Historia politike na tregon se rendi botëror ka adaptuar norma të ndryshme kolektive dhe preferenca të përbashkëta nga një epokë në tjetrën. Rendi botëror është në tranzicion dhe ndryshimi është një fenomen konstant i strukturës brenda sistemit. Kenneth Waltz beson se ndryshimet në sistem ndodhin në të gjitha kohërat, por ndryshimet drastike janë ato që kanë pasoja të mëdha për njerëzimin.

Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, hegjemonia në përgjithësi i referohet aftësisë së një aktori për të formuar sistemin ndërkombëtar. Zakonisht ky aktor është një shtet, siç është Britania e Madhe në shekullin e 19-të ose Shtetet e Bashkuara në shekujt XX dhe XXI.

Hegjemonia si status quo tregon një situatë të asimetrisë së madhe materiale në favor të një shteti, që ka: fuqi të mjaftueshme ushtarake për të mposhtur sistematikisht çdo kontestues të mundshëm në sistem; kontrollon qasjen në lëndët e para, burimet natyrore, kapitalit dhe tregjet; ka përparësi konkurruese në prodhimin e mallrave me vlerë të shtuar; gjeneron një ideologji të pranuar që pasqyron këtë status quo; dhe diferencohet funksionalisht nga shtetet e tjera në sistem, duke pritur që të ofrojë të mira të caktuara publike si siguria, ose stabiliteti tregtar dhe financiar.

Hegjemonia mund të marrë forma të ndryshme. Hegjemonët dashamirës u sigurojnë të mira publike vendeve brenda sferës së tyre të ndikimit. Hegjemonët forcues ushtrojnë fuqinë e tyre ekonomike ose ushtarake për të disiplinuar vendet e pabindura ose të absorbuara në fushën e tyre të ndikimit. Hegjemonitë shfrytëzuese nxjerrin burime nga vendet e tjera.

Një numër studiuesish kanë shqyrtuar rënien e hegjemonëve dhe rendin që ata diktojnë. Për disa, një rënie e tillë ka tendencë të jetë përçarëse sepse stabiliteti që siguroi hegjemoni i lëshon vendin një vakumi. Të tjerët kanë pohuar se bashkëpunimi mund të vazhdojë edhe gjatë rënies hegjemonike për shkak të institucioneve ose kontributeve të zgjeruara nga fuqitë jo-hegjemoniste.

Një teori e spikatur që përqendrohet në rolin e hegjemonive është teoria e stabilitetit hegjemonik. Premisa e tij është se një fuqi hegjemonike është e nevojshme për të zhvilluar dhe mbështetur një rend politik por edhe ekonomik të qëndrueshëm. Teoria u zhvillua në vitet 1970 nga Robert Gilpin dhe Stephen Krasner. Por kjo teori është kritikuar si në baza konceptuale ashtu edhe në baza empirike. Për shembull, Robert Keohane ka argumentuar që teoria nuk është një qasje e duhur sepse ajo përbën një seri pretendimesh të tepërta që me sa duket nuk mund të përdoren në mënyrë parashikuese.

Hegjemonia kulturore, neo-merkantilizmi dhe forca

Argumente të ndryshme nëse SHBA ishte apo vazhdon të jetë një hegjemon janë paraqitur që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Shkencëtarët politikë amerikanë John Mearsheimer dhe Joseph Nye kanë argumentuar se ShBA nuk është një hegjemon i mirëfilltë global sepse nuk ka as burime financiare dhe as burime ushtarake për të imponuar një hegjemoni të duhur, formale; John Mearsheimer megjithatë e përshkruan ShBA si një hegjemon rajonal. Nga ana tjetër, Anna Cornelia Beyer, në librin e saj rreth kundër-terrorizmit, argumenton se qeverisja globale është një produkt i udhëheqjes amerikane dhe e përshkruan atë si qeverisje hegjemonike.

Politikani socialist francez Hubert Védrine në 1999 i përshkroi ShBA.-të si një superfuqi hegjemonike për shkak të veprimeve të saj të njëanshme ushtarake në të gjithë botën.

- Koncepti i hegjemonisë kulturore u zhvillua nga Antonio Gramsci dhe i referohet sundimit që arrihet përmes mjeteve shoqërore ose ideologjike. Më konkretisht, hegjemonia i referohet një grupi njerëzish, ose kolektivi, dhe aftësisë së tyre për të mbajtur pushtetin, për të ndikuar në mendimet e përditshme, besimet dhe sjelljen mbi institucionet shoqërore. Kjo arrihet duke udhëhequr vlerat, idealet dhe besimet e një shoqërie. Gramsci bën shumë argumente gjithëpërfshirëse në lidhje me atë se si hegjemonia mund të ndikojë në jetët tona ashtu si edhe në perceptimet tona.

Ross Hassig, shënon se hegjemonia nënkupton mbizotërimin imperial gjeopolitik me një përbërës të ndikimit indirekt, ku hegjemoni (shteti udhëheqës) sundon shtetet vartëse përmes kërcënimit të ndërhyrjes, më shumë një mjet i nënkuptuar i pushtetit, sesa thjesht përmes kërcënimit të sundimit të drejtpërdrejtë - pushtimit ushtarak, okupimit dhe aneksimi.

- Merkantilizmi është një politikë ekonomike që është krijuar për të maksimizuar eksportet dhe minimizuar importet për një ekonomi. Politikat merkantiliste të tilla shpesh çuan në luftë dhe motivuan zgjerimin kolonial. Historikisht, diskutimi mbi merkantilizmin është rishfaqur në momente trazirash, kur idetë e pranuara për marrëdhëniet midis politikës dhe ekonomisë vihen në dyshim.

Rendi ndërkombëtar dhe sistemi i hapur i tregtisë tani përballen me sfidat më të mëdha që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Roli i ShBA me administratën Trump përfaqëson një zhvendosje drejt një qasjeje më të ngushtë, neo-merkantiliste, shkruan Salman Ahmed, dhe nuk duket se do të ketë ndalje.

-Në vitin 2020, David Vine, një profesor në Universitetin e Uashingtonit, publikoi një libër të titulluar “Shtetet e Bashkuara të Luftës: Një histori globale e konflikteve të pafundme të Amerikës”. Ky libër analizon si ShBA kanë zhvilluar vazhdimisht luftra përgjatë gjithë historisë së tyre. Kjo luftë pa ndërprerje është shumë më pak e jashtëzakonshme sesa mund të duket. Me “Shtetet e Bashkuara të Luftës” David Vine gjurmon këtë model të konfliktit të përgjakshëm, pothuajse të përhershëm nga ardhja e Columbus në 1494 në Gjirin Guantanamo përmes zgjerimit 250-vjeçar të një perandorie globale të ShBA. Duke u mbështetur në kërkime etnografike historike dhe në shumë vende dhe territore, libri demonstron se si udhëheqësit e ShBA ndër breza i kanë mbyllur Shtetet e Bashkuara në një sistem të vetë-përjetësimit të luftës së përhershme duke ndërtuar koleksionin më të madh në botë të bazave ushtarake — një matricë globale që i ka bërë më të mundshme luftërat ndërhyrëse sulmuese. Përtej ekspozimit të dëshirave fitimprurëse, interesave politike dhe forcave ideologjike që qëndrojnë në themel të marrëdhënies së vendit me luftën dhe perandorinë, autori tregon se si kjo histori e zgjerimit ushtarak agresiv formon jetën tonë të përditshme, nga luftërat e sotme me shumë trilion dollarë përhapja e dhunës dhe militarizmit në jetën e përditshme të ShBA. Libri përfundon duke u përballur me numrin katastrofik të luftrave amerikane, të cilat kanë lënë miliona të vdekur, të plagosur dhe të zhdukur.

Mendësia hegjemonike dhe Kina

Keith Lamb, një profesor dhe analist britanik, shkruan se nëse status quo globale përcaktohet nga hegjemonizmi unipolar sistemik i ShBA, atëherë varfëria e deritanishme, në Jugun Global (vendet në zhvillim) pasqyron mirë suksesin e këtij hegjemonizmi. Ai bazohet në një event të kohëve të fundit ku Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbështeti “Aktin e Konkurrencës Strategjike”. Ky projektligj, i cili synon të parandalojë ngritjen e Kinës, thotë se rritja e Kinës është “në kundërshtim me interesat dhe vlerat e ShBA”.

Projekt-ligji shpjegon se Kina kërcënon "karakterin e ardhshëm të rendit ndërkombëtar" dhe formon rregullat, normat dhe institucionet që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve, të cilat do të rrezikojnë aftësinë e ShBA për të siguruar interesat e saj kombëtare; dhe do të vihet në rrezik e ardhmja e paqes, prosperitetit dhe lirisë së bashkësisë ndërkombëtare.

Lamb mendon se ngritja e Kinës do të ndryshojë (nuk do të kërcënojë) rendin e bazuar në rregulla. Kina do të ndikojë në rregullat për t'i bërë ato më të drejta për shumicën e shteteve në zhvillim.

Kjo ngritje e Jugut global, në fakt do të kundërshtojë aftësinë e ShBA për të ndërhyrë, përmes makinerisë politike dhe nënshtrimit ushtarak, në punët e brendhsme sovrane të një vendi. Eshtë tragjike që një shtet aq i pasur dhe i fuqishëm sa ShBA i sheh interesat e tij kombëtarë si mbizotërues mbi të gjithë të tjerët – përfundon Lamb.

Kush po e “sfidon” hegjemonin, nuk ka trajta hegjemonike brenda saj. Në fakt, ngritja e Kinës u ka dhënë shteteve të tjera më shumë liri për të zgjedhur me kë merren ekonomikisht dhe politikisht. Prosperiteti i Kinës nuk vjen nga pushtimi i vendeve të tjera por përmes tregtisë.

Gjatë dekadave, Kina e ka arritur këtë sukses fenomenal përmes “Pesë Parimeve të saj të Bashkëekzistencës Paqësore” - respekt të ndërsjellë për sovranitetin dhe integritetin territorial, mos-agresion reciprok, mosndërhyrje në punët e brendshme të të tjerëve, barazi dhe përfitim reciprok dhe bashkëjetesë paqësore. Angazhimi i Kinës për t'iu përmbajtur paqes dhe stabilitetit hodhi themelet e zhvillimit të saj, si dhe shtoi shpresat e kontinentit të Azisë dhe Afrikës të goditur nga varfëria.

Divergjenca e qartë në qasjet dhe zbatimet e tyre, me Uashingtonin që militarizon botën për ambiciet e tij dhe Pekini duke paraqitur një zgjidhje të favorshme për tregtinë për një mjedis global paqësor, është burimi i vërtetë i grindjeve midis dy ekonomive më të mëdha.

Kina nuk është kundërshtari i zakonshëm, dhe prandaj nuk ka kundërpërgjigje të zakonshme. Nuk mund të aplikohet mentaliteti i Luftës së Ftohtë me Kinën, pasi Kina nuk është Bashkimi Sovjetik. Ata kërkonin dominancë globale dhe ndërhyrja e sovjetikëve ishte prezent pothuajse në çdo shtet. Kina nuk akuzohet dot për ekspansion ekonomik pasi, ka luajtur me rregullat e lojës që janë vendosur e diktuar nga Perëndimi, me pak fjalë rregullat e globalizimit.

Xu Yelu, një studiues kinez, shprehet se në epokën e Luftës së Ftohtë, të dy kampet ishin të izoluar nga njëri-tjetri dhe formuan dy tregje paralele, të cilat sollën ndikim negativ të pallogaritshëm në zhvillimin e ekonomisë botërore. Zhvillimi i ekonomisë botërore evoluar nga modeli "dy kampe" dhe "tre botët" në ndarjen aktuale të madhe dhe të unifikuar të sistemit të punës që përfshin rajone dhe sisteme politike të ndryshme, mbulon pothuajse të gjitha vendet është një nga arritjet më të mëdha të globalizimit ekonomik. Ndërsa vendet bëhen gjithnjë e më të varura nga njëri-tjetri në furnizimin e tregut, prodhimin dhe ndarjen e punës, një luftë e re e ftohtë do të çojë në mënyrë të pashmangshme në kolapsin e zinxhirit industrial dhe humbjeve për të dy palët.

Dhe si përfundim, është bërë e famshme shprehja e Napoleonit “Lëreni Kinën të flejë, sepse kur të zgjohet do të trondisë botën”....por, siç shprehet Hajdar Muneka, ish-ambasador shqiptar në Kinë: “Në fakt, Kina asnjëherë nuk ka fjetur. As në periudhën e saj më të errët. Nga vështirësitë e saj ajo ka dalë edhe më e fortë. Sepse në vetëdijën e thellë të çdo kinezi është durimi dhe besimi në të ardhmen.”

Dr. Marsela Musabelliu