Bujar Hajdari është një nga mijëra fermerët e zonës Kutalli, në Berat që jetojnë me të ardhurat që sigurojnë nga prodhimi bujqësor në serra, të cilën ai e mbjell dy herë në vit.

Falë mbështetjes financiare që ka marrë nga qeveria, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi, Bujari ka shtuar prodhimin dhe fiton më shumë të ardhura.

Ai tashmë është pjesë e rrjetit të organizuar, që përmes kompanisë Tomato-AL eksporton prodhimet nga ferma e tij, bashkë me 1500 familje fermere të tjera, drejt tregjeve europiane.

Pasionin për bujqësinë, Bujari ia ka trashëguar edhe nipit të tij, 20 vjeçar, me ambicien për të rritur më tej fermën, prodhimin, fitimin, duke ndjekur shembujt kuptimplotë të punës në fshat.

Bujari tregon se e ka ngritur serrën e tij që përpara 15 vitesh dhe në dy tre vitet e fundit, ai ka investuar për të përmirësuar kushtet e prodhimit duke ndryshuar plastmasin e serrës, për të cilat dhe ka marrë subvencionet përkatëse.

“Këtu prodhoj 2 herë në vit”-thotë Bujari teksa tregon se, serrën e mbjell në sezonin e parë me kastravec, prej së cilës merr rreth 650 kuintalë prodhim në 3 dynym e gjysmë tokë që ka serra. Ndërsa në sezonin e dytë, ai kultivon domate, të cilat shkojnë për eksport, permes kompanisë Tomato-AL.

I kënaqur me prodhimin cilësor që merr nga serra e tij, Bujari thotë se, tashmë prej kohësh e ka të zgjidhur edhe tregun e shitjes.

“Unë e shes tek pikan e grumbullimit për prodhimet bujqësore. Me këtë firmë unë kam lidhur një kontratë afatgjatë, që më garanton shitjen e sigurt të prodhimit dhe me çmim të arsyeshëm”- shprehet Bujari.

“Pas përvojës sime të parë, familja ime, por edhe miqtë dhe të gjithë të tjerët filluan të investojnë në prodhimin e serrave”, tha ai.

Ne nuk kishim asnjë njohuri mbi serrat në këtë zonë. Në fillim, kishim shumë vështirësi në biznes, sepse nuk kishim njohuritë e duhura dhe nuk kishim aftësitë e marketingut. Por gradualisht me mbështetjen edhe nga skemat e subvenconimit, prodhimi u zgjerua dhe lidhëm edhe kontratat e shitjes për eksport. Sot unë, por edhe fermerët e tjerë të kësaj zone, me të ardhurat që sigurojmë por dhe me mbështetjen financiare që ofron qeveria, jemi në gjendje të zgjerojmë serrat nga 3 hektarë në 10 hektarë në vetëm disa vjet”- thotë Bujari.

Ai është i mendimit se, qëllimi për veten dhe njerëzit e tjerë të biznesit rural është të investojë në tokën e tyre. “Rikthimi në vendlidje për të lënë trashëgiminë tonë për gjeneratën e ardhshme dhe fëmijët e tyre është një pasuri e çmuar”, shprehet Bujari .

Bujari shpreson se pasionin e tij do ta ndjekin nipërit e mbesat.

Ndërsa nipi i Bujarit, ka aplikuar me një projekt të ri në fushën e prodhimit bujqësor në programin IPARD, që mbështet fermerët me grante deri në 50% të vlerës së shpenzimeve për investim.

Ai është student në Administrim Biznes dhe po i përkushtohet bujqësisë në gjurmët e familjarëve të tij, duke e pare këtë sektor me përfitime të mëdha edhe për të ardhmen.

20-vjeçari që po ndjek hapat e xhaxhait të tij tregon se që i vogël mendoi që t’i futej dhe ai kësaj rruge.

Synoj që në të ardhmen e afërt të ndërtojmë serra moderne në sipërfaqe toke edhe më të mëdha, deri në 16 ha, duke ua marrë me qira fermerëve të zones që nuk e kanë në përdorim”, tha ai.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2020, financoi fermerët me 300 000 lekë/ha, për zëvendësimin e plastmasit termik për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve e rrushit për tavolinë.

Sipas AZHBR-së, skema kombëtare 2020 përfshiu në fond subvencionimi të gjithë fermerët aplikantë, deri në fund të listës që shënoi numrin rendor 714.

Çdo fermeri aplikant në Skemë, që ndryshoi plastmasin në serra, iu pagua pjesa e taksës që ata japin kur blejnë plastmasin si lëndë e parë.

Kompensimi i kësaj vlere, ndikon në uljen e kostos së prodhimit të prodhimeve bujqësore të cilat janë produkte me peshë të konsiderueshme edhe në eksportet bujqësore.

Për zëvendësimin e plastmasit termik në tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes fermerët përfituan subvencion në vlerën 100 000 lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt, për sipërfaqje të serrës apo të tunelit plastik jo më pak se 0.2 ha tokë.

Etleva Xhajanka