Nga të dhënat zyrtare mbi popullsinë rezulton se shtesa natyrore e vendit, për herë të parë rezulton në nivele gati afër zeros. Kjo për shkak të krizës ekonomike të kombinuar me krizën shëndetësore, e cila e ka përkeqësuar më tej treguesin demografik. Sipas raportit të INSTAT, gjatë vitit 2020 shtesa natyrore ishte vetëm 470 lindje më shumë se vdekje, nga rreth 6 mijë që ishte një vit më parë.

Ndërkohë që numri i lindjeve, për tremujorin e katërt të 2020-s është 7.011, duke shënuar një rënie me 11,4 %, krahasuar me tremujorin e katërt të 2019-s. Gjatë vitit 2020 lindën 28.075 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,7 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve, për tremujorin e katërt 2020 është 9.397, duke shënuar një rritje prej 73,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019.Gjatë vitit 2020 humbën jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25,8 %, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2020 tregon se janë 2.386 vdekje më shumë se sa lindje.

Po sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT mësohet se gjatë vitit 2020, tre qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2019, ndërsa nëntë të tjerë pësuan rënie. Numri më i lartë i lindjeve shënohet në qarkun e Tiranës, me 9.387 lindje, ndërsa ai më i ulët regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 504 lindje, për vitin 2020. Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2020 krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 3,3 %, ndërsa rënien më të lartë në përqindje, e zë qarku i Kukësit, me 21,1 %.

Ndërkohë në të gjitha qarqet e vendit pandemia e Covid -19 ka bërë që të rritet numri i vdekjeve. Në krahasim me vitin 2019, gjatë vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa numri më i lartë, në qarkun e Tiranës, me 7.129 vdekje, për vitin 2020. Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 34,2 %.

Në tremujorin e katërt të 2020-s, të gjitha qarqet e vendit shënojnë rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në tremujorin e katërt të 2020-s, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi, me 199 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana, me 2.504 vdekje. Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, e zë qarku i Fierit, me 101,6 %.

Sipas INSTAT në vitin 2019, në vend humbën jetën rreth 22 mijë persona, ose rreth 60 persona në ditë. Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut (zemra, tensioni) është grup-sëmundja që shkakton më shumë vdekje, me 53% të totalit në 2019-n, ose 30 persona në ditë.Tumoret ishin deri tani sëmundja më e dytë vrasëse, rreth 3500 persona, ose me 16% të totalit, ose rreth 10 persona në ditë. Por, për 2020-n, Covid-19 mund të rezultojë shkaktari i dytë i vdekjeve në vend në 2020-n, pas sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, me rreth 21% të totalit, bazuar në të dhënat paraprake të vdekjeve totale dhe shtesës vjetore.

Ndërkohë sipas të dhënave paraprake nga Drejtoria e Gjendjes Civile të siguruar nga Monitor.al vdekjet në total në vend ishin 28,026 persona në 2020-n, me një rritje të fortë prej gati 28% në krahasim me vitin e mëparshëm, ose rreth 6 mijë persona më shumë se viti i mëparshëm, duke shënuar një nivel rekord historik të lartë.

Për të njëjtën periudhë, sipas akt lindjeve, në vend u regjistruan rreth 27,600 lindje, me një tkurrje të lehtë prej 0.2%.Për herë të parë në historinë e vendit, vdekjet i tejkaluan lehtë lindjet (me rreth 400 persona). Ky është niveli më i ulët i shtesës natyrore të popullsisë, së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas të dhënave të iNSTAT.

Por të dhënat më të hershme, por jo të grupuara vit pas viti, tregojnë se Shqipëria ka shtesën natyrore të popullsisë në nivelin më të ulët që nga viti 1923, që kur ka nisur regjistrimit, pasi shtesa e popullsisë gjatë viteve 1923-1945, sipas të dhënave zyrtare, ishte mesatarisht mbi 18 mijë persona në vit. Që prej kulmimit, në fillim të viteve ’90, shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke reflektuar rritjen e moshës mesatare të popullsisë, nivelin e lartë të emigracionit, zvogëlimin e familjeve dhe rënien e fertilitetit (aktualisht rreth 1.35 lindje për grua, ndër më të ulëtat në Europë).

Një tjetër faktor që ndikon në rënien e popullsisë është dhe niveli i lartë i emigracionit në dekadat e fundit, me rreth 40% të popullsisë që jeton jashtë. Tendenca e emigrimit është përshpejtuar sërish vitet e fundit, duke përfshirë dhe largimin e familjeve. Shifrat zyrtare të iNSTAT tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi iNSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje (anktea u zhvillua në prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Elida Lazi