Përdorimi i mbetjeve organike nga vaji i ullirit dhe industri të tjera mund të jetë transformues për furnizimin me energji të sipërmarrjeve të vogla, duke sjellë përfitime ekonomike.

Sipas PNUD-it “vendosja e teknologjive bio-energjetike në vend të kaldajave me karburant, që përdorin sot bizneset bujqësore kryesisht ato të serrave do të çojë në ulje të ndjeshme të emetimit të gazrave serrë dhe do të ndihmojë Shqipërinë në transformimin e saj drejt zhvillimit të ulët të karbonit”.

Agjencia e Zhvillimit Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), që promovon zhvillimin industrial dhe qëndrueshmërinë mjedisore, në bashkëpunim me qeverië e Shqipërisë, po zbatojnë një projekt të financuar nga GEF-5 me 4.5 milionë dollar për demonstrimin e përdorimit të biomasës në prodhimin e energjisë në industrinë e vajit të ullirit, duke synuar dhe angazhuar NVM-të në iniciativat që promovojnë përdorimin e teknologjive të energjisë inovative dhe miqësore me mjedisin.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të rrisë përdorimin e aplikacioneve të teknologjisë bio-energjetike për prodhimin e energjisë në industrinë e vajit të ullirit përmes aplikimit të suksesshëm në ndërmarrjet e synuara.

Projekti GEF-UNIDO synon të transformojë tregun për përdorimin e mbetjeve organike nga vaji i ullirit dhe industri të tjera për prodhimin e energjisë.

Projekti bazohet në qasjen për të angazhuar sektorin privat, duke lehtësuar zhvillimin e qëndrueshëm industrial dhe forcimin e kornizës së politikave për të mundësuar një ankorim në institucionet kombëtare dhe kështu të nxisë rritjen ekonomike. Industria e vajit të ullirit është shumë e rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e bërsisë së ullirit para fillimit të projektit të UNIDO-s, hidhej duke ndotur tokën ose lumenjtë dhe nuk përdorej ky burim shumë i rëndësishëm i energjisë.

Në Shqipëri bujqësia përbën 20% të prodhmit të brendshëm bruto. Në këtë vend të Evropës Juglindore, industria e vajit të ullirit luan një rol të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë. Modernizimi i praktikave këtu mund të përmirësojë të ardhmen në të gjithë vendin, që do të thotë zgjidhje të qëndrueshme. Një projekt i ri po tregon se çfarë mund të bëhet. Yzeir Nezha bashkë me familjen e tij ka një fermë në Jug të Shqipërisë ku kultivon ullinj, domate dhe perime të tjera. Në të shkuarën ai përdorte gjeneratorë të shtrenjtë me naftë si burim energjie. Tani duke përdorur mbetjet nga prodhimi i vajit të ullirit, ai ka mundësinë e një burimi energjie sa herë që i duhet, duke e lejuar të rritë perime dhe të eksportojë prodhime në Gjermani, gjatë gjithë vitit.

Në periferi të Tiranës ndodhet fabrika “Subashi”, prodhuese e vajit të ullirit. Fermerët vendas sjellin këtu ullinjtë e mbledhur, për të prodhuar vaj ulliri. “Subashi” i kalon mbetjet në kazanin e biomasës në mënyrë që të ngrohë ujin që përdor në procesin e shtypjes së ullirit. Nxehtësia që tepron përdoret për të ngrohur shtëpinë e pronarëve e cila ndodhet sipër fabrikës. Gjithashtu ata ua shesin mbetjet bizneseve, të cilët prodhojnë peletë për kaldaja me djegie biomase.

Silvana përfaqësuese e kësaj kompanie shprehet se e shet prodhimin e vajit të një cilësisë së lartë, po ashtu edhe prodhime të tjera të bëra nga druri i ullirit, në një dyqan në qendër të Tiranës. Përveçse drejton këtë biznes, ajo është edhe kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit. Ajo thotë se teknologjia e biomasës ka përfitime të qarta, që po kuptohen edhe nga anëtarët e shoqatës.

Ferma e Yzeir Nezhës dhe fabrika “Subashi” marrin pjesë në një projekt pilot nga UNIDO (Organizata e Zhvillimit Industrial të Kombeve të Bashkuara). Projekti mbështetet nga GEF Struktura Botërore e Mjedisit dhe qeveria shqiptare dhe synon të demonstrojë teknologjitë në 15 projekte pilot. Pjesëmarrësit përfitojnë subvencione për koston e kaldajave të reja si dhe asistencë teknike.

Henri Hyso, Koordinatori Kombëtar i Projektit UNIDO Shqipëri tha se, “Deri tani ndërmarrjet ndotnin mjedisin, duke i hedhur mbeturinat jashtë fabrikave të tyre, por tani ata mund të përdorin mbeturinat brenda strukturave e të prodhojnë nxehtësi dhe elektricitet për nevojat e tyre”.

Ndërsa sipas Pëllumb Abeshit, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Mjedisore “kjo është teknologjia e së ardhmes, që do të përdoret për shumë vite sepse bioenergjia dhe energjia e rinovueshme do të jetë objektivi kryesor për politika të ndryshme sektoriale të qeverisë shqiptare për industrinë, mjedisin, bujqësinë dhe transportin.

UNIDO ka punuar me ekspertë të ndryshëm në fushën e bioenergjisë.

Besim Islami, ekspert në Grupin e Këshillimit për Mjedisin Energjik thotë se shumica e fabrikave të vogla kanë përdorur naftë ose dru zjarri, e cila është shumë deficitare dhe shumë e kushtueshme. Kështu që zëvendësimi i karburantit me bërsitë e ullirit, ka disa dobi.

Projekti po sjell edhe përfitime shoqërore. Në qytetin e Elbasanit, “FABI” është një kompani që grumbullon tallash dhe bërsitë e ullirit dhe UNIDO e subvencionon për koston e pajisjeve të reja që përdor për të prodhuar pelete tallashi dhe bërsie ulliri me efikasitet të lartë energjie. Kompania “FABI” i shet këto pelete në shkolla, kopshte dhe spitalet lokale, në mënyrë që ata të ngrohin ambientet e tyre me kosto më të ulët.

Ekspertët thonë se ekziston një potencial i madh për t’i aplikuar këto teknologji në sektorë të tjerë, siç është prodhimi i verës, birrës dhe prodhimi i reçelit.

Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2019 prodhimi i ullirit shënoi sasinë e 98 313 tonëve dhe prodhimi i vajit të ullirit po në këtë vit arriti në 20 038 tonë. Shqipëria po zgjeron krahas prodhimit edhe eksportin e vajit të ullirit “Made in Albania”.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit regjistrohet në qarkun e Beratit me mbi 38 mijë tonë, pasuar nga qarqet Fier me rreth 33 mijë tonë dhe Vlorë me mbi 17 mijë tonë.

Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri. Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet europiane.

Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore, vlera dhe rëndësia e këtij prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.

Etleva Xhajanka