Një klimë e trazuar ekonomike, ndikuar nga pandemia e Covid-19 gjatë vitit të shkuar dhe pritshmëri të stepura për vitin e ardhshëm tatimor: ky është rezultati i një anketimi të sipërmarrjeve anëtare të Dhomës Shqiptare Gjermane të Tregtisë (DIHA), që kjo e fundit prezantoi javën e kaluar gjatë një aktiviteti virtual. Në praninë e Presidentes së DIHA-s znj. Stephanie Sieg, Ministres së Financave dhe të Ekonomisë znj. Anila Denaj, Ministrit të Shtetit z. Eduard Shalsi si dhe organizatave anëtare të DIHA-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, Ambasadori gjerman Peter Zingraf e vuri theksin te skeptizmi kompanive gjermane lidhur me klimën biznesit në Shqipëri .

Takim i ministres Denaj me Shoqatën gjermane të Industrisë dhe Tregtisë

Takim i ministres Denaj me Shoqatën gjermane të Industrisë dhe Tregtisë

Sipërmarrjet ankohen për mungesë transparence në procedurat me shtetin, por edhe mungesë të sigurisë ligjore. Ndaj për diplomatin gjerman është e nevojshme që ky realitet të ndryshojë, duke vijuar me reformat në administratë dhe në drejtësi. Ai tha se Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë. Por ai solli në vëmendje faktin, që përgjegjëse për këto pritshmëri të mbytura nuk është vetëm pandemia:

“Edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar. Sipërmarrje gjermane dhe të huaja vazhdojnë të shprehin tepër shpesh skepticizmin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord. Me gjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian. Në këtë rrugë Shqipëria mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e Gjermanisë, “ u shpreh ambasadori Zingraf.

Ai shtoi se edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar.

Bashkëpunimi shqiptaro-gjerman

Bashkëpunimi shqiptaro-gjerman

Ndërsa Drejtori i Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), z. Bledar Mankollari prezantoi rezultatet e anketimit mbi ndikimin e COVID-19 në ekonomi, i cili u zhvillua në nëntor 2020 me kompanitë anëtare të DIHA-s.

Ndër të tjera, ai përmendi se pjesa më e madhe e kompanive karakterizohen nga një shkallë e lartë pasigurie lidhur me ecurinë e biznesit të tyre në të ardhmen. Kjo pasqyrohet edhe në pasiguri lidhur me ruajtjen e vendeve të punës apo në disa raste (për fat të mirë ende të rralla), vihet në dyshim edhe vazhdimi i ekzistencës së vetë bizneseve.Në gjetjen e anketimit, evidentohen se mi 70% e bizneseve janë shprehur se paketat mbështetëse të qeverisë ishin pak ose aspak të dobishme për aktivitetin ekonomik.

Reduktimi i barrës tatimore, me qëllim lehtësimin e bizneseve në këto rrethana të jashtëzakonshme ishte një ndër kërkesat më dominuese të bizneseve anëtare të DIHA-s. Një tjetër kërkesë ishte edhe lehtësimi i aksesit te kreditë me garanci sovrane. Së fundi, një pjesë e kompanive kërkojnë të shmanget një tjetër mbyllje, gjë e cila do të bllokonte edhe më shumë ekonominë.

Sipas rezultateve të sondazhit të realizuar me anëtarët e dhomës, me 42 kompani, 57% e tyre e mbyllën 2020-n me rënie të shitjeve, 29% të pandryshuar dhe vetëm 14% me rritje.

Po në të njëjtën linjë, 57% e bizneseve nuk presin të ndryshojnë numrin e punonjësve të tyre, 29% do i ulin dhe 14% planifikojnë t’i rrisin.38% e të anketuarve thanë se paketat ndihmëse të qeverisë nuk ishin aspak ndihmë, 40% pohuan se ishin një farë ndihme dhe vetëm 22% deklaruan se ishin të vlefshme ose shumë të vlefshme.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë negative të aktivitetit të kompanive janë rënia e fuqisë blerëse dhe e porosive. 45% e bizneseve presin që efektet negative në kompaninë e tyre të vazhdojnë për rreth 12 muaj, dhe 19% më shumë sesa një vit.

67% e kompanive thanë se nëse vazhdon kjo situatë mund të mbijetojnë deri në një vit, 21% nuk ia kanë idenë dhe vetëm 12% mund të mbijetonin më shumë se një vit.45% e kompanive thanë se po kombinonin punën nga shtëpia dhe nga zyra, ndërsa 41% kishin riorganizuar mjediset e zyrës.

25% thanë se ishin detyruar të shkurtonin punonjësit, ndërsa 67% thanë se do e konsideronin këtë nëse situate vazhdon e njëjtë.Vetëm 2% presin që situata ti kthehet normalitetit shpejt, 41% mendojnë se do të duhet të përshtaten me realitetin e ri, 38% janë totalisht të pasigurt për të ardhmen dhe 19% thonë se kjo po e shkatërron ekonominë. Ndërkohë gjatë takimit, ministrja e Financave, Anila Denaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha palëve, për të përmirësuar hap pas hapi situatën ë vështirë në të cilën ndodhet jo vetëm ekonomia shqiptare, por edhe ajo globale. Ajo u shpreh se Qeveria Shqiptare e ka vlerësuar rëndësinë e përshtatjes sa më shpëjtë me situatën dhe transformimin e ekonomisë për ta përballuar atë me sa më pak pasoja, duke reaguar jo vetëm me masa direkte, por edhe me fonde garancie.

Elida