Banka Botërore pret që rimëkëmbja e Ballkanit Perëndimor të jetë e ngadaltë dhe e pasigurt. Në raportin e titulluar “Rimëkëmbje e pasigurt” ,BB fokusohet në përgjigjen e vendeve të rajonit ndaj COVID-19 dhe shqyrton pasojat makroekonomike dhe fiskale të pandemisë në të 6 vendet e rajonit, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria. Sipas raportit, pandemia e ka futur rajonin në një recesion të thellë, duke sjellë norma negative rritjeje në të gjashtë vendet për vitin 2020. Sa i përket Shqipërisë, ekonomia pritet të bjerë me 8.4 për qind, thuhet në raport. Ndërkohë në një reagim të ministris së Financave dhe Ekonomisë në lidhje me raportin theksohet angazhimi i Qeverisë Shqiptare për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë me stimulimin e sipërmarrjes dhe rikthimit në nivelet e mëparshme të punësimit.


Banka Botërore vlerëson reagimin e shpejtë të Qeverisë përmes instrumenteve të likuiditetit për biznesit në të dy skemat e Garancisë Sovrane dhe sugjeron politika të cilat ekuilibrojnë mbështetjen ndaj biznesit dhe qëndrueshmërinë e financave publike, një qasje e ngjashme me masat e propozuara nga Qeveria Shqiptare.


Sipas Ministrisë së Financave parashikimet e Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare përfarohen në rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e vendit në periudhën afatmesme. Në vitin 2021, Banka Botërore parashikon një rritje në nivelet prej 5%, ndërkohë që Qeveria Shqiptare parashikon një rritje lehtësisht më të lartë, prej 5.5%. Banka Botërore parashikon një rënie të ndjeshme përgjatë vitit 2020, për shkak të peshës së turizmit në ekonominë shqiptare dhe një rimëkëmbje të lartë përgjatë vitit 2021. Banka Botërore njeh gjithashtu ndikimin e dy goditjeve të njëpasnjëshme për Shqipërinë, duke u ndalur edhe në tërmetin e nëntorit të vitit 2019.


Raporti thekson se për t’iu kundërpërgjigjur krizës, autoritetet shqiptare vendosën subvencionimin e pagave për bizneset më të prekura nga situata, rritën shpenzimet për përkrahje sociale, miratuan një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e kredive si dhe ofruan garantim të kredive për të lehtësuar aksesin në kapitalin qarkullues.


Masat për qytetarët dhe bizneset kanë lehtësuar ndikimin në shtresat më vulnerabël, duke ndikuar drejtpërdrejtë në reduktimin e ndikimin në nivelet e varfërisë në Shqipëri dhe rajon. Angazhimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale duke filluar nga viti 2021 dhe rritja e konsiderueshme e pagës së stafit mjekësor dhe arsimtarëve në vitin e ardhshëm pritet të japin një ndikim po ashtu pozitiv në të ardhurat familjare.


Në raportin krahasimor të Bankës Botërore vihet re analiza mbi kontributin kryesor në kuadër të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku për Shqipërinë theksohet ndikimi i gjerë i rënies së konsumit, i cili i atribuohet efektit të pandemisë dhe pasigurisë që vjen si rrjedhojë e paqartësisë së ecurisë së sëmundjes dhe prodhimit të një vaksine.


Në dallim nga vendet e rajonit, Shqipëria reflekton në analizë një efekt pozitiv të investimeve të parashikuara, ku pavarësisht parashikimit të ulët, Shqipëria është i vetmi vend me ndikim pozitiv të investimeve në rritjen ekonomike në rajon. Parashikimet në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm siguron ndikimin pozitiv të investimeve me një nivel prej 7.3%, niveli më i lartë në 10 vitet e fundit.


Ecuria pozitive e tregut të punës përgjatë viteve të fundit, me reduktimin e papunësisë në nivelin më të ulët historik nga 17.9% përpara 5 viteve, në 11.6% përpara pandemisë, ka krijuar një hapësirë të mirë për amortizimin e ndikimeve të pandemisë.Banka Botërore shprehet se mbështetja financiare për tregun e punës ka sjellë një ndikim të ndjeshëm në rajon, ashtu sikundër edhe në Shqipëri.


Për më tepër Banka Botërore vlerëson Shqipërinë si vendi me nivelin më të lartë të punësimit në rajon. Parashikimet e Qeverisë Shqiptare, për ndikimin në tregun e punës janë për një rritje të papunësisë me rreth 2% gjatë vitit 2020, duke ju rikthyer një niveli prej 12.2% gjatë vitit të ardhshëm.


Banka Botërore vlerëson shpërndarjen e mbështetjes në të gjithë sektorët, por edhe vëmendjen e shtuar për sektorët e turizmit dhe transportit.


Qeveria Shqiptare ka ofruar Programet e reja të Nxitjes së Punësimit dhe nuk ka bërë dallime për sektorët në kuadër të politikave të punësimit. Një program i veçantë i është kushtuar rikthimit të të punësuarve në punë, pas periudhës së mbylljes së aktivitetit ekonomik, në periudhën e parë të pandemisë.


Në mbështetje të biznesit të vogël, Qeveria ka miratuar gjithashtu dy ndryshime thelbësore të lidhura me politikat e taksimit, politika të cilat kanë një ndikim të gjerë në mbi 100 mijë biznese në Shqipëri, me një efekt prej 19.1 miliardë lekë në buxhet.


Përtej shtyrjes së detyrimeve tatimore mbi fitimin për vitin 2020, Qeveria Shqiptare ka miratuar ndryshimet për biznesin e vogël, ku prej vitit 2021 detyrimet e për tatimin mbi fitimin për biznesin me xhiro deri ne 14 milionë lekë dhe detyrimet për TVSH për biznesin deri në 10 milionë lekë do të jenë 0.


Qeveria Shqiptare mbetet e angazhuar për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë me stimulimin e sipërmarrjes dhe rikthimit në nivelet e mëparshme të punësimit. Përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes pro-aktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti, si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19, Qeveria do të arrijë objektivin e vendosur për rritjen ekonomike dhe kthimit në normalitet të vendit.


Elida Lazi/Fani