Shqipëria ka aktualisht nivelin më të lartë të taksimit mbi pagën në rajon. Taksa e sheshtë apo ajo progresive është debati që bëhet çdo fillim viti mes ekspertëve, por edhe çdo prag fushate elektorale në vend. Qeveria edhe këtë vit i ka qëndruar taksimit progresiv mbi pagën përkatësisht në dy nivele 13% dhe 23%. Shtresa e mesme do të jetë ajo që edhe këtë vit do të paguajë më shumë tatim mbi të ardhurat. Sipas ekspertëve taksa 23% është me probleme dhe paguhet vetëm nga shtresa e mesme. Kjo ka bërë që shumë nga tatimpaguesit të nëndeklarojnë pagat për të shmangur pagesën e taksës 23 për ata me të ardhura me të ardhura që kalojnë 150 mijë lekë.

Për ekspertin Mateo Spaho, aplikimi një takse të sheshtë do të thjeshtonte sistemin fiskal dhe do të rigjallëronte ekonominë. Sipas tij taksa progresive ka shumë problem pasi tatohen një pjesë shumë e vogël me këtë tatim progresiv që janë pjesa më e përgatitur dhe më vitale e shoqërisë. Kjo nuk është pjesa më e pasur e popullsisë. Spaho thotë se janë biznesmenët ata që janë pjesa më e pasur, ndërkohë ato që kanë prona tatohen me 15% që është një taksë e sheshtë, dividenti me 8%. Puna që është pjesa e cila krijon PBB, tatohet më shumë se të tjerat deri në 23%. Pra është një skemë negative që nuk i motivon njerëzit të punojnë, por në të kundërt ato që punojnë më shumë kanë një prirje që të punojnë më pak sepse mbitatohen. Pra skema e taksës progresive mbi pagën jo vetëm që nuk ka rezultuar efektive në mbledhjen e të ardhurave, por madje ka rritur më tepër informalitetin.

Sipas tij shumë prej tatimpaguesve po nëndeklarojnë pagat për të shmangur pagesën e taksës 23% për ata me të ardhura që kalojnë 150 mijë lekë.

Edhe për ekspertin fiskal Eduart Gjokutaj, barra më e madhe e taksave duhet të bjerë mbi të pasurit dhe jo mbi shtresën e mesme që është edhe një ndër gjeneruesit kryesor të konsumit. Sipas tij duhet të kishte një ndarje midis punës, kapitalit dhe buxhetit .

“Sa do të taksonte punën dhe sa do të taksonte kapitalin përmes dividentit dhe instrumentave të tjera, duhet të bëhet një mekanizëm i tillë që të taksohet pasuria, pasi ajo ka vite që “de fakto” nuk është taksuar, pasi këta janë ata individë që kanë akumuluar më shumë kapital dhe mund të prodhojnë më shumë të ardhura për buxhetin pasi janë kapitale që nuk mund t’i shmangen kontrolleve fiskale,” u shpreh Gjokutaj.

Sipas tij, aplikimi i takës progresive ka sjellë rritje të informalitetit pasi individët janë të prirur të fshehin të ardhurat e tyre për t’iu shmangur tatimit të lartë mbi pagat që në Shqipëri aplikohen në dy fasha: 13% dhe 23%. Të gjitha veprimet që bëhen në mënyrë të tillë që rëndojnë një segment të caktuar taksapaguesish, thekson Gjokutaj, bën që ata të shmangin taksat duke deklaruar pagë më të ulët. Shtresa mbi këtë segment investon në kapitale apo kursen për shërbimet e veta dhe pjesa tjetër që shërben poshtë saj është e tillë që e hedh në konsum, por është një shtresë më vulnerabël karshi problemeve të tjera sociale.

Ndërkohë qeveria ka njoftuar se do të rishikojë tatimin progresiv mbi pagat pa dhënë detaje dhe afate. Sipasekspertëve kjo kërkon strategji të qartë që mund të kërkojë kohë në mënyrë që zhvendosje të tilla të mos ndikojnë mbi asnjë palë.

Vetë kryeministri Rama, do të deklaronte kohë më parë, gjatë një konference për shtyp se mund të ketë një rishikim të kësaj takse, duke mos dhënë më tepër detaje. Ndërkohë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një interviste për “Top Channel” deklaroi se dikasteri i Financave po zhvillon një analizë mbi taksën progresive pa dhënë më tepër detaje, por shtoi se paketa fiskale duhet të jetë më e qëndrueshme e afatgjata për të shmangur ndryshimet e shpeshta fiskale.

“Paketat fiskale janë gjithnjë në diskutim dhe këtu nuk bën përjashtim as analiza që ne jemi duke bërë, por nuk kemi një datë finale. Nuk e lidhim këtë as me muajin prill as me muajin korrik, jemi duke parë paketa fiskale më të qëndrueshme në vite. Kur të materializohet do të komunikohet. Ne kemi folur më parë për se nevoja për të parë këtë taksë shikohet me disa grupe të pagave, jo të gjitha pasi pjesa më e madhe që marrin të ardhura deri në 30 mijë lekë tatohen 0%. Do marrë kohën e duhur analiza dhe do të komunikohet”, u shpreh Denaj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Finacave janë në total rreth 17 mijë individë që paguajnë 23% tatim mbi të ardhurat personale, teksa po kaq do të tatohen edhe individët e dy punësuar nëse të ardhurat e tyre do ti tejkalojnë 150 mijë lekë. Ndërkohë në fund të 11-mujorit të vitit të kaluar, taksat e mbledhura nga të ardhurat personale arritën në 30.9 miliardë lekë apo rreth 249.2 milion euro.

Sistemi i ndërlikuar për taksimin e pagave ka bërë që vendi ynë të ketë shkallën e informalitetit më të lartë në rajon. Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet e tij, herë pas here ka bërë apel për thjeshtim të sisteit tatimor e vecanarisht pragjeve të tatimit të pagave në vend.

Elida Lazi