Syri i Kaltër, një fenomen natyral që ende nuk ka gjetur një shpjegim të vërtetë, mund të shihet në mes të pyjeve pak kilometra nga Saranda në Shqipëri.

Syri i Kaltër në Shqipëri, është një nga ato peizazhe tepër të rralla natyrore, që duhet parë për ta besuar që ekziston, për vetë miklimin e ngjyrave të veçanta që merr, nga burimit natyror që ndodhet aty.

Ai është një burim karstik vertikal, të paktën 50 metra i thellë, sepse vetëm aq është thellësia më e madhe deri ku kanë shkuar zhytësit.

Syri i kaltër është pjesa fillestare e burimit të lumit Bistricë, 25 kilometra i gjatë i cili përfundon në Detin Jon në jug të Sarandës. Ndërsa sipërfaqja e zonës është më e vogël se dy kilometra katrorë dhe gjendet, e fshehur në mes të gjelbër të pyllit të kuq.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura synon që të kthejë Syrin e Kaltër, një nga atraksionet turistike më të bukura të Jugut të Shqipërisë, në një destinacion ekoturistik, përmes një projekti që, së pari do të përqendrohet në infrastrukturën për të aksesuar parkun .

Projekti parashikon të rrisë diversifikimin turistik të zonës, që të luajë një rol qendror në rritjen ekonomike të vendit.

Disa nga elementët e këtij projekti nisin me rikonstruksionin e rrugës ekzistuese nga degëzimi i rrugës nacionale Gjirokastër – Sarandë deri te diga, ku është vendosur pika e kontrollit dhe biletaria për të hyrë në park.

Kjo ndërhyrje parashikon rikonstruksionin e rrugës ekzistuese me gjerësi 6 metra duke përmirësuar nënshtresat e saj si dhe riveshjen me tapet asfaltobetoni. Rikonstruksioni i rrugës së brendshme ekzistuese të Parkut do të kryhet, duke përmirësuar dhe duke riparuar nënshtresat e tabanit të rrugës dhe duke vendosur tombino në vendet ku ka nevojë për shkak të vijave të ujit që e përshkojnë atë.

Në krah të korsisë së automjeteve do të jetë korsia e biçikletave dhe ajo e këmbësoreve, por nuk do të mungojë edhe korsia e vrapimit.

Një tjetër element ku do të ndërhyhet është ai për rikonstruksionin e disa pasarelave ekzistuese në brendësi të parkut për t’i kthyer ato të përdorshme nga vizitorët.

Ndërhyrja konsiston kryesisht në zëvendësimin dhe përforcimin e elementeve metalike të tyre si dhe zevendësimin e dyshemesë me dërrasa në vendet ku është dëmtuar.

Gjithashtu pjesë e këtij projekti të ri, është edhe ndërtimi i disa “belvedereve”, ku e para do të jetë në afërsi të burimit të Syrit të kaltër, që konsiston në krijimin e një platforme me strukturë mbajtëse metalike të veshur me dysheme druri dhe parmakë xhami, nga ku vizitorët do të mund të shijojnë bukuritë e burimit të Syrit të Kaltër.

Tre “belvedere” të tjera me strukturë druri në tre pika të përshtatshme përgjatë shtigjeve që do të hapen, synojnë krijimin e mundësisë së shëtitjeve këmbësore të vizitoreve.

Për zbatimin e projektit është vënë në dispozicion një fond prej 108 milionë lekë.

Projekti është pjesë e Planit të Menaxhimit të zonave të mbrojtura ku “Syri i kaltër”, përfshihet këtu me krijimin e aktiviteteve të mundshme të turizmit, por që nuk shkaktojnë dëm në integritetin e zonës së mbrojtur, apo do të lejojë shërbime të freskimit për turistët, por që nuk prekin vlerat natyrale.

Nga ana tjetër ndihmojnë në zhvillimin e turizmit multidimensional.

Çdo vit sipas të dhënave zyrtare Syrin e Kaltër e vizitojnë në sezonin turistik veror mbi 100 mijë vizitorë. Zbatimi i projekteve eco-turistike pritet që të sjellë një vlerë të shtuar për këtë zonë.

Etleva Xhajanka