Bankat tregtare në Shqipëri, gjatë vitit 2020 shpenzuar 5,14 miliardë lekë ose 42 milionë euro për fondin rezerve të humbjeve nga kreditë, ose siç njihen ndryshe provigjionet.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për provigjionet e kredive gjatë vitit 2020 u rritën me tre herë krahasuar me vitin 2019, duke shënuar nivelin më të lartë që prej vitit 2016.

Kjo tregon se bankat në Shqipëri kanë përllogaritur më shumë humbje nga kreditë me probleme krahasuar me një vit më parë. Ky element ka sjellë një ulje të ndjeshme të fitimeve neto të sistemit bankar për vitin 2020, me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, raporti i kredive me probleme gjatë gjithë këtij viti ka rezultuar i qëndrueshëm pranë nivelit 8.2%. Ky tregues nuk është rritur falë masave lehtësuese të aplikuara nga Banka e Shqipërisë, që për të lehtësuar shtyrjen e kredive hoqi përkohësisht detyrimin për riklasifikimin dhe provigjionimin e kredive që ristrukturohen. Megjithatë, bankat tregtare në Shqipëri, kanë zgjedhur të ndjekin një qasje më të kujdesshme duke rritur provigjionet, fondin rezerve të humbjeve nga kreditë, pavarësisht se raporti i kredive me probleme nuk është rritur.

Rritja e provigjioneve i shërben një zbutjeje të efektit financiar nga rritja e pritshme e kreidve me probleme gjatë vitit 2021. Duke parë tendencën e vitit 2020, është e pritshme që provigjionet të kenë regjistruar një rritje të mëtejshme edhe në tremujorin e fundit të vitit 2020.

Gjithashtu bankat i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë shtyrjen e masave lehtësuese të paktën deri në fund të tremujorit të parë 2021. Kjo do të mundësonte vijimësinë e mbështetjes për ata klientë, sidomos në segmentin biznes, që kanë pësuar dëmtime nga kriza, pa keëqësuar statusin e tyre huamarrës. Një masë e ngjashme është marrë edhe nga rregullatorët e tregjeve bankare në shumicën e vendeve të Europës. Nisja e vaksinimit ka rritur optimizmin se bota do të dalë gradualisht nga emergjenca e lidhur me pandeminë dhe aktiviteti ekonomik do të rigjallërohet.

Shtyrja e masave lehtësuese synon pikërisht t’iu japë më shumë kohë bizneseve për të përmirësuar gjendjen e bilanceve dhe për të nisur shlyerjen normale të detyrimeve ndaj bankave. Kjo do ta shtynte më tej në kohë rritjen e pritshme të raportit të kredive me probleme, duke ndihmuar njëkohësisht edhe një vijimësi me ritme pak a shumë normale të aktivitetit kreditues, siç ka ndodhur pas muajit qershor. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun e parasë për të rritur likujditetin, në 3 mujorin e tretë të vitit 2020.

Injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë, u rrit në 40.05 miliardë lekë, kundrejt përkatësisht 33.63 miliardë lekëve dhe 27.34 miliardë lekëve në dy 3-mujorët e mëparshëm dhe 31.26 miliardë lekë në 3-mujorin e tretë të vitit 2019.

Kërkesa e bankave për likuiditet në operacionet e Bankës së Shqipërisë ka qenë vetëm në javën e dytë të muajit korrik, nën vlerën 36 miliardë lekë dhe ka arritur nivelin maksimal 46 miliardë lekë në 2 raste, në muajt korrik dhe gusht.

Në fund të periudhës, kërkesa e bankave për likuiditet ka qenë rreth mesatares së periudhës në 40 miliardë lekë.

Rritja e parasë në qarkullim ka qenë faktori kryesor që ka nxitur rritje të mungesës së likuiditetit, ndërkohë që rritja e marrëveshjeve SWAP me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë ka kontribuar në zbutjen e këtij efekti.

Shuma e marrëveshjeve SWAP me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u rritën gjatë 3-mujorit të tretë 2020 në 33 miliardë lekë, kundrejt 24 miliardë lekëve që shënonte në fund të tremujorit të dytë 2020.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, blerjet e zakonshme të valutës nga institucionet e huaja kanë qenë 22,756.36 USD nga (IBRD), Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërkohë që janë blerë 2,8416445.87 euro nga programi i Komunitetit Europian IPA dhe i janë shitur Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) 4,376,000.00 euro.

Transaksioni SWAP, mundëson marrëveshje, që ofron një instrument përmes të cilit banka qendrore ka akses në monedhën vendase të palës tjetër, në funksion të nevojave që mund të lindin kohë pas kohe. Në këtë mënyrë marrëveshja i jep mundësi sistemit bankar shqiptar të përdorë fondet e një shteti tjetër, në mbështetje të nevojave të agjentëve ekonomikë për të nxitur më tej marrëdhëniet tregtare dhe financiare midis dy vendeve.

Marrëveshja, krahas nxitjes së tregtisë dypalëshe dhe investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, synon edhe mbështetjen e stabilitetit financiar në vend, nëse kushtet e tregut diktojnë nevoja për një likuiditet të tillë.

Etleva Xhajanka