Vitet e fundit, çmimi "Nobel" për ekonominë është fokusuar në gjendjen e paqëndrueshme të ekonomisë botërore dhe u ka kushtuar më shumë vëmendje modeleve të zhvillimit në botën reale. Për shembull, në vitin 2018, ky çmim u dha për studimet mbi zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik dhe vjet, për kërkimet lidhur me luftën kundër varfërisë.

Ndërsa në vitin 2020, dy ekonomistët Paul Milgrom dhe Robert Wilson, me kontributin e tyre për teorinë e ankandit, kanë mposhtur shumë ekonomistë të njohur, duke marrë çmimin "Nobel". Ky rezultat është jashtë parashikimeve të publikut, por nëse e shohim në sfondin e kohës, mund të gjejmë dy frymëzime.

Së pari, nxitja e makroreformave me mikrosisteme. Për zhvillimin makroekonomik, fituesit e çmimit "Nobel" të viteve të kaluara janë nisur nga "e madhja", ndërsa fituesit e sivjetshëm kanë dhënë kontribut duke u nisur nga "e vogla". Ata kanë krijuar një sistem të vogël për caktimin e çmimeve të ankandit, duke krijuar stimuj të vegjël për blerësit, shitësit dhe qeveritë. Me këtë sistem të vogël, mund të nxitet bashkëpunimi shumëpalësh dhe të zgjidhen problemet e mëdha, si infrastruktura për shërbimet publike dhe zhvillimi industrial. Në kohën e pandemisë botërore, reformat e strukturës ekonomike, posaçërisht përmirësimi i ofertës së produkteve publike, duhet të zbatohen me plane largpamëse, por edhe duhet të kenë një mikrosistem të fortë dhe të hollësishëm. Në këtë mënyrë, do të prishet cikli negativ “me vështirësi në caktimin e çmimeve, krijimin e stimujve e reformim” dhe me këtë sistem të vogël, do të nxitet reforma e madhe.

Së dyti, krijimi i ndërlidhjeve pozitive mes praktikës dhe teorisë. Ndryshe nga ekonomistët akademikë, dy fituesit e çmimit "Nobel" për këtë vit janë ekonomistë praktikë dhe kanë integruar thellësisht teoritë e tyre me eksplorimet praktike, duke realizuar zhvillimin e pandërprerë të teorive.

Paul Milgrom-i ka drejtuar planifikimin dhe hartimin e shumë projekteve të famshme të ankandit për licencat e telekomunikacionit në ShBA. Ai ka çliruar sistemin e ankandit të kufizuar nga teoria e “simetrisë së informacionit” dhe e ka shfrytëzuar atë në botën reale me “asimetrinë e informacionit”, duke pasur sukses të madh.

Në kohën e epidemisë globale, shumë teori dhe mjete tradicionale ekonomike nuk kanë më efekt, prandaj teoricienët e ekonomisë kanë nevojë që të bashkëpunojnë ngushtë me ekonomistët praktikë dhe të kërkojnë një model të ri për zhvillimin ekonomik të botës.

Në përgjithësi, këta dy fitues të çmimit "Nobel" kanë bërë studime dhe kanë provuar që në kushtet e asimetrisë së informacionit, për të realizuar ekuilibrimin e efektivitetit dhe barazisë, është shumë e rëndësishme që të bëhet planifikimi i hollësishëm i zhvillimit ekonomik. Në botën e tanishme, epidemia e COVID-19 vazhdon të përhapet, ekonomia globale është në rënie dhe proteksionizmi është në rritje. Për një gjendje të re zhvillimi, duhet t'u kushtohet rëndësi detajeve të planikimit, të respektohen risitë e sistemit ekzistues dhe të krijohen kushtet për riformimin e rendit ndërkombëtar dhe parandalimin e epidemisë e mëkëmbjen ekonomike.

Çmimi "Nobel" 2020 është fokusuar te një sektor i vogël dhe ndoshta nuk ka ofruar udhëzime të drejtpërdrejta akademike për zgjidhjen e problemeve të tanishme. Por çmimi i sivjetshëm dhe arritjet e dy ekonomistëve kanë ofruar një mençuri frymëzuese për gjetjen e një rrugëdaljeje përpara vështirësive ekonomike.

Ky model i ri i krijuar nga fituesit e çmimit "Nobel" në ekonomi sivjet në fakt është si një gjysmërecetë për ekonominë botërore në kohën e pandemisë. Gjysma tjetër e recetës ndodhet në praktikat e kohës sonë dhe kjo pjesë do të përcaktojë situatën globale.

Nëse e shohim nga ana e përgjithshme, thelbi i çmimit "Nobel" për ekonominë është vlerësim për teoritë klasike. Por frymëzimi teorik është vetëm gjysma e recetës, ndërsa gjysma tjetër ndodhet në praktikë dhe kjo është përgjigje për sfidat ekonomike të kohës sonë. Me frymëzimin nga dy fituesit e çmimit "Nobel", mund të besojmë që në të ardhmen, zhvillimi i teorive ekonomike do të ofrojë më shumë “ilaçe të mira” në tre sektorë.

Së pari, ekonomia digjitale. Nga njëra anë, digjitalizimi i ekonomisë po aktivizon gjallëri të reja rritjeje dhe, nga ana tjetër, raundi i ri i globalizimit që bazohet te ekonomia digjitale, mund të ristrukturojë sistemin ekonomik-tregtar botëror dhe "të rindezë" motorin e mëkëmbjes globale. Me praktikat e shumta të ekonomisë digjitale, inovacioni i teorive përkatëse do të tregojë gjallëri të madhe dhe do të ketë rol udhëheqës.

Së dyti, ekonomia publike. Në kohën e pandemisë globale, vështirësitë ekonomike janë të ndryshme nga kriza financiare. Për ekonomitë e botës, parandalimi i epidemisë dhe ofrimi i produkteve publike përcaktojnë në mënyrë thelbësore shpejtësinë e mëkëmbjes ekonomike. Për komunitetin ndërkombëtar, prodhimi dhe shpërndarja e produkteve publike ndërkombëtare, si vaksinat, rregullat ndërkombëtare, infrastruktura dhe teknologjia, do të ndikojnë thellësisht në zhvillimin ekonomik të botës.

Së treti, ekonomia elastike. Përpara pandemisë globale, shumë teori dhe mjete tradicionale nuk funksionojnë siç duhet. Atëherë, mund të heqim ngarkesat e kaluara dhe të krijojmë një sistem teorish dhe mjetesh më të hapur dhe më elastik. Për një sistem të tillë, duhet të heqim paragjykimet mes shkollave të mendimit, rajoneve e kulturave të ndryshme dhe të kthehemi te standardi i bazuar mbi praktikën, duke marrë më shumë fryte konkrete nga vendet në zhvillim dhe rajonet që kanë pasur rezultate në luftën antiepidemike. (Jiang Lei)