Një lajm pozitiv për sigurimin në sasi të konsiderueshme të vaksinave vjen edhe nga Shqipëria. Pas sigurimit në sasi simbolike të vaksinave Pfizer, Astra Zeneca dhe Sputnik V, tashmë Shqipëria futet ne korsinë e garancisë duke realizuar një kontratë prej afro 1 milionë dozash të vaksinave Sinovac të Kinës. Në samitin e 17 + 1, të mbajtur në fillim të muajit shkurt, Presidenti kinez Xi Jinping u tregua shumë i hapur duke ofruar për vendet e kësaj platforme vaksinën Sinovac, si një mundësi për të luftuar pandeminë. Shqipëria, pjesmarrëse në këtë samit nuk shfaqi optimizmin e nevojshëm për të patur që në momentin e parë reagimin pozitiv ndaj ofertës bujare të përsëritur të palës kineze. Do të duheshin vetëm pak javë, kur premtimet e BE-së të dukeshin shumë larg në horizont që Shqipëria t’i largohej interpretimeve gjeopolitike dhe me pragmatizëm të drejtohej për të marrë vaksinën Sinovac, si një mundësi e shpejtë për t’i prerë rrugën koronavirusit dhe synuar normalitetin.

Oferta ishte e drejtëpërdrejtë dhe dashamirëse për qeverinë shqiptare nga Kina, megjithatë përsëri u gjet një rrugë e tërthortë për ta sjellë atë nepërmjet një distributori turk. Një kontratë direkte me Kinën sigurisht që do të kishte një sërë avantazhesh për shtetin shqiptar dhe do të ishe një kredit i nevojshëm në marëdhëniet midis dy vendeve, marrëdhënie të cilat nuk janë në klimën e vet më të ngrohtë, siç janë të gjitha mundësitë për të funksionuar. Por Shqipëria, pa qenë e nevojëshme ndjehet e kompleksuar për ndërtimin e një raporti të drejtëpërdrejtë në marrëdhëniet me Kinën, aq më shumë kjo në rastin e vaksinës, një mundësi efikase për të minimizuar efektet e rënda të pandemisë. Vaksina Sinovac nuk ka brenda saj asnjë nacionalizëm dhe shteti shqiptar kishte hapësirën e krijimit të një koridori optimal në komunikim, por edhe për të përshpejtuar në mënyrë të garantuar ardhjen e saj në Shqipëri, ndërkohë që shifrat e pandemisë në muajin shkurt e mars kanë qënë vërtet tronditëse. Edhe në këtë rast, gjetjet justifikuese për zgjidhjen nuk janë bindëse, pavarësisht se u trokit në portën kineze, por me dorën e tjetër kujt. Kjo diplomaci jo efektive nuk sjell në shinat e veta trafikun e nevojshëm të komunikimit midis dy vendeve, pavarësisht shkëmbimeve tregtare në rritje të kohëve të fundit. Rasti i sigurimit të vaksinës ishte një mundësi !

Një fleksibilitet dhe një veprim më pragmatist, do të bënte të mundur ardhjen shumë më shpejt të vaksinës në Shqipëri dhe forcimin e një raporti miqësor midis dy vendeve. Edhe në këtë rast u gjet një rrugë e tërthortë. Pavarësisht kësaj, shteti shqiptar ka rëndësi që u drejtua tek një adresë me krediblitet në arenën ndërkombëtare, tek një vaksinë që sa vjen e kërkohet gjithnjë e më shumë.

Kina sot po i kushton vëmendje gjithnjë e më tepër shpërndarjes së drejtë të vaksinave, duke patur në optikën e saj një angazhim të rritur ndaj vendeve në zhvillim. Harta e vaksinave që Kina po shpërndan në vende të ndryshme të botës, sa vjen e zgjerohet.

Ndryshe nga Shqipëria, Kinën sot po e kontaktojnë më shumë se 100 vende të ndryshme në të gjitjë botën, për sigurimin e vaksinave të prodhuara, gjë që tregon se standardet e cilësisë po pranohen kudo dhe oferta kineze mbetet një referencë e një standarti të lartë teknologjik, por edhe një mundësi e ofertë shumë dashamirëse.

Disa ditë më parë, ambasadori Zhang Jun,(Çang Xhun) përfaqësues i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antoinio Guterres, për t’i dhuruar në emër të Kinës 300 mijë doza vaksinash Covid -19 për paqeruajtësit e OKB-së në misionet e tyre në Afrikë. Mbështetje për vaksinat janë dhënë edhe për gazetarët e huaj që janë të akredituar në Kinë, pjesmarrësit në Lojërat Olimpike Dimërore, por edhe në dhjetra destinacione të tjera.

Nevoja për vaksinimin e popullsisë në Kinë, pavarësisht se ka ecur me ritme të mira dhe prodhimi tani po arrin në 5 milion në ditë, është përsëri e lartë. Megjithatë në këtë luftë për mposhtjen e pandemisë, qeveria kineze nuk ka qëndruar e ngurtë, por ka dëshmuar solidaritet dhe humanizëm, në mënyrë të posaçme me vendet në zhvillim. Synimi është që vaksina të bëhet një e mirë publike globale dhe jo një zgjidhje cinike vetëm për banorët e vendeve të pasura. Disa vende të zhvilluara në startin e vaksinave frymëzuan mediat për t’i ngjyrosur ideologjikisht e për t’i dhënë konotacion të interesave ekonomike. Por pamundësia për t’iu përgjigjur kërkesave erdhi duke e rudhur këtë interpretim dhe duke u tërhequr nga interpretimi kufizues ndaj vaksinave që jo vetëm tregu, por edhe shkenca i çertifikoi si të suksesëshme e bazike në luftën ndaj pandemisë.

Vaksina Sinovac, por edhe lloje të reja jo vetëm janë pranuar, por edhe po kërkohen, ashtu si edhe ilaçi i ri i antitrupave që u miratua për përdorim urgjent në BE dhe SHBA. Komiteti i Produkteve mjekësore për përdorim njerëzor (CHMP) i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) miratoi për përdorim ilaçin e trupave monoklonale LY-CoV555 dhe LY-CoV016 në emergjencat e shëndetit publik për pacientët e prekur nga virusi Covid-19.

Administrata e ushqimit dhe barnave të SHBA-së, autorizoi përdorimin emergjent të kësaj terapie. Lajmi për përdorimin e këtij ilaçi mori vëmendjen e gjithë opinionit të interesuar dhe tashmë mjekësia kineze ndjehet jo vetëm kredibël në sytë e opinionit publik botëror, por edhe garante e shkencës dhe teknologjisë së përparuar. Ky antitrup i quajtur “raketa biologjike| ndaj koronavirusit” ka dhënë efektivitet të dukshëm në trajtimin dhe parandalimin e prekjes nga virusi Covid-19. Tashmë ilaçi i ri, së bashku me vaksinat po shpërndahen në të gjithë botën, si një kontribut i veçantë me përmasa humane.

Jo rastësisht presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, i entusiazmuar nga oferta zemërgjerë kineze për vaksinat duke falenderuar tha se “shpresoj mund ta falenderoj së shpejti edhe qeverinë amerikane sepse ata do të na japin ndihma megjithëse deri tani nuk e kanë bërë ende”. Egoizmi i pamatë për të siguruar vaksinat vetëm nga vendet e pasura, pengon ndjeshëm mundësinë e luftimit të kësaj sëmundjeje që është globale dhe luftohet po në këtë mënyrë. Koncepti i Darvinizmit social mbetet për fat të keq mbizotërues në disa vende dhe ligji i xhunglës megjithëse nuk pranohet, është mbizotërues i mendësisë së shtetit dhe racës së priviligjeruar. Deri tani 75 % e vaksinave janë përqëndruar në 10 vende, ndërkohë që afro 130 vende akoma nuk kanë marrë asnjë vaksinë. Shpërfillja e kërkesave që kanë në mënyrë urgjente vendet në zhvillim dhe me të ardhura të pakta, është një betejë e humbur në luftën kundër izolimit dhe mposhtjes së pandemisë. Vendet e pasura nuk mund të qëndrojnë të izoluara dhe ata për të siguruar një lëvizje të lirë, aq të domosdoshme në botën e sotme globale, nevojitet të shuajnë në mënyrë të njëtrajtëshme vatrat e pandemisë që janë prezente sot në të gjithë botën.

Kina, ashtu si edhe në nisma të tjera me efekt të ndjeshëm pozitiv global, përsëri po udhëheq shpërndarjen e vaksinave, duke marrë në konsideratë kryesisht vendet me të ardhura e mundësi të pakta dhe duke dëshmuar humanizëm, përkundrejt egoizmit të disa shteteve perëndimore që po vijonë ethshëm të grumbullojnë vaksina përtej nevojave bazike që kanë. Por megjithë këtë, akoma në ato vende nuk është arritur normaliteti, ndërkohë që në Wuhanin ku shpërtheu për herë të parë virusi, diskot janë plot, në restorante njerëzit ndjehen të lirë dhe jeta i është kthyer normalitetit.

Kryeqyteti kinez ka rifituar prej kohësh gjallërinë e periudhës parapandemike, pavarësisht se masat profilaktike janë rigorozisht të zbatueshme. Vigjilenca ndaj sëmundjes si nga autoritetet shtetërore, ashtu edhe nga qytetarët mbahet e rritur. Kina i ka rikthyer normalitetin vetes, por mbetet thellësisht e motivuar dhe e angazhuar që ky normalitet tëë kalojë kufijtë e saj dhe të jetë prezent edhe në vendet e tjera, pa marrë parasysh raportet politike.

Lufta anti-pandemike realizohet dhe arrihet deri tek suksesi në se ka veprime të bashkërenduara, ku më i rëndësishmi mbetet vaksinimi, por edhe përpjekja që po bëhet për të garantuar e certifikuar ilaçet që neutralizojnë, apo edhe shërojnë sëmundjen. Frenimi i përhapjes së virusit bëhet i mundur përmes një solidariteti aktiv dhe pa vështruar kufijtë veprimi efektiv për shpërndarjen e vaksinave. Të gjithë e dijnë këtë, por nuk po veprojnë mbi bazën e protokollit human që kërkon ky moment shumë delikat. Me tone kritike dhe shqetësuese, kreu i OBSH –së Tedros Ghebreyesus, duke përsëritur thirrjet për solidaritet më të madh tha se: Hendeku midis numrit të vaksinave të dhëna nga vendet e pasura dhe numrit të vaksinave të dhëna nga COVAX po rritet çdo ditë dhe po bëhet grotesk çdo ditë.

Vendet më të varfëra në botë po pyesin në se vendet e pasura me të vërtetë nënkuptojnë atë që thonë kur flasin për solidaritet”.

COVAX, nisma për qasje globale ndaj vaksinës, synon të sigurojë shpërndarje të barabartë të vaksinës në të gjithë botën, në vendet me të ardhura të ulta e të mesme. “COVAX është gati të shpërndajë, por ne nuk mund të shpërndajmë vaksina që nuk i kemi”- tha Tedros Ghebreyesus nga Gjeneva.

Pikërisht për këtë sytë nuk janë drejtuar rastësisht nga Kina, ku avionë të ndryshëm udhëtojnë në destinacione që kapin gjithë globin, si kontribut konkret në luftën ndaj pandemisë.

Gëzim Podgorica