Me moton “Një grua më e fortë në ekonomi, sjell prosperitet për familjen dhe shoqërinë”,gratë sipërmarrëse shqiptare zyrtarizuan pak ditë më parë në një aktivitet në Tiranë, “Dhomën Ekonomike të Gruas”

Me gra sipërmarrëse në bizneset, në prodhim, shërbim e konsulencë, kjo Dhomë synon të jetë zëri dhe pika fuqizuese e sipërmarrjeve. Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë dhjetëra gra sipërmarrëse, ekspertë, zyrtarë e përfaqësues të qeverisë. Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Dhomës Ekonomike të Gruas, Antonela Hako u shpreh se:


"Dhoma ekonomike e gruas është një nisëm e grave sipërmarrëse me dëshirën dhe qëllimin e vetëm për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të sipërmarrjes dhe të vendit në tërësi. Duam ta shohim Dhomën si një motiv për të ecur përpara sëbashku, për të ndarë me njëra- tjetrën dhe me të gjithë, ecurinë, përvojën, nevojat që ka ekonomia për zhvillim dhe për të ecur përpara.

Edhe pse zyrtarisht ne kemi pak muaj që jemi regjistruar, diskutimet, bisedat, detajet, dëshirën për ta zhvilluar Dhomën kemi më shumë se një vit që jemi mbledhur e kemi vendosur për të krijuar “Dhomën Ekonomike të Gruas”. Secila prej nesh sjell dhjetra vite përvojë nga biznesi ku punon e drejton, ku ka bërë karrierën, ku ka drejtuar e manaxhuar, sjell dëshirën për kontribut, ecurinë, arritjet, sukseset, dështimet, sfidat e vështirësitë. Secila prej nesh në thelb jemi të ndryshme, por edhe të ngjashme. Ajo që na lidh fortë me njëra-tjetrën është qëllimi për të cilin jemi mbledhur, që të japim kontribut dhe të jemi një zë i fuqishëm, që sipërmarrja të zhvillohet më tej, qoftë biznes i vogël apo i madh”, tha kryetarja e Dhomës Ekonomike të Gruas, Antoneta Hako.

E pranishme gjatë ceremonisë së hapjes, ministrja e ekonomisë dhe financës Anila Denaj tha se, kjo është një nismë e vonuar, por ende në kohën e duhur për të rritur përfaqësinë e gruas dhe për të fuqizuar zërin e saj.


Denaj: “Ne jetojmë në një pabarazi gjinore kur vjen puna te prodhimi, dhe fillojmë me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në Shqipëri kalkulohet që 20% është hendeku ose ajo që i mungon PPB nga pabarazia gjinore. Ndërkohë vijmë me një trashëgimi shumë të pasur në kohët e mëparshme, ku pabarazia në arsim dhe shëndetësi vjen në kuadrin e shifrave 0.99 dhe 0.98 respektivisht që do të thotë që kemi një arsim të barabartë me burrat dhe do të meritonim ndoshta një përfaqësim të denjë 50 me 50. Por këtë do t'ia lëmë kohës, e rëndësishme është që t'i japim zgjidhje problemeve të sipërmarrjes. Shumë e rëndësishme është që ne të vendosim në fokus se si e gjithë kjo të gërshetohet me një zinxhir të plotë të marëdhënieve si në zonat urbane dhe ato rurale”.

Ministri i Mbrojtjes së Sipërmarrjes Eduart Shalsi, pohoi se:


Ne ndeshemi me shumë sfida dhe sfida juaj më e rëndësishme është që të përfaqësoni, jo thjesht bizneset tuaja, por bizneset e të gjithë asaj kategorie që po provon kontributin dhe mund ta luajnë një rol shumë më të madh. Kur ne na vijnë në një zë problemet për një sektor apo një industri, zëri dëgjohet më shumë. Ndaj sfida e përfaqësimit të sa më shumë grave, është një sfidë që mbetet dhe unë besoj se duke iu uruar mirëseardhjen në tregun e përfaqësimit dhe duke pritur me padurim të bashkëpunojmë, do t'i keni gjithmon dyert ttë hapura”, theksoi ministri Shalsi

E pranishme në këtë ceremoni Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vlerësoi kontributin e gruas sipërmarrëse:


Shpresoj shumë, dhe jam shumë e kënaqur që kjo ide dhe kjo inisiativë tashmë po mer një rrugë të konsoliduar. Ndaj dua t'iu uroj dhe njëherë për vendimin për tu bashkuar, duke shpresuar që do të bëheni shumë edhe më shumë në ditët që vijnë dhe duke shpresuar gjithashtu që Dhoma Ekonomike e Gruas Shqiptare të jetë pjesë e një zinxhiri apo netëorku më të gjërë, duke filluar nga një netëork-u rajonal, për të kaluar më tej me patneritete të tjera me vende të BE”, tha Bregu

Studime të shumta tregojnë se gratë kanë më pak akses në financa, çka e bën më të vështirë për to, përballimin e situatave të krizave.

“Dhoma Ekonomikë e Gruas” do të synojë të sjellë opinionet, shqetësimet, sfidat, vështirësitë e grave sipërmarrëse. Por dhe arritjet, historitë motivuese dhe sukseset e tyre. Kjo do të shërbejë si nxitje për sipërmarrjet e reja.

“Dhoma Ekonomikë e Gruas” do të mbrojë interesat ekonomike dhe sociale të grave sipërmarrëse, profesioniste dhe të vetëpunësuara nga të gjitha sektorët e ekonomisë, si dhe ofrimin e shërbimeve ndaj tyre përmes zhvillimit të politikave favorizuese per mbështetjen ekonomike dhe sociale. Gjithashtu “Dhoma Ekonomikë e Gruas” do të ofrojë veprimtari promovuese dhe zhvilluese, trajnim dhe mentorim, bashkëpunime kombëtare dhe rajonale, zgjerim të tregut në nivel rajonal, ngritje të një rrjeti networku, projekte dhe konsulenca, informim të vazhdushëm, si dhe mbështetje për zhvillimin e startup-eve dhe biznesit të vogël.

Elida Lazi