Tregtarët e pakicës në Tiranë pohojnë se ky vit ka qenë negativ sa i takon xhiros ditore. Sipas tyre tre muajt e fundit shitjet kanë rënë me 50% në raport me vitet e tjera. Rënia e konsumit nuk vjen vetëm nga familjet e varfra, por edhe nga ato që kanë të ardhura të mjaftueshme, të cilat hezitojnë të shpenzojnë si më parë, pasi kanë frikë se nëse së muren nga Covid-19 u duhet të përballen me shpenzime të larta shëndetësore. Rënia e fuqisë blerëse u reflektua në inflacionin e muajit janar të këtij viti, kur rritja e çmimeve ishte vetëm 0.4%, niveli më i ulët që nga pranvera e vitit 2016.

Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, analizoi se pasiguria në nivele ende të larta dhe rënia e të ardhurave të disponueshme janë faktorët kryesorë që kanë penguar rikuperimin e plotë të konsumit privat në tremujorin e tretë. Një pjesë e hendekut në rënien e të ardhurave nga puna brenda vendit është plotësuar nga rritja e prurjeve të emigrantëve dhe rritja e kredisë konsumatore. Por të dy këto elemente pozitive kanë qenë të pamjaftueshme për të mbajtur konsumin në normalitet. Kërkesa e brendshme ra me 2.1% në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit 2020, rënie më e zbutur krahasuar me tremujorin e mëparshëm (-7.9%).

Zhvillimi u drejtua kryesisht nga rënia me 3.9% e konsumit të popullatës. Konsumi privat ngadalësoi rënien në tremujorin e tretë në -3.9%, pas rënies së fortë me 8% në tremujorin e dytë. Lehtësimi i masave kufizuese dhe ulja e pasigurisë ndikoi rikuperimin e konsumit të mallrave afatgjatë dhe të shërbimeve. Ndikimi i pandemisë rezultoi më i zbutur për kategorinë e shpenzimeve afatshkurtra. Më konkretisht, indeksi i tregtisë me pakicë të ushqimeve ka vijuar rritjen vjetore edhe në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Banka e Shqipërisë lajmëroi se tregues të ndryshëm indirektë sugjerojnë se rikuperimi i konsumit privat në tremujorin e katërt ka vijuar, por nivel i tij mbetet poshtë atij të regjistruar para pandemisë. Importi i autoveturave, i cili iu rikthye rritjes në tremujorin e dytë, përshpejtoi rritjen vjetore në periudhën tetor-nëntor.

Importi i mallrave për qëllime konsumi është rritur 6.1% mesatarisht gjatë muajve tetor dhe nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat me frekuencë mujore nga blerjet e individëve me karta sugjerojnë se rikuperimi i shpenzimeve të konsumatorëve ka vijuar në tremujorin e katërt, por me ritme të ngadalta. Në linjë me këta tregues sasiorë, treguesit cilësorë nga vrojtimet flasin për rritje të besimit në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë, sipas BSH.

Pritjet e Bankës për të ardhmen janë krejtësisht të kushtëzuara me ecurinë e pandemisë. Në skenarin bazë, sipas të cilit situata me pandeminë do të shkojë drejt përmirësimit, presim që aktiviteti ekonomik t’i kthehet normave pozitive të rritjes. Banka e Shqipërisë pret që aktiviteti ekonomik të mbështetet nga stimujt monetarë e fiskale, përmirësimi i aktivitetit globale dhe i kërkesës agregate.Por, pasiguria mbetet e lartë për zhvillmet e ardhshme. Janë tre rreziqe në kahun e poshtëm, të lidhura me ndryshimin e sjelljeve të familjeve, ndryshimet strukturore në ekonominë shqiptare dhe atë të huaj, ndryshim permament në mënyrën se si bizneset operojnë, dhe realizim më të ngadaltë të programit të rindërtimit. Ndërsa në kahun e sipërm, faktor i pritshëm pozitiv është vetëm vaksinimi. Megjithatë ekspertët e Bankës thanë se në 2020-n ecuria ekonomike rezultoi më mirë se parashikimi dhe pozitiv ishte dhe fakti që tregjet financiare mbetën të qëndrueshme dhe likuide dhe kreditimi vijoi të ishte i kënaqshëm, me një rritje prej 7.7% të huasë për biznesn, që ka dhënë ndikim në amortizimin e goditjeve dhe nxitjen e sektorëve që kanë qenë më rezistentë ndaj pandemisë.

E panjohura e madhe është ecuria e pandemisë, që kushtëzon ecurinë e ekonomisë, politikave, por edhe sjelljen e individëve. Supozimet e Bankës bazohen në parashikimin se situata me pandeminë do të vijë drejt përmirësimit në vend dhe botë. Nëse situata nuk do të ketë përmirësim do të detyrohemi të rishikojmë parashikimet tona dhe sjelljen e politikës monetare, thanë ekspertët e bankës. Nëse situate do zgjatet dhe do kemi masa të tjera shtrënguese, do të detyrohemi të rishikojmë projeksionet, thanë ekspertët e bankës, por për momentin nuk pritet që ekonomia të shënojë një tjetër recesion këtë vit.

Ekspertët e bankës shtuan se renia e inflacionit në janar në 0.4% është tregues i luhatshmërisë së çmimeve të ushqimeve, ndërsa të dhënat tregojnë se inflacioni bazë është në nivele të qëndrueshme.

Ndërkohë sipas të dhënave nga INSTAT, edhe konsumi i karburanteve në vend ka qenë i dobët, sidomos në periudhën e karantinës dhe kufizimit të lëvizjeve.

Në mars dhe në prill, konsumi u tkurr me mbi 30%, ndërsa vijoi të mbetej në territor negativ edhe në verë, duke u tkurrur me 12% në gusht, si rrjedhojë e numrit të ulët të turistëve. Konsumi u rimëkëmb vetëm në tetor, duke u rritur me 3% në krahasim me të njëjtin muaj të 2019-s.

Ndonëse konsumi ka rezultuar i dobët, importet e karburanteve kanë qenë relativisht të larta, duke ndihmuar në krijimin e rezervave të blera me çmim të ulët. Sipas Ministrisë së Financave, për 10-mujorin, importi i karburanteve u rrit me gati 2%, duke arritur në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, në mungesë edhe të prodhimit vendas, pas mosfunksionimit të rafinerisë së Ballshit.

Elida Lazi