Qeveria përmes Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) kërkon t’i japë një dimension të ri zhvillimi, zonës piktoreske të Ulëz Shkopetit. Mbështetja fokusohet në dy drejtime kryesore, atë të peshkimit, përmes ngritjes së qendrës së grumbullimit dhe shitjes së peshkut dhe diversifikimin e fondit pyjor të kësaj zone përmes financimit të fermerëve, me një grant prej 5 milionë lekë.

Artan Miza, drejtues i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, në këtë zonë, tha se "me organizimin e ri të peshkatarëve sipas rregullave të përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, peshkimi në këtë liqenin është disiplinuar dhe nuk ka raste të gjuetisë së paligjshme dhe prodhimi i peshkut po shënon rritje".

Miza shprehet se, Ulëz Shkopeti, është zona e tretë pas Shkodrës dhe Pogradecit, ku do të ngrihet qendra e re e grumbullimit dhe tregtimit me ankand të peshkut, me mbështetjen e fondeve nga AZHBR.

“Kjo qendër është instrumenti kryesor në zhvillimin e këtij aktiviteti ekonomik me përfitime të mëdha për banorët e zonës, por edhe një vlerë e shtuar për agroturizmin, me kulinarinë tradicionale të peshkut”- tha Miza.

Peshkatari më i vjetër i kësaj zone, Preng Gjoni, theksoi rëndësinë e qendrës së re të grumbullimit të peshkimit. Sipas tij “qendra e re e grumbullimit dhe tregtimit të peshkut do të motivojë peshkatarët e zonës të rrisin prodhimin, pasi do të ketë treg të sigurt shitjeje dhe me çmime të leverdisshme”.

“Do t’i rikthehemi kështu traditës së hershme ku peshkimi ishte ndër aktivitetet kryesore për banorët e Ulëz Shkopetit” – u shpreh ai.

Ulëz Shkopeti tashmë ka status të veçantë, “zonë e mbrojtur”. Mbështetja me grante për fermerët nga AZHBR-ja, me një fond prej 5 milionë lekësh, ka ndikuar në shtimin e fondit pyjor dhe mirëmbajtjen e pyjeve të kësaj zone, që janë një pasuri e madhe mjedisore dhe ekonomike për banorët.

Mirëadministrimi i fondit pyjor, ruajtja nga dëmtimet, zjarret dhe shtimi me pemë të reja, përmes programit mbështetës të AZHBR-së, “Për Diversifikimin e Pyjeve” është në harmoni me mjedisin dhe stimulon që kjo zonë të mund të zhvillohet dhe të jetë lehtësisht e vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj.

Llesh Lleshaj, kreu i Inspektoriatit të Pyjeve, në njësinë administrative Ulëz Shkopet tha për ATSH-në se “rreth 30 familje të zonës kanë përfituar nga grantet e AZHBR-së, për mirëadministrimin e fondit pyjor, që ato kanë në pronësi, duke u kujdesur për pyllëzime të reja, dhe mbrojtjen e tyre”.

68 km nga Tirana, Ulëz Shkopeti, është një ndër zonat me bukuri natyrore dhe historike të veçanta. Sipërmarrësit vendas shprehen se mbështetja përmes granteve në sektorin e peshkimit dhe të pyjeve, po nxit aktivitetin e agroturizmit dhe të sporteve të aventurës, që synojnë ta kthejnë liqenin Ulëz Shkopetit, në një vend ku zhvillohen pasionet si peshkimi, gara me kanoe, apo haiking, që janë mjaft të kërkuara nga turistët e huaj.

Udhëtimi përgjatë liqenit 11 km të gjatë të impresionon me pamjen e mrekullueshme të dy shkëmbinjve të mëdhenj që ngrihen në hyrje, në dy krahët e liqenit, ndërsa nga të gjitha anët rrethohesh nga gjelbërimi.

Aleks Malçi, peshkatar njëherazi sipërmarrës në sektorin e agroturizmit, shprehet se mbrojtja e faunës dhe florës, ku dominojnë lloje të ndryshme të peshqve si krap, mustakë sardele etj, e kanë shndërruar Ulëz Shkopetin në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët e vendit dhe turistët e huaj.

“Situata e pandemisë e ka tkurrur fluksin e vizitorëve në këtë periudhë, kur vitet e kaluara sezoni i korrikut ishte mjaft i frekuentuar”, por gjithsesi thotë Malçi, kanë filluar të vijnë pushues nga qytete të tjera të vendit, kryesisht nga Tirana.

Liqeni Ulëz Shkopet ka një gjatësi prej 11 km, thellësia e tij arrin deri 55 m dhe gjerësi 240 metër. Kjo zonë 2 orë larg Tiranës të jep mundësi të kalosh një ditë apo fundjavë çlodhëse.

Ndërsa zhvillimi i zonës si destinacion i atraksionit turistik, po gjenerohet paralelisht me vullnetin e banorëve pasionantë nga njëra anë dhe të mbështetjes së institucioneve të shtetit nga ana tjetër, që kanë adresuar investime në inkurajimin e nismave turistike, në harmoni me natyrën, duke ruajtuar të paprekur florën e faunën.

Qeveria po i kushton vëmendje financimit dhe investimeve në sektorin e peshkimit. Me një fond prej 90 milionë euro kredi e butë nga qeveria italiane do të investohen 25 milionë euro në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimin.

Financimi do të përdoret për rindërtimin e portit të peshkimit të Vlorës, të Shëngjinit dhe Durrësit, bën të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

25 milionë euro për portet e peshkimit është investimi më i madh për sektorin në 30 vjet. Injektimi i mbështetjes financiare ka zgjeruar hartën e eksportit të peshkut nga Shqipëria e cila është zgjeruar vitet e fundit në 11 shtete të ndryshme, duke shënuar rritje të ekporteve në volum dhe vlerë.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, pavarësisht situatës së vështirë të shkaktuar nga pandemia, peshkimi eksportoi rreth 50 milionë euro produkte deti.

Sipas INSTAT, në 6-mujorin e parë të këtij viti, janë eksportuar më shumë se 7993 tonë produkte peshku, duke arritur vlerën e 50 milionë euro.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2017 eksportet e u peshkut u rritën në 5583 tonë kundrejt vitit 2015 që shënoi 3452 tonë eksporte.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit po shkon drejt katërfishimit, krahasuar me vitin 2013. Vetëm gjatë vitit 2019 vlera e eksporteve shqiptare të peshkut arriti në 100 milionë euro. Rritje e mëtejshme me 24,5% është shënuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Prej 6 vitesh peshkatarët e marrin naftën pa taksa, rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja.

Qeveria së bashku me Bashkimin Evropian do të vënë në dispozicion një grant prej 1.5 milionë euro për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit

Ndërkohë zhvillim ka marrë edhe industria e përpunimit të peshkut. Numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut në Shqipëri është dyfishuar që prej vitit 2013. Nga 16 ndërmarrje që operonin në këtë sektor në vitin 2013, sot numri i tyre ka arritur në 32.

Porti i Vlorës do të ribëhet pothuajse nga e para dhe është në vazhdën e investimeve që po kryhen në këtë port si merkato e tregtimit me shumicë, ndërtimi i kantierit së shpejti dhe thellimi i tij me fondet e buxhetit të shtetit vitin e ardhshëm.

Etleva Xhajanka