Bujqësia dominon ekonominë shqiptare, por nuk ka produktivitet.

FAO: 500 euro për person, janë të ardhurat që gjenerohen nga 50% e fermave në Shqipëri

Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Ushqimit(FAO), vetëm 25% e fermave gjenerojnë më shumë se 3000 euro dhe 5500 euro të ardhura në vit nga aktivitetet bujqësore në 2018. Më shumë se një e katërta (27%) nxjerrin më pak se 750 euro të ardhura dhe pothuajse gjysma e fermave siguron 750 deri në 3000, me një mesatare prej gati 1700 euro përfamilje, ose rreth 500 euro për person në moshë pune (mbi 16 vjec).

Kështu, tre të katërtat e familjeve gjenerojnë të ardhura shumë të ulëta nga bujqësia dhe shumë më poshtë se kufiri i fermës ekonomikisht e qëndrueshme. Kjo e bën të dosdoshme që fermat familjare të zhvillojnë strategji të reja të mbijetesës, duke zhvilluar diversifikimin e të ardhurave. Studimi i FAO-s ka vendosur disa standarde, se kur një fermë të jetë vizibël për të siguruar të ardhurat për një familje me dy antarë dhe gjithashtu për të siguruar investime themelore që kërkon mirëmbajtja e fermës. Në Shqipëri, sipas statistikave, numërohen rreth 350 mijë ferma, nga të cilat 159,856 janë më pak se 1 hektar, 142,084 janë deri në 2 hektarë dhe vetëm 49 mijë janë mbi 2,1 hektarë.

Sipas studimit të bërë nga FAO, që një fermë të sigurojë të ardhura për pagën minimale të dy personave dhe teprica për pak investime duhet të gjenerojë 5 mijë euro në vit, që nga viti i investimit. Në analizën e FAO-s, në skenarin normal, një fermë me 1 ha tokë mund të sigurojë këtë të ardhur nëse përzgjidhet me kujdes produkti që ka shitje të siguruar.

Ndërsa një fermë me 2 ha tokë ka potenciale për të qenë fitimprurëse nëse është serë dhe janë mbjellë perimet kryesore të konsumit. Një fermë bagëtish është fizibël me jo më pak se më pak se 7 lopë dhe me një ha tokë për lopë dhe një fermë me bagëti të imta nuk është fizibël në më pak se 100 krerë. Këto sipërfaqe fermash dhe numri i krerëve është llogaritur të mbulojë me të ardhura vetëpunsimin e familjes që i zotëron.

Fermat nën 1 ha tokë, sipas studimit të FAO-s , janë shumë të vogla dhe jo fizibël në vijëmësi, fermat midis 1 dhe 2 ha disi fizibël, por me shumë vështirësi, ndërsa fermat mbi 2 ha kanë një potencial të caktuar tregu. Duke qenë të vogla fermat mund të përshtaten me kërkesën e tregut, por nën 1 hektar ato nuk janë fizibël as për pemishte e as për perime.

Bujqësia është sektori me peshën më të lartë në ekonominë dhe në punësim, teksa prodhimet bujqësore plotësojnë vetëm 50% të kërkesës së brendshme. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, bujqësia gjuetia, pyjet dhe peshkimi zunë 18,68% të PBB-së në 2019. Sektori u rrit me 1,35% në terma realë vitin e kaluar. Sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 36,4% dhe 43,5%. Sektori bujqësor kontribuon në një të pestën e ekonomisë dhe punëson gati gjysmën e personave që raportohen në punë, por ka produktivitet shumë më të ulët se në vendet e tjera të rajonit ku ky sektor, edhe pse ka një peshë më të ulët në ekonomi, ka produktivitet më të lartë se në fitimet e fermave dhe në eksporte.

Pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare është të paktën 6 herë më e lartë se mesatarja e Europës dhe trefishi i mesatares rajonale. Në Maqedoninë e Veriut, bujqësia zuri 7,9% të PBB-së, në Mal të Zi 6.8%, në Turqi 6.1%, në Serbi 6%, në Bosnje 5.6% dhe në Kosovë 9.1%. Pesha e sektorit vjen gjithnjë e në ulje në vendet e Evropës ku pesha e bujqësisë luhatet mes 0.5 deri në 3% të PBB-së.

Shqipëria u rendit e 36-të në botë për peshën e lartë të bujqësisë në ekonomi, në krah të vendeve afrikane. Sipas statistikave të Bankës Botërore, struktura e ekonomisë së rajonit ku përfshihen Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia dominohen nga shërbimet, të cilat zënë nga 51-71% të ekonomisënë varësi të vendeve. Ndryshe nga rajoni, bujqësia paraqitet dominuese në strukturën e ekonomisë shqiptare. Edhe pse Shqipëria është një importues neto i prodhimeve bujqësore, ka copëzim më të lartë të tokës në krahasim me rajonin dhe me një zhvillim spontan të paorganizuar, pasha e bujqesisë në strukturën e ekonomisë është gati sa trefishi i rajonit.

Ndërkohë në fund të vitit 2020, qeveria shqiptare premtoi mbështetje më të madhe për sektorin e bujqësisë. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj në takimin vjetor në kuadër të projektit të “Mbështetjes Financiare të Agrobiznesit Shqiptar”, u bëri thirrje fermerëve, agropërpunuesit dhe sipërmarrjet në fushën e turizmit, të përfshihen në skemat e e financimit që mbështeten me garanci nga qeveria shqiptare dhe Europian Union in Albania. Në takim Denaj kërkoi që të shikohet “mundësia e krijimit të një produkti financiar të dedikuar dhe të lidhur me zinxhirin e vlerës në bujqësi në mënyrë që të rritet mundësia e përfshirjes në financim edhe për bizneset mikro dhe të vogla që bashkëpunojnë për të rritur ekonominë e shkallës.

Elida Lazi