Me mbështetjen nga Programi “100 fshatrat”, Qemal Alushi e ka shndërruar bujtinën e tij në model të agroturizmit në Shqipëri.

E vendosur në fshatin Prezë, rreth 23 km larg nga Tirana, kjo bujtinë është kthyer në një pikë agroturistike me atraksion të veçantë, ku kombinohet peizazhi i magjishëm i Kalasë së Prezës, me bukuritë natyrore të zonës dhe gatimet tradicionale cilësore bio.

Qemali, sipërmarrës i këtij investimi, na shoqëroi gjatë vizitës në kantinën-bujtinë dhe na tregoi se biznesin e kishte filluar që në vitin 2001, me mbjelljen e vreshtave, ndërtimin e një kantine vere dhe në vitin 2015, me ndërtimin e restorantit, mbylli ciklin e kompleksit. Tashmë që prej vitit 2018, me mbështetjen financiare të programit të qeverisë shqiptare “100 fshatrat” investimi është kthyer në një bujtinë model të agroturizmit, që frekuentohet pareshtur nga vizitorë vendas dhe të huaj dhe gjeneron të ardhura dhe punësim të garatuar.

“Nga viti në vit kemi bërë investime, por me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZhBR), investimi mori vlerën e duhur”, -thotë Qemali.

Ai tregon se aplikoi menjëherë sapo dëgjoi për skemat e mbështetjes në kuadër të programit “100 fshatrat”. “Aplikova shumë thjeshtë dhe stafi i AZHBR-së më ndihmoi për çdo paqartësi. Falë investimit që më dha qeveria, puna në bujtinën time është dyfishuar dhe kantina e verës është kthyer në standarde e kushte bashkëkohore”, – shprehet Qemali.

Qemali na tregon se në katin e dytë të ndërtesës, ka investuar në ngritjen e bujtinës me disa dhoma akomodimi, që plotësojnë më së miri ciklin e shërbimit në agroturizëm. “Gjatë punës tonë të përditshme, përveç kantinës dhe restorantit na lindi nevoja të kemi disa dhoma për vizitorët apo pushuesit e huaj, të cilët kalojnë disa netë pranë bujtinës, duke shijuar më së miri këtë pikë agroturistike”, – thotë Qemali.

Ambientet e akomodimit për fjetje në bujtinë, rrethohen nga një peizazh mjaft i bukur natyror mes gjebërimit dhe diku në një anë të kodrës ndodhet edhe Kalaja e Prezës. Kalaja është një monument historik me vlera të veçanta që, siç tregon ai, i shërben gjithë zonës dhe bujtinës, pasi vijnë shumë turistë për ta vizituar dhe më pas kthehen edhe në bujtinë.

Qemali thotë se bujtina tani po frekuentohet nga fluks i shtuar vizitorësh vendas, por më së shumti të huaj, që shijojnë jo vetëm ushqimet tradicionale të zonës dhe natyrën piktoreske, por tani kanë edhe mundësi akomodimi, që përkthehet në më shumë të ardhura për familjen e tij.

Para disa muajsh bujtinën e vizitoi edhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili, siç tha Qemali, “u shpreh i kënaqur që investimet e bëra nga ana e fermerëve me ndihmën e qeverisë, me fondet e AZHBR-së, kanë shkuar në vendin e duhur, tek njerëzit e punës”.Agroturizmi, është perspektiva e së ardhmes dhe falë programeve mbështetëse që po ndërmerr qeveria, pritet një impuls i rëndësishëm në ekonominë e fshatit.

Preza bën pjesë në Programin “100 fshatrat” dhe investimet që po ndërmerren, mbështetur nga AZHBR shtojnë gamën e ofertave në fushën e agroturizmit për të gjithë turistët shqiptarë e të huaj dhe japin impakt në zhvillimin e zonës.

Nisma e Alushit është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ata fermerë që në tokën e tyre prodhojnë më shumë sesa vetëm për vete, por edhe nga emigrantë, të cilët kursimet e punës së tyre mund t’i investojnë në atdhe, investime që favorizohen nga një sërë lehtësish fiskale.

Përveç punonjësve në biznesin e tij, Qemali mban të angazhuar edhe fermerët e zonës me të cilët, siç shprehet ai, ka filluar të lidhë kontrata për të blerë produktet e tyre. Por jo vetëm kaq, ai ka rritur edhe punësimin në bujtinën e tij, duke angazhuar fuqi punëtore edhe në akomodimin e turistëve, në restorant, në prodhimin në vreshta dhe perime, por edhe në kantinën e verës.

Duke na treguar për kantinën, Qemali thotë se, në fillim e kemi prodhuar verën në mënyrë artizanale, por kur pamë që edhe kërkesat u rritën, ndërtuam këtë kantinë dhe nga viti në vit kemi shtuar investimet. “Sot prodhojmë 4 lloje vere dhe kemi 160 hektolitra verë në impiantet e inoksit, 12 bute druri me nga 225 litra secili dhe 4 mijë shishe vere në etazheret e kantinës. Klientët janë të kënaqur dhe jo vetëm e shijojnë në restorantin e bujtinës, por edhe e blejnë për në shtëpitë e tyre”, – tha ai.

Edhe për djalin e Qemalit, Olsin, kantina e verës shihet si baza që do të rrisë “thesarin” e shtëpisë së tyre. Olsi i është përkushtuar prodhimit të verës duke bërë dhe specializim në Itali, me qëllim që vera e kantinës së tyre t’i japë një të ardhme të sigurt bujtinës.

“Në vitin 2012 jam specializuar në Itali dhe u ktheva që të merrem me prodhimin e verës në kantinën time. Biznesi ynë familjar po rritet, falë përkushtimit dhe punës tonë, ndaj i bëj apel moshatarëve të mi të investojnë në vendin tyre, se aty është e ardhmja”, – thotë Olsi.

Investimi në kantinën-bujtinë ka rritur konsumin dhe në këto kushte po nxit banorët e zonës të rrisin prodhimin për t’ju përgjigjur kërkesave të kësaj qendre agroturistike.

Ky është një prej shembujve të suksesit, dhe numri i fermerëve, të cilët aplikojnë për mbështetje nga AZHBR-ja po ndjek trendin e rritjes së vazhdueshme

Preza

Fundjava i gjen të gjithë kryeqytetasit me një dëshirë të madhe për t’u arratisur nga pluhuri dhe zhurma drejt një vendi ndryshe, i cili u fal qetësi. Mundësitë janë të shumta dhe një ndër to ndodhet vetëm 22 km larg kryeqytetit. Eshtë fshati Prezë me kalanë e tij historike.

Brenda një territori të vogël, ka mundësi përzgjedhjeje si turizëm kulturor, kulinari, gjelbërim dhe turizmi agrar. Që të gjitha shkrihen mes tyre, duke mbetur ndër trevat më të vizituara në periferi të Tiranës.

Kalaja e Prezës ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër, ka trajtë pesëkëndëshi të çrregullt me kulla të rrumbullakta në katër qoshe. Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme daton në shekullin e XV. Ajo bënte pjesë në sistemin sinjalizues dhe mbrojtës të Kalasë së Durrësit e Krujës.

Në ambientet e kalasë, ashtu siç ndodh në të gjitha kalatë në Shqipëri ka shërbim restoranti. Prej andej përpara shfaqet një pamje mjaft e bukur me kodra me ullinj dhe male përreth.

Por nuk është vetëm bukuria natyrore ajo që tërheq vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota, sepse historia është një tjetër pikë e fortë e saj. Ata që dëgjojnë historinë e kalasë mbeten të mahnitur dhe nxitojnë të klikojnë në internet për të gjetur më shumë të dhëna, duke dashur të ndërtojnë një tablo më të qartë të asaj që e shohin gërshetuar me të shkuarën.

Etleva Xhajanka