Tirana dhe Pekini, të ndodhura mijëra kilometra larg gjeografikisht përgjatë dekadave disa herë i kanë shkurtuar, por edhe zgjatur largësitë. Nodhte kështu sipas stinëve politike dhe korrenteve që përshkonin komunikimin midis dy vendeve. Në memorien historike të Shqipërisë dhe Kinës, një ngjarje është kremtuar më të njëjtin entusiazëm dhe krenari, madje ashtu si në qiellin e Pekinit edhe të Tiranës do të ndriçonin fishekzjarret. Ishte një ngjarje e 50 viteve më parë, kur Kina rikthehej në OKB, ngjarje shumë e rëndësishme për vendin më të madh të botës, mbase më e rëndësishmja në fushën diplomatike në periudhën e Mao Ce Dunit.

Sihariqi i kësaj fitoreje të Kinës në arenën ndërkombëtare ndahej midis Tiranës dhe Pekinit, si një fitore e përbashkët e dy miqve ideologjikë dhe aleatë politikë. Shqipëria me kontributin e vet për vite me radhe kishte mbështetur pa rezerva kthimin e arsyeshëm të Kinës në OKB. Shteti i vogël buzë Adriatikut ia kishte dalë të bëhej promotor i një kërkese të drejtë e legjitime.

Kontributi shqiptar do të përkthehej në një mirënjohje të pakursyer kineze. Ishte fundi i vitit 1971 kur ngjarja diplomatike më e madhe e kohës festohej me madhështi në të dy kryeqytetet e vendeve mike. Ishin kohët e arta kur dashuria e Kinës për Shqipërinë shndërrohej në ndihma ekonomike të pakursyera që bënë që shteti komunist, i izoluar pothuaj në të gjitha drejtimet, të ecte i sigurt dhe i vendosur në rrugën e tij. Ndihmat ekonomike në të gjitha fushat i tejkalonin shpesh herë nevojat e shtetit shqiptar dhe pavarësisht se Kina përballohej me vështirësi të shumta, ato ishin bujare e të pakursyera për miqte e shtrenjtë të vendit të vogël të Ballkanit. Ishte në themel të këtyre ndihmave jo vetëm dashuria politike midis dy vendeve, jo vetëm aleanca ideologjike, por edhe mirënjohja për kontributin që Shqipëria kishte dhënë, për pranimin e Kinës në OKB.

Realisht përfaqësuesit e Shqipërisë në OKB ishin aktorët kryesorë të gjithë debateve që u zhvilluan në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara dhe këmbëngulja e tyre ishte e pazakontë për mjedisin diplomatik ku zhvillohej debati. Ishte një debat i gjatë, prej disa vitesh, pasi Kinës padrejtësisht i pengohej rikthimi në OKB. Kina përpara shpalljes Republikë Popullore ka qenë anëtare e OKB-së, madje anëtare e Këshillit të Sigurimit, qysh nga dita e parë e riorganizimit të kësaj organizate në vitin 1945.

Ka qenë një rrugëtim dhe një përpjekje e gjatë rikthimi i Kinës në OKB. Ish-ministrat e jashtëm shqiptarë Behar Shtylla, Nesti Nase e Reiz Malile, të cilët në kohë të ndryshme kanë përfaqësuar Shqipërinë në atë organizatë si dhe përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Halim Budo, për vite me radhë kanë iniciuar debatin për rikthimin e Kinës. Ambasadori amerikan i atyre viteve Adlai Stivenson preferonte ta quante Halim Budon, me të cilin ndanin ulëset në sallën e madhe të Pallatit të Xhamtë të OKB-së, “ zëdhënës i Kinës së Kuqe” .

Ishte koha për dashuri. Dy vendet ndonëse në një largësi të madhe gjeografike, kishin lidhur një miqësi aq të ngrohtë, sa as në fantazinë më të madhe të asaj periudhe, nuk mendohej se mund të kishte ftohje. Delegacionet e niveleve të larta, por edhe çdo komunikim tjetër ishin të një natyre që nuk ngjanin me asnjë rast të marëdhënieve ndërshtetërore. Përpara se në Shqipëri të vinin për vizitë kryeministri i kohës Çu En Lai, apo udhëheqës të tjerë të lartë kinezë, në Portin e Durrësit kishte arritur një anije mijëra toneshe me mallra nga Kina. Dashuria ishte kthyer në vëllazëri –siç thuhej gjithnjë.

Kjo miqësi e përmasave jo të zakonëshme bënte që delegacione të vendeve të ndryshme të surprizoheshin nga këmbëngulja, por edhe vendosmëria e diplomatëve shqiptarë në debatin e gjatë të rikthimit të Kinës në OKB. Për shkak të mungesës së përfaqësuesve kinezë në mbledhjet e OKB-së ka qënë delegacioni shqiptar që përballej me sfida e debate kur sulmohej Kina dhe politika e saj.

Përfaqësuesit shqiptarë ishin të gatshëm të polemizonin me cilindo që e kundërshtonte pranimin e Kinës si anëtare me të drejta të plota dhe pa asnjë kusht. Çështja është se për shkak konstelacioneve politike ndërkombëtare të kohës SHBA dhe vendet perëndimore konsideronin Kinën kundërshtare dhe nuk lejonin pranimin e saj në organizatën më të madhe botërore.

Disa herë Shqipëria kishte paraqitur Rezoluta për pranimin e Kinës në OKB, por kishte dështuar në miratimin e tyre. Në fillim të viteve 70-të po vihej re një sensibilizim më i madh për këtë çështje. Përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në OKB Reis Malile, në shtatorin e vitit 1971 e fokusoi gjithë diskutimin e tij për një pranim të pakushtëzuar të Pekinit në Kombet e Bashkuara dhe propozoi një pikë të titulluar: Restaurimi i të drejtave të ligjëshme të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara”. Votimi fitoi 17 me 2 dhe 4 abstenime për hyrjen në rendin e ditës. Pas kësaj, gjërat dukej se po ndryshonin dhe lobimet për pro dhe kundër kishin filluar ethshëm. Shqipëria, pavarësisht ngjyrës ideologjike, tregonte se po realizonte një diplomaci efektive.

Pak para mesnatës së 25 tetorit, pas ditëve e netëve me takime, konsultime, debate e lobime të ndryshme, me një të goditur të çekiçit , drejtuesi i radhës në OKB me 76 vota pro, 35 kundër dhe 17 abstenime njoftoi kalimin e Rezolutës 2578, hartuar nga Shqipëria dhe 17 vende të tjera për pranimin e Kinës në OKB me të drejta të plota dhe përjashtimin e Tajvanit nga kjo organizatë. Ripranimi i Kinës në OKB vinte si rezultat i ndryshimit të ekuilibrave në arenën ndërkombëtare, por edhe rritjes se fuqisë së Kinës dhe ritmeve të zhvillimit të saj.

Kina ka qënë përherë mirënjohëse për këtë kontribut të Shqipërisë. Kjo nuk është shprehur vetëm nepërmjet deklaratave të zyrtarëve kinezë të djeshëm apo të sotëm, por ajo është shoqëruar me ndihma ekonomike të cilat i jepnin ekonomisë shqiptare frymëmarrjen e munguar.

Pavarësisht nervozizmit të Tiranës zyrtare për vizitën në shkurt të vitit 1972 të Niksonit në Kinë, ndihmat ekonomike vijonin normalisht. Pothuaj në të gjitha qytetet shqiptare kishte fabrika dhe uzina që kishin markën “Made in China”. Hidrocentralet në veri të Shqipërisë , vepra që duhet të mateshin mirë shtete më të fuqishëm se Shqipëria për t’i hyrë ndërtimit të tyre, realizoheshin në një kohë të shpejtë dhe me mbështetjen e pakursyer kineze materiale e njerëzore. I gjeje kudo specialistët kinezë, madje në disa qytete kishte edhe pallate banimi posaçërisht për ta. Me ndihmën e Kinës, Shqipëria ka ndërtuar aq hidrocentrale, sa edhe për të shitur energji jashtë vendit, ndërsa në Kinë në atë periudhë kishte akoma fshatra që nuk e besonin se në botë ekziston një magji e tillë si elektriciteti.

Shifrat janë shumë të larta, sipas studiuesit shqiptar dhe ekspert i marëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës Gjon Boriçi, janë më shumë se 4 miliardë dollarë nga viti 1954 deri në vitin 1975 të marra vetëm nga ndihmat dhe kreditë nga Kina. Marëdhëniet me Kinën dhe mbështetja e gjthanëshme që dha ajo, i shpëtuan pushtetin Enver Hoxhës.

Faza kritike e marëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës ishte fundi i viteve 70-të dhe mosmarrëveshjet shfaqen hapur duke u reflektuar në të gjitha aspektet, si politike ashtu edhe ekonomike. Në korrikun e vitit 1977 në “Zërin e Popullit” u botua artikulli “Teoria dhe praktika e revolucionit” , artikull që jepte tashmë publikisht qëndrimin se divorci ishte në prag . Pas kësaj marëdhëniet morën tatëpjetën e tyre të shpejte dhe një vit më pas, me 7 korrik 1978 në letrën që KQ i Partisë Komuniste Kineze i drejtonte udhëqjes së Shqipërisë rreshtonte të gjitha arsyet e pakënaqësitë, por edhe nënvizonte ndihmën e madhe të dhënë nga viti 1954 deri në vitin 1977, duke ngarkuar me përgjegjësi qeverinë e udhëheqjen shqiptare për situatën e krijuar midis dy vendeve.

Për një periudhë pesëvjeçare nuk pati asnjë marëdhënie e komunikim politik, por u ruajtën në një nivel më të ulët marëdhëniet diplomatike.

Ishte vërtetë një periudhë “dimri i vetmisë së madhe”, ku vendi tashmë i izoluar plotësisht, dalëngadalë do ballafaqohej me kriza të rënda dhe që do e vështirësonin jetën e popullsisë.

Në vitin 1983 jepen sinjalet e para të bashkëpunimit tregtar dhe një qëndrim i ri pragmatist në fushën ekonomike, përsëri nuk mundi të ndryshojë qëndrimin dogmatik të politikës zyrtare të Tiranës. Udhëheqja politike në Shqipëri e konsideronte Kinën si një vend që ka marrë rrugën kapitaliste të zhvillimit, që ka afruar raportet me SHBA, që ndaj investitorëve perëndimorë ka hapur dyert, ka lejuar qarkullimin e kapitaleve perëndimorë. Realisht kështu ishte, por kjo qasje e re politike e Kinës i jepte asaj mundësi të mëdha zhvillimi, ndërsa Shqipëria vijonte luftën në të gjitha krahët me imperialistë e revizionistë dhe vendi zhytej përherë e më shumë në vështirësi.

Viti 1991 shënon një kthesë në marëdhëniet midis dy vendeve. Ministri i jashtëm i kohës, Reis Malile shkon për vizitë në Kinë. Në Shqipëri po instalohej pluralizmi politik dhe Partia Demokratike e sapokrijuar proteston. Lufta politike ishte e acaruar në Shqipëri dhe kërkohej çdo ngjarje apo iniciativë politike të kthehej në arenë përplasjesh. Shumë shpejt të gjithë do ta kuptonin se ishte koha për t’i parë ndryshe gjërat dhe për të korigjuar sa më shpejt që ishte e mundur gabimet e rënda të së kaluarës.

Marëdhëniet në këtë periudhë tridhjetëvjeçare kanë njohur një dimension të ri, pragmatist dhe me komunikime në një nivel shumë të lartë të hierakisë shtëtërore. Presidentë dhe kryeministra shqiptarë, drejtuesit e Kuvendit dhe ministra e parlamentarë të shumtë kanë vizituar në kohë të ndryshme Kinën. Shqipëria u ka kushtuar një vëmendje të posaçme marëdhënieve me Kinën dhe vlerëson rolin që luan sot në botë ajo. Kina ka marrë një zhvillim mbresëlënës.

Të gjithë ata që e kanë vizituar këtë vend në kohë të ndryshme dinë të bëjnë krahasimet dhe të flasin për transformimin e madh që ka ndodhur këtu.

Bashkëpunimi me Kinën shikohet nën një këndvështrim të ri, jashtë raporteve ideologjike dhe në planin e interesave reciproke të palëve. Në epokën globale që jetojmë standardi kryesor është ai i interesave ekonomike. Pyetja që shtrohet sot është krejt e thjeshtë: Sa i intereson Shqipërisë të ketë marëdhënie të ngushta ekonomike me Kinën?

Pas BE-së, Kina është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë, por mundësitë dhe ofertat janë shumë më të mëdha. Shqipëria ka angazhime institucionale të partnershipit me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në gjë që ka bërë që të ketë një zhvendosje të vëmendjes në raport me vitet e shkuara, pavarësisht se ajo është e përfshirë në Nismën 17 +1 Angazhimi në këtë nismë është periferik. Kina nga ana e saj ka treguar se është e hapur dhe e mbështet integrimin europian të Shqipërisë, madje e sheh si një mundësi më të madhe për bashkëpunim, duke qënë partneri numër 1 tregtar i BE-së.

Dritëhijet e marëdhënieve midis dy vendeve kamë krijuar në kohë ngecjet e veta, të panevojëshme, por mundësitë e hapura gjithnjë ruajnë optimizmin se dy vendet kanë përsëri shumë mundësi për të ridimensionuar pozitivisht bashkëpunimin.

Kryeministri Rama në 70 vjetorin e vendosjes së marëdhenieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës do të kujtonte me humor se kishte gjetur në një rrobaqepsi të Pekinit kinezë që nuk i kishin harruar këngët shqiptare, ndërsa kryetari i Bashkisë së Pekinit do ta këndonte në darkën e organizuar më këtë rast këngën “ Malet me blerim mbuluar”

Një miqësi e gjatë dhe e thellë e viteve të shkuara vijon të dërgojë mesazhe të afërsisë e të ndjenjës së sinqertë të një marëdhenieje të ngrohtë.

Në përvjetorin e 50-të të rikthimit të Kinës në OKB, në ceremonitë shumë të veçanta që Kina organizoi,vendi dhe mirënjohja për kontributin e Shqipërisë ishte aty, në eventet e mëdha. Në konferencën përkujtimore zhvilluar të hënën në Pekin, Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se nga pikënisja e re historike, Kina do të ndjekë rrugën e zhvillimit paqësor dhe do të jetë gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, do të ndjekë rrugën e reformës së hapjes dhe do të jetë gjithmonë një kontribuese për zhvillimin global si dhe do ndjekë multilaterizmin.

Gjatë këtyre 50 viteve Kina ka bërë përpjekje të mëdha për të promovuar zhvillimin global. Këto 5 dekada kanë dëshmuar praktikën e multilaterizmit të Kinës, pjesmarrjen e saj të plotë dhe mbështetjen për kauzën e OKB-së dhe kontributin e saj të vazhdueshëm për paqen e zhvillimin botëror. Ajo ka marrë pjesë aktive në zgjidhjen politike të pikave të nxehta të mëdha rajonale dhe ka eksploruar e praktikuar zgjidhje me tipare dalluese kineze për çështjet e pikave të nxehta globale. Që nga viti 1990 Kina ka dërguar mbi 50000 paqeruajtës në gati 30 misione të OKB-së. Kina ka krijuar një forcë gatishmërie prej 8000 trupash dhe një skuadër policie të përherëshme prej 300 anëtarësh për misionet paqeruajtëse të OKB-së. Po kështu ka marrë pjesë aktive në kontrollin ndërkombëtar të armëve dhe çarmatimin. Gjithashtu ka promovuar fuqishëm zbatimin e plotë të Strategjisë Globale të OKB-së kundër terrorizmit.

Në vitin 2013 Presidenti Xi Jinping inicoi Nismën “ Një brez, një rrugë”. Deri më sot 141 vende dhe 32 organizata ndërkombëtare, duke përfshirë 19 agjenci të OKB-së kanë nëshkruar dokumente bashkëpunimi në këtë nismë. Janë realizuar një numër i madh projektesh, të cilat kanë rritur lidhjen midis vendeve dhe rajoneve dhe i kanë dhënë një shtysë të fortë zhvillimit ekonomik e social dhe jetesës së njerëzve në vendet e rajonet përkatëse.

Presidenti Xi Jinping propozoi Iniciativën e Zhvillimit Global në debatin e përgjithshëm të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me synimin për të shpejtuar zbatimin e Agjendës 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm nga komuniteti ndërkombëtar. Pas shpërthimit të Covid 19, Kina iu përgjigj në mënyrë aktive Planit të Përgjigjes Humanitare Globale të inicuar nga OKB, duke ofruar ndihmë në materiale përmbi 150 vende e organizata ndërkombëtare dhe duke eksportuar furnizime mjekësore në mbi 200 vende e rajone. Deri me 17 tetor, Kina u ka dhënë më shumë se 1.5 miliardë doza vaksinash kundër Covid 19 mbi 100 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare.

Rruga e Kinës në 50 vitet e hyrjes në OKB ka patur një dinamikë shumë të madhe zhvillimi, impresionuese dhe një përvojë e madhe me rezonancë globale. Arritjet e mëdha të Kinës kanë afektuar pozitivisht ekonominë botërore dhe kanë krijuar balanca të reja, duke i dhënë komunikimit në mes vendeve një dimension të ri. 50 vitet janë një histori e veçantë suksesi për Kinën, por në këtë histori Shqipëria me mbështetjen e sinqertë që ka dhënë, mbetet e privilegjuara e atij momenti historik, që me madhështi e solemnitet, si një nga ngjarjet më të mëdha dhe me një rëndësi historike .

Gëzim Podgorica