Sistemi bankar në Shqipëri, rezultoi me një fitim prej 16.8 miliardë lekësh ose 136 milionë euro në vitin 2020, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues rezulton 15% më i ulët, ndërsa ka zbritur në nivelin më të ulët që nga viti 2016.

Ndonëse një vit i vështirë, për shkak të efekteve që pandemia ka krijuar në ekonomi dhe në aftësinë paguese të kredimarrësve, sistemi bankar ka shënuar një ecuri pozitive. Të ardhurat nga interesi u rritën lehtë me 1.2%, ndërsa shpenzimet po për interesat u tkurrën me 6.5%. si rrjedhojë të ardhurat neto nga interesi u rritën me 2.7%.

Sistemi bankar rriti të ardhurat nga jo interesi me 12%, kryesisht si rrjedhojë e ecurisë së mirë të zërit “fitimet nga instrumentat financiarë”.

Ecuria e bankave ka qenë pozitive në kahun e të ardhurave dhe rënia e fitimeve ka ardhur nga rritja e shpenzimeve për provigjione, një sinjal se bankat po i paraprijnë një rritje të mundshme të kredive me probleme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se niveli i kredisë me probleme në fund të muajit dhjetor 2020, arriti në 8.11%, duke shënuar një rënie të lehtë me 0.09 pikë përqindje në krahasimin me fundin e vitit 2019. Ky është niveli më i ulët në 12 vitet e fundit, që prej vitit 2008.

Por, kjo rënie më shumë reflekton shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive (për periudhën mars-korrik 2020) dhe zgjatjen deri në mars të afatit që i lejon bankat të vijojnë ristrukturimet pa i klasifikuar këto detyrime si kredi të këqija.

Shpenzimet për provigjione neto arritën në 5.4 miliardë lekë në vitin 2020, ndërkohë që për tre vjet radhazi kishin qenë negative. Pikërisht rritja e këtij zëri ndikoi në uljen e fitimeve të deklaruara të bankave.

Bankierët presin që pasojat e pandemisë në sistemin bankar të ndihen më shumë këtë vit, kur të shihen efektet reale që ajo ka dhënë në aftësinë shlyerëse të kredimarrësve.

Ndërkohë që sistemi bankar shqiptar, vijon të jetë furnizues i rregullt me likuiditet i tregut, për shkak të rritjes së ndjeshme të depozitave në periudhën e pandemisë, ndërsa ka qenë aktiv dhe në kredinë e re.

Emergjenca Covid -19 nuk e ka penguar qeverinë shqiptare, të vijojë programin e investimeve publike me ritme më të shpejta se edhe periudhat normale. Banka e Shqipërisë bën të ditur se investimet totale regjistruan një rritje prej 4.1% në tremujorin e tretë të vitit 2020, për herë të parë pas katër tremujorësh rënie.

Rritja investimeve është kryesisht kontribut i shpenzimeve të qeverisë në vepra publike.

“Kthimi i investimeve në territor pozitiv ka reflektuar rritjen e shpenzimeve kapitale publike, ndërsa investimet private vlerësohen me rënie dhe në tremujorin e tretë”, vlerëson Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, mbështetja e qeverisë për ekonominë në gjysmën e dytë të vitit 2020, ndryshe nga gjysma e parë, u manifestua në rritje të investimeve publike, ndër të tjera të destinuara për rindërtimin e banesave e infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti.

Në gjashtë muajt e parë, rritja e shpenzimeve u drejtua tërësisht nga transfertat direkte të qeverisë për individët, të cilat vlerësohen në 1% të PBB-së deri në fund të muajit nëntor.

Rritja e investimeve totale u drejtua si nga rritja e investimeve në ndërtim ,ashtu edhe në investime në makineri dhe pajisje.

Rritjet vjetore të vlerës së shtuar në ndërtim dhe të importit të mallrave kapitale ishin, përkatësisht, 8.7% dhe 12.3% në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Banka analizon se, tregues sasiorë paraprakë dhe rezultatet e përftuara nga vrojtimet sugjerojnë se komponenti i investimeve do të vijojë të kontribuojë pozitivisht në rritjen ekonomike të tremujorit të katërt.

Rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, veçanërisht në sektorin prodhues, është faktor nxitës në vendimmarrjen e bizneseve për kryerjen e investimeve të reja.

Importi i mallrave kapitale dhe i materialeve që përdoren në ndërtim regjistruan rritje, duke sugjeruar zgjerim të investimeve në të dyja këto kategori. Gjithashtu, vlera e lejeve të ndërtimit të miratuara, si një tregues paraprijës i investimeve në ndërtim, është rritur gradualisht gjatë nëntëmujorit të parë.

Etleva Xhajanka