Uji i Ftohtë në Tepelenë, në jug të Shqipërisë, nuk është vetëm një atraksion turistik dhe pikë e njohur nga gjithkush që i bie rruga kësaj ane, por edhe një aset i traditës, që u shërben edhe sot e kësaj dite banorëve të zonës për të bluar drithra dhe ushqim për blegtorinë.

Në Tepelenë ka edhe të tjera pika që vizitorët me ambicie që “gjurmojnë” mrekullitë historike, ekoturistike e arkeologjike të jugut të Shqipërisë, mund t’i prekin lehtë për të marrë ndjesi të pashlyera.

Tashmë në guidat e Tepelenës, janë shtuar të tjera pika të vizitueshme, siç janë sarajet e dikurshme të Aliut ku priti Lord Bajronin, para se ky i fundit të rrugëtonte për Janinë.

Apo Kalaja e Tepelenës, ku turistët mund të shkojë një çap më tej, buzë lumit të kristaltë të Bënçës, tatëpjetë Veliqotit për të parë një tjetër kuriozitet, siç është Mulliri i kohës së Pashait, që vazhdon të bluajë si 200 vite më parë.

Duke hyrë në mjediset e Mullirit me dy kate, ti sheh si punon mokër e vjetër që miellzon si me magji grurin e këtyre anëve. Pastaj sheh vijën e ujit apo jazin e Mullirit me ujin kristal që vjen prej kanioneve të Bënçës për të rënë me presion te qilimat e velencat e leshit të punuara në tezgjah nga duart e labëreshave të kësaj treve dhe për të marrë sërish ngjyrat e mrekullueshme të ylberit.

Mulliri me ujë u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena për t`u ardhur në ndihmë banorëve. Edhe gjatë regjimit komunist mulliri u përdor nga ish kooperativa.

Vitet e fundit, ata që e mirëmbajnë Mullirin e lashtë janë familja e të paharruarit mjeshtër, Lefter Bleta. Ai thotë se e bleu mullirin në gjendje të keqe, por e restauroi atë dhe vazhdon ta mbajë në këmbë me sakrificë të madhe.

Atë e bir, kanë përcjellë artin e mirëmbajtjes së mullirit me dërstilë. Ata e privatizuan mullirin pas viteve 90’ dhe sot punojnë me të. Falë investimit që kanë kryer dhe mbështetjen e një fondi nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), mulliri i vjetër vijon të punojë me kapacitet të plotë.

Lefteri kishte duar të arta dhe e punonte drurin duke i dhënë shpirt e bukuri të beftë. Tani, këtë traditë e vijon i biri, Ermali që nuk i ka lënë gjë mangut talentit të të atit, po edhe zonja Bleta, nëna e tij.

Shumë vite më parë të tregojnë se mullirin e lashtë e kanë mirëmbajtur të tjerë ustallarë si Kamber Canaj, Hysni Brahimi dhe Baki Shehu, mjeshtër i punimeve në dru. Dhe kështu, mjeshtër pas mjeshtri lanë gjurmët e duarve dhe mendjes edhe specialistët e gdhendjes së mokrës që bluante drithin.

Mulliri i kohes se Ali Pashës ende bluan…dhe në centrifugën gjigante të ujit të borës, që bie me vërtik, llamburisin nga larja: qilima, flokata, rrugica e sixhade prej leshi me lulet e maleve e të lëndinave alpine këtej rrotull.

Mullinjtë që janë ruajtur ende në Shqipëri janë të paktë. Ata datojnë që nga shekulli XVIII dhe XIX dhe dëshmojnë më së miri marrdhënien mes njerëzve dhe mjedisit natyror dhe mënyrën e veçantë të shfrytëzimit të burimeve. Pozicionimi i mullinjve varej vetëm nga forca e rrymave të ujit: mullinjtë janë ndërtuar aty ku rryma nuk është shumë e fortë, duke siguruar një burim të qëndrueshëm energjie për fuqizimin e rrotave të mullirit. Mënyra se si u vendosën ndërtesat dëshmojnë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan se mjeshtrit e ndërtimit i integruan mullinjtë me ujë me mjediset e tyre natyrore në mënyrën më të thjeshtë pa iu imponuar mjedisit dhe pa e nënshtruar atë.

Sot Mulliri vizitohet nga shumë turistë vendas e të huaj si për të parë një copë Mesjetë të vonë, që ka mbijetur e funksionon në kohët moderne.

Ermali, djali i familjes Bleta ka vizionin e tij dhe do që të shtojë në këtë kompleks: mulli, dërstila, manganë, këtë elementin e tretë: dy manganë, si çekiçë gjigantë prej druri që rrahin rrobat e shajakta në vendin ku kanë qenë e punuar dikur. Ai thotë se e ka gati projektin dhe shpreson ta finalizojë me mbështetjen e projekteve që financon qeveria

Mulliri, ndanë rrugës së vjetër Tepelenë-Vlorë, nuk është as 1 km larg nga Sheshi “Lord Bajron” i qytetit.

Turistët, pasi kanë frekuentuar Kalanë e Ali Pashe Tepelenës me rehabilitimet e kohëve të fundit, pasi ka lënë pas sheshin e madh të qytetit, nga me të bukurit në jugun e Shqipërisë, mund të vazhdojë guidën edhe më tej në Bënçë, fshatin e polifonisë së famshme dhe me tej akoma,vizitorët mund të rrugëtojnë më në lartësi, për pak kilometra, në një udhë automobilistike me peizazh mahnitës. Rruga që nis përballë Mullirit të lashtë të kohës së Ali Pashë Tepelenës, të shpie në pllajën e Kurveleshit të Sipërm me befasira gjeonatyrore e historike, atje ku guida pasurohet me vende të një peizazhi me alternime të thyerjeve tektonike e të gëlqerorëve me gjelbërimin e përhershëm të makieve mesdhetare.

Prej këtej zë fill rruga turistike që e lidh Tepelenën me Kurveleshin e Sipërm për të mbërritur në peizazhet e bregdetit të Himarës.

Udhëtimi nga Tepelena dhe Mulliri i Ali Pashës për në plazhin e Borshit zgjat vetëm 60 minuta dhe është kthyer në një destinacion të frekuentuar për vizitorët në çdo stinë të vitit.

Etleva Xhajanka