Në fund të muajit qershor, Treguesi i Veprimtarisë Ekonomike me Denduri të Lartë (YHEI) ishte 1.06, niveli më i lartë pas shpërthimit të epidemisë. Qysh nga 22 qershori deri më tani, ky tregues ka qëndruar mbi nivelin mesatar të vitit 2019. Kjo do të thotë që, në përgjithësi, veprimtaria ekonomike në Kinë është rikthyer në normalitet.


Megjithëse Kina ka përballuar goditjen nga COVID-19 dhe gjendja ekonomike është në mëkëmbje të shpejtë, gjallëria ekonomike duhet të çlirohet më shumë, për të realizuar objektivat kryesorë të zhvillimit të përgjithshëm.


Për gjashtëmujorin e dytë, zhvillimi ekonomik është një detyrë e rëndë dhe duhet të shpejtohet më tej procesi i reformimit i bazuar te tregu, për të çliruar plotësisht gjallërinë ekonomike.


Në mbledhjen e 14-t të Komisionit të Thellimit të Gjithanshëm të Reformës të PKK-së, u propozua që, për të arritur detyrat kryesore të planit të 13-të 5-vjeçar dhe të arrihet fitorja e luftës për zhdukjen e varfërisë, duhet të luhet roli drejtues i reformave, të përballohet ndryshimi i rrethanave duke u mbështetur te reformat dhe të eksplorohen gjendjet e reja, të këmbëngulet në objektivat kryesorë e problemet përkatëse dhe të vendoset fokusi tek efektet konkrete të reformave. Kështu, masat reformuese do t’i shërbejnë më mirë zhvillimit shoqëror e ekonomik.


Në fakt, çlirimi i gjallërisë ekonomike nëpërmjet reformave është një politikë e vazhdueshme në vitet e fundit. Në prill 2020 u publikua dokumenti “Opinione për përmirësimin e sistemit mbi marketizimin e faktorëve prodhues”, ku parimi kryesor është që faktorët prodhues duhet të përcaktohen nga tregu dhe të luhet plotësisht roli vendimtar i tregut në shpërndarjen e burimeve. Me një fjalë, vendimmarrësit e kanë përcaktuar marketizimin si synimin e reformave në fusha të ndryshme.


Për shkak të epidemisë, në tremujorin e parë të vitit ekonomia kineze pësoi një goditje të rëndë. Pas kontrollit të epidemisë, ka rifilluar puna e prodhimi dhe treguesit ekonomikë në tremujorin e dytë janë në përmirësim të dukshëm. P. sh., Treguesi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) në qershor shënoi nivelin 50.9 dhe treguesi i prodhimit arriti në 53.9, duke u rritur për katër muaj radhas.


Në gjashtëmujorin e dytë ekonomia do të vazhdojë të përballojë presione. Megjithëse mëkëmbja ekonomike e Kinës ka spikatur ndër të gjitha ekonomitë kryesore të botës, duke i kaluar parashikimet, do të jetë e vështirë që të arrijë nivelin e para shpërthimit të epidemisë.


Për këtë arsye, duhet të thellohen reformat e të injektohet gjallëri nëpërmjet marketizimit. Po të shohim projektet e miratuara nga mbledhja e Komisionit të Thellimit të Gjithanshëm të Reformës të PKK-së, del që detyra e parë është çlirimi i aftësive prodhuese.


P. sh., për ndërmarrjet shtetërore, reformat, si reforma mbi sistemin e pronësisë së përbashkët, riorganizimin dhe sistemin e mbikëqyrjes, do të futen në fazën e re thelbësore. Ndër to, reforma mbi sistemin e pronësisë së përbashkët është një pikë kthese e rëndësishme. Marketizimi është synimi i reformave dhe sfera e reformave do të zgjerohet më tej, përmbajtja e reformave do të pasurohet më tej dhe reformat në këtë drejtim do të futen në fazën e re.


Ndërkohë, për t’u përshtatur me revolucionin e ri tekniko-shkencor dhe transformimin industrial, duhet të nxitet integrimi i teknologjisë së informacionit dhe sektorit të prodhimit. Kjo mund të sjellë gjallëri të re për zhvillimin ekonomik.


Në të ardhmen, prodhimi inteligjent do të jetë një drejtim kryesor. Do të shpejtohet novacioni i sektorit të internetit industrial dhe reforma thelbësore lidhur me modelin e prodhimit dhe strukturën e ndërmarrjeve, do të konsolidohet baza për zhvillim të integruar dhe do të ngrihet niveli i prodhimit të digjitalizuar, të internetizuar dhe të zgjuar.


Në përgjithësi, në pjesën e dytë të vitit, zhvillimi ekonomik përballon një detyrë shumë të vështirë dhe medoemos duhet të shpejtohet procesi i reformave, të thellohen ato dhe të çlirohet plotësisht gjallëria e zhvillimit me marketizimin si drejtim kryesor.