Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së që u zhvillua në muajin korrik, u vu në dukje që, përballë gjendjes së ndërlikuar ekonomike, Kina duhet të formojë shpejt modelin e ri të zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si thelb dhe me nxitjen e ndërsjellë të dy qarkullimeve: të brendshëm dhe të jashtëm.

Kjo është rruga e zhvillimit për ekonominë kineze në vitet e ardhshme dhe qarkullimi i brendshëm është bërë fokusi që diskutohet mjaft nga qarqet e ndryshme.

Vlen të përmendet që qarkullimi i brendshëm dhe qarkullimi i jashtëm nuk janë përgjigjja e vetme për zhvillimin ekonomik. Në fakt, Kina ka përcaktuar modelin e ri të zhvillimit me dy qarkullime. Ky model nuk mund të realizohet brenda një kohe të shkurtër dhe nuk është një koncept i krijuar brenda një nate. Qeveria kineze ka theksuar që duhet të kuptohet ky model i ri “me anën e luftës së vazhdueshme”. Kjo do të thotë që formimi i modelit të ri të zhvillimit është shpejtuar nga gjendja e tanishme epidemike dhe situata e ekonomisë botërore.

Për një zhvillim të balancuar mes krahinave të ndryshme të Kinës dhe për zhvillimin ekonomik të krahinave të brendshme, qarkullimi i brendshëm nuk është një gjë negative. Në ekonominë rajonale ka një teori: nëse ushqimet merren lehtësisht nga pema, njerëzit nuk e punojnë tokën me zell. Kjo teori vlen edhe për tregtinë. Për arsye që tregtia e jashtme ka përfitime të mëdha, është mënjanuar zgjerimi i tregut të brendshëm.

Mund të shohim shpeshherë që mallrat e produktet e brendshme në qytete të mesme ose të vogla, megjithëse kanë cilësi të mirë, nuk njihen nga konsumatorët. Ndërsa shumë marka të huaja që nuk kanë epërsi të dukshme në cilësi, e kanë rrudhur hapësirën e mallrave vendase në tregun kinez.

Për këtë arsye, qarkullimi i brendshëm do t'i shtyjë ndërmarrjet dhe sipërmarrësit t'i kushtojnë më shumë vëmendje tregut vendas dhe t'i zhvendosin në krahinat qendrore dhe perëndimore të Kinës fabrikat dhe pajisjet që kishin në plan për t'i kaluar në Azinë Juglindore. Kjo mund të shtojë gjallërinë e ndërmarrjeve për zgjerimin e tregut në krahinat e brendshme dhe t'i ndihmojë ndërmarrjet vendase të rriten shpejt, duke nxitur gjithashtu zhvillimin e krahinave qendrore dhe perëndimore.

Globalizimi ende është prirja e pakthyeshme

Qarkullimi i brendshëm nuk do të thotë mbyllje e derës. Mendimi për "mbyllje" nuk përshtatet me ligjet ekonomik. Në librin “Pasuria e kombeve”, Adam Smith ka shkruar mbi logjikën e zhvillimit ekonomik të një vendi: zhvillimi ekonomik shfaqet me rritjen e të ardhurave për frymë dhe shtimi i produktivitetit është burimi i vetëm për rritjen e të ardhurave për frymë; për produktivitet të lartë, duhet të thellohet ndarja e punës dhe niveli i profesionalizimit dhe kusht bazë për thellimin e ndarjes së punës dhe profesionalizimit është zmadhimi i përmasave të tregut.

Ndërlidhja mes tregjeve botërore ka sjellë përfitime të mëdha, që e kanë kaluar vlerën e përfitimeve të përgjithshme të qarkullimit të brendshëm të të gjitha vendeve. Çdo ekonomi ka përfitime e përparon vetëm kur integrohet ose përplotësohet me ekonomitë e tjera. Në fakt, integrimi i tregjeve të ndryshme e ka një funksion: zgjerimi i tregut zakonisht shoqërohet me përparime teknologjike që shfaqen kryesisht gjatë procesit të thellimit të ndarjes së punës e profesionalizimit dhe përparimi teknologjik luan rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

Ndërlidhja ekonomike dhe shkëmbimet njerëzore janë një prirje globale. Megjithëse ekzistojnë zigzage, prirja kryesore nuk mund të ndalet.

Kina ka qenë gjithmonë mbrojtëse e nxitëse e globalizimit dhe ka bërë përpjekje për nxitjen e qarkullimit ndërkombëtar. Në një periudhë kur po rritet antiglobalizimi, Kina i ka kushtuar më shumë vëmendje reformës e hapjes. Nga nisma “Një brez, një rrugë” e shtimi i zonave eksperimentale të tregtisë së lirë deri në ndërtimin e portit të tregtisë së lirë dhe organizimin e ekspozitës së importit, Kina po zbaton programin e “daljes jashtë vendit” dhe të “sjelljes brenda vendit”, duke u përpjekur për të zhvilluar tregti me ekonomitë e reja. Kjo është strategjia kombëtare që përshtatet me prirjen e kohës dhe nuk do të ndryshojë përpara presioneve të jashtme.

Praktika e suksesshme e zhvillimit të Kinës dhe e mjaft vendeve të tjera ka provuar që ekonomia mund të zhvillohet shumë vetëm nëse hapet më shumë tregu. Prandaj, Kina ka theksuar zhvillimin me qarkullimin e brendshëm si thelb, paralelisht me nxitjen e ndërsjellë mes qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Kjo është një zgjedhje e arsyeshme për zhvillimin ekonomik të Kinës.

(Jiang Lei)