Kreditimi i ekonomisë ka ecur me ritëm të ngadaltë edhe në muajin shkurt 2021. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re kishte vlerën e 14.4 miliardë lekëve, në rënie me 25% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar. Edhe bilanci i dymujorit 2020 ngelet në rënie, me një vlerë kredie prej 25.8 miliardë lekësh, 21% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Pas një ecurie përgjithësisht të mirë në gjysmën e dytë të vitit 2020, këtë vit kredia e re po shfaqet më e frenuar, por duke pasur parasysh se krahasimi vjetor ndërtohet me një periudhë kur ekonomia ende nuk ishte prekur nga efektet e krizës. Rënia e kredisë së re gjatë këtyre dy muajve ka ardhur kryesisht për shkak të volumeve më të ulëta në segmentin e biznesit, ndërsa për individët kreditimi ngelet i qëndrueshëm, në vlera të ngjashme me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, kredia e re, sidomos për bizneset përfshin edhe rifinancimet apo shitjet e kredive mes bankave të ndryshme, ndaj jo gjithmonë ajo jep një ide të qartë të flukseve të reja të financimit që hyjnë në ekonomi.

Në fakt, pavarësisht rënies së kredisë së re, për muajin shkurt teprica e kredisë për ekonominë u rrit krahasuar me Janarin. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli kishte vlerën e 608.1 miliardë lekëve, në rritje mujore me 1.8 miliardë lekë. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë ngelet në rritje vjetore pozitive, me rreth 5.1% më shumë, por me ritme të ngadalësuara krahasuar me muajin e kaluar.

Në terma të tepricës së kredisë, gjatë Shkurtit portofoli u zgjerua si për ndërmarrjet private, ashtu edhe për individët. Një rënie u shënua vetëm në segmentin e kredisë për kompanitë publike dhe për korporatat e tjera financiare.

Po ta krahasojmë vlerën e portofolit krahasuar me një vit më parë, në segmentin e individëve rritja është në nivelin 6.1%, ndërsa për bizneset private 8.6%. Ndikim negativ japin sidomos kreditë për kompanitë publike, që pothuajse janë përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Në analizën e fundit, Banka e Shqipërisë ngelet sidoqoftë optimiste për ecurinë e kreditimit të ekonomisë. Pas mbledhjes së fundit të këshillit të Mbikëqyrjes, javën e kaluar, Guvernatori i BSH-së Gent Sejko tha se kushtet monetare stimuluese kanë mbështetur rritjen e kredisë bankare, e cila ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe kompanitë shqiptare. Sipas tij, vëllimi i kredisë bankare vetëm për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.1% në muajin shkurt.

Zgjerimi i kredisë ka qenë relativisht i balancuar, në drejtim të strukturës së monedhave, në drejtim të përfituesve biznese apo individë, si dhe në drejtim të destinacionit për financimin e investimeve apo mbulimin e kapitalit qarkullues. Guvernatori nënvizoi se sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vazhdojnë të vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë, që tashmë përbën gjysmën e portofolit total të kredisë për ekonominë.

Sipas të dhënave të BSH-së, kreditimi i biznesit e ka nisur vitin 2021 me hap të ngadaltë.

Sipërmarrjet private në Shqipëri për dy muajt e parë të këtij viti kanë marrë 15.8 miliardë lekë, ose rreth 128 milionë euro hua në sektorin financiar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, biznesi ka përfituar rreth 33% më pak kredi të re.

Kreditimi paraqitet në rënie për shumicën e sektorëve me peshë në portofolin e sektorit bankar. Degët me rënien më të madhe të kredisë janë energjetika dhe transporti me 77%, bujqësia me 68% dhe tregtia me 44%. Për sektorin e ndërtimit, rënia e kreditimit është disi më e kufizuar, me 15% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kreditimi i biznesit shfaqi një ecuri të mirë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, i mbështetur nga linjat e garancisë sovrane dhe nga një ofertë e kënaqshme e sektorit bankar, pavarësisht krizës.

Kjo qasje u ndihmua nga masat e përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, por edhe nga gjykimi se efektet e krizës do të ishin të përkohshme dhe se aktiviteti ekonomik do të përmirësohej duke filluar që nga ky vit. Pjesërisht, ky parashikim gjeti konfirmim edhe në shifrat e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e katërt 2020, që sollën kthim të rritjes ekonomike pas katër tremujorësh radhazi në rënie.

Në fund të muajit shkurt, kredia për ndërmarrjet private kishte vlerën e 370.6 miliardë lekëve ose rreth 61% të portofolit total të kredisë për ekonominë. Ecuria e mirë e vitit të kaluar ka bërë që kredia për biznesin të fitojë ritme vjetore të rritjes më të larta se portofoli i individëve, me 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndër sektorët me peshë domethënëse në kreditim, zmadhimin më të madh të portofolit e ka shfaqur sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 43%. Pavarësisht se degët e lidhura me turizmin ka qenë ndër më të prekurat nga kriza, duket se sektori bankar ka vijuar t’i mbështesë me kredi këto aktivitete, për të mbështetur një rimëkëmbje të pritshme të tyre në periudhën pas pandemisë.

Ndërsa kredia e dhënë nga institucionet mikrofinanciare në fund të vitit 2020 kishte vlerën e 38.2 miliardë lekëve, në rënie me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Kjo është hera e parë që prej vitit 2015 që portofoli i kredisë dhënë nga institucionet financiare jobanka e mbyll vitin me rënie.

Kreditimi nga institucionet financiare jobanka nisi rritje të shpejtë sidomos nga fillimi i vitit 2017. Që nga fillimi i vitit 2017 deri në fund të vitit 2020, portofoli i kredisë për mikrobiznesin u zgjerua me rreth 82%. Por, pandemia e Covid-19 solli menjëherë një ndikim të rëndësishëm në këtë segment të tregut financiar.

Duke pasur si klientelë atë grup ku goditja e krizës ishte më e ndjeshme dhe më e shpejtë, besohet se mikrofinanca vuajti më shumë edhe nga rënia e kërkesës. Të dhënat e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare tregonin për një rënie të numrit të kredive konsumatore me afërsisht 40% gjatë vitit 2020. Ndërkohë pritet që projekti i Bankës së Shqipërisë për të vendosur një normë tavan interesi për kreditë konsumatore mund ta vështirësojë aktivitetin për disa prej institucioneve financiare jobanka, sidomos ato të fokusuara në segmentin e mikrokredisë konsumatore.

Etleva Xhajanka