik kulturor "Fuxing" Qian Jiannong.

Të dhënat tregojnë që, qysh nga tremujori i parë i këtij viti, në Hainan kanë nisur dy grupe projektesh për ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë dhe vëllimi i përgjithshëm i investimeve i ka kaluar 70 miliardë juanët, duke përfshirë industrinë, infrastrukturën dhe shërbimet publike.

Ndërkohë, epërsia e sistemit të tregtisë së lirë ka tërhequr shumë investime nga ndërmarrjet.

Në mars, grupi "Greenland" nënshkroi marrëveshje me komitetin administrativ të zonës së zhvillimit ekonomik Yangpu të Hainan-it, duke synuar të krijojë një zinxhir furnizimi të bazuar te teknologjia inteligjente.

Krahas kësaj, "Greenland" ka bashkëpunuar me grupin brazilian "Minerva", që është një gjigant në prodhimin dhe shitjen e mishit të gjedhit në botë, me synim që të shfrytëzojë zinxhirin global të furnizimit të kësaj kompanie, për t'u bërë importuesja më e madhe e mishit të viçit në Kinë, duke pasur si qendër kryesore të shpërndarjes Hainan-in, dhe për të krijuar markën e vet në këtë sektor.

Presidenti i grupit "Greenland" Zhang Yuliang u shpreh që, në vitin e parë të planit të 14-të 5-vjeçar, me strategjinë thelbësore të “zgjerimit të përmasave të konsumit”, "Greenland" do të eksplorojë dhe do të zhvillojë me fuqi të madhe modelin e ri të tregtisë së jashtme dhe do të zgjerojë sa më shpejt përmasat e sektorit të konsumit.

Që prej 1 qershorit 2020, kur u publikua plani i përgjithshëm për ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it, kjo provincë e Kinës Jugore ka tërhequr vëmendjen e botës dhe banorët e saj i kanë kushtuar vëmendje të madhe politikave të reja.

“Jemi shumë të interesuar për politikat e Portit të Tregtisë së Lirë. Pas publikimit të politikave, është rritur në mënyrë të dukshme numri i turistëve. Brezi i ardhshëm, si fëmijët e mi, do të ketë më shumë raste punësimi,” shprehet një drejtues taksie në Haikou.

Tani ekonomia e re është bërë motori i ri i rritjes ekonomike të Hainan-it. Gjatë planit të 13-të 5-vjeçar, Hainan-i shënoi mbi 10 % rritje vjetore në sektorin e internetit dhe industrinë farmaceutike, shërbimet për ekspozita dhe arsim, duke i dhënë një hov të fuqishëm zhvillimit ekonomik. Sektori i shëndetësisë ka shënuar rritje vjetore 9.9 % në vit, ndërsa logjistika moderne 8.8 %. Këto shifra janë më të larta se rritja mesatare e GDP-së së rajonit.

Më 2021-i Hainan-i do të zbatojë në mënyrë të gjithanshme 30 masat për lulëzimin e sektorit turistik dhe do të synojë një rritje 30 % të të ardhurave turistike. Krahas kësaj, Hainan-i do të përpiqet të nxitë nivelin e prodhimit të sektorit të teknologjisë së re dhe të lartë t'i kalojë 200 miliardë juanët dhe të ngrejë në 1100 numrin e ndërmarrjeve të këtij sektori, të nxitë 30 % rritje në ekonominë digjitale dhe të vërë në përdorim kanalin e posaçëm për internetin ndërkombëtar. (Jiang Lei)