Turizmi dhe bujqësia janë sektorët që kanë marrë më shumë rekomandime për ndërhyrje në funksion të përmirësimit të situatës së investimeve, në pesë vitet e fundit 2015-2020. Këshilli i Investimeve (KI) ka bërë një analizë të situatës në vitet e fundit duke vënë thekstin se 33% e totalit të rekomandimeve të bëra prej tij, adresojnë ndërhyrje në këta dy sektorët kryesorë të ekonomisë.

Aspektet se ku është rekomanduar ndërhyrja sipas analizaës së bërë veçohen të paktën katër mundësi, ku së pari kërkohet rritje të nivelit të formalizimit të sektorëve. Së dyti incentiva për forcimin e sektorëve, së treti ndërhyrje ligjore që do të lehtësonin bizneset e këtyre sektorëve dhe së katërti incentiva për të rritur vlerën e shtuar të sektorit agro-përpunues për investime.

Në rekomandimet e Këshilliti të Investimeve veçohet bashkëpunimi institucional, pasi duket se është një nga ngërçet për mbarëvajtjen e punëve dhe kjo duket se është arsyeja se pse ky rekomandim kryeson.“Rekomandimet në nivel institucional zënë peshën më të lartë mbi totalin 43%, ku theksi jepet kryesisht në: bashkëpunimin ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve të strukturave operacionale, qëndrueshmërinë e institucioneve dhe rritjen e standardit dhe cilësisë së shërbimeve” nënvizon KëshilIi i Investimeve.

Shumica e rekomandimeve të bëra duket se nuk janë marrë parasysh përgjatë këtyre viteve ku 48 për qind e tyre nuk rezultojnë të zbatuara.Të zbatuara nga ana tjetër janë 38% e rekomandimeve të bëra kurse 14 për qind janë në proces. Në grupin e rekomandimeve të zbatuara raporti rendit punësimin dhe ngritjen e kapaciteteve të kapitalit njerëzor ku katër VKM u miratuan gjatë vitit 2020 me synim stimulimin e punësimit përmes subvencionimit të bizneseve për të punësuar e trajnuar punëkërkues të papunë.

Në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Investimeve ku u diskutuan sfidat kryesore dhe disa rekomandime për promovimin e investimeve në fushën e agro-përpunimit, me fokus të veçantë: perimet, frutat, arrat dhe bimët mjekësore dhe aromatike me qëllim rritjen e vlerës së tyre të shtuar bruto në vend, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri një përmbledhje të veprimeve dhe vizionit të qeverisë për të promovuar zhvillimin dhe rritjen e prodhimit bujqësor, duke synuar përmirësimin e sektorit në konkurrencën rajonale, si dhe harmonizimin e politikave dhe mjedisit institucional me BE.

Ministrja Denaj vuri në dukje se kriza e koronavirusit ka nxjerrë në dukje brishtësinë e zinxhirit modern të furnizimit, prandaj diversifikimi i burimeve të furnizimit dhe dixhitalizimi do të jenë dy hapa thelbësore për ndërtimin e zinxhirëve më të fortë dhe më të mençur të furnizimit, për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit. Ky moment mund të përdoret gjithashtu si një mundësi për të transformuar dhe ridimensionuar sektorin e agro-përpunimit në mënyrë që të përfitohet nga potenciali i tij në vend.

Ndërkohë përfaqësuesit e biznesit u shprehën se ka një interes në rritje për investime të reja në sektorin e agro-përpunimit. Megjithëse sektori është zgjeruar mjaft dhe ka përfituar mbështetje nga politikat qeveritare, ata pranuan se ende nevojiten më shumë përpjekje për të adresuar disa çështje, të tilla si certifikatat fitosanitare, certifikimi i laboratorëve, informaliteti i sektorit, si dhe cilësia dhe certifikimi i produkteve.

E dyta është Konkurrenca e Sektorit të Turizmit ku nënvizohet se përmirësimi i konkurrencës dhe forcimi i formalizmit bëhet përmes identifikimit dhe klasifikimit të strukturave turistike.

Avancimi i Reformës së Deregulimit – Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve online të ofruara përmes platformës elektronike për lejet e ndërtimit, duke specifikuar afatet për vendimmarrje për lejet e ndërtimit, duke shmangur pezullimin e funksionalitetit të platformës, duke përcaktuar rolin/përgjegjësitë e institucioneve të ndërlidhura në platformë. E fundit stimulimi fiskal – Nxitja e investimeve të sektorit agro-prodhues përmes subvencionimit të naftës

Në këtë takim u prezantua një studim teknik, i cili përfshin gjithashtu edhe 4 profile investimesh dhe karta teknologjike për t’u përdorur si pikë referimi për tërheqjen e investimeve. Përveç hulumtimit të raporteve, analiza përfshin gjetjet e një pyetësori kryer posaçërisht me 42 kompani agro-përpunuese, si dhe informacione dhe të dhëna në lidhje me aksesin në financim për sektorin të ofruara nga 8 banka të nivelit të dytë. Studimi pason punën tashmë të iniciuar në grupin e punës midis MFE dhe MBZHR, e ngritur për të vlerësuar potencialin për investime në sektorin e agro-përpunimit, veçanërisht nën këndvështrimin e biznesit.

Ndërkohë disa nga rekomandimet kryesore të diskutuara në këtë takim ishin:

  • Ofrimi i incentivave për konsolidimin e fermave/kooperativave për të rritur ekonominë e shkallës dhe konkurrencën e prodhimit primar;

  • Orientimi i prodhimit primar të nevojshëm për industrinë e agro-përpunimit sipas 4 produkteve potenciale të zgjedhura;

  • Mbështetje për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e eksporteve shqiptare në BE dhe tregje të tjera me vlerë të lartë nëpërmjet masave specifike ndër-sektoriale;

  • Diversifikimi i skemave mbështetëse të granteve dhe produkteve bankare, sa i përket nën-sektorëve të bujqësisë;

  • Investimi në zvogëlimin e mospërputhjes së aftësive – përmes arsimit profesional bujqësor, etj.

  • Elida Lazi