Mali i Zi ishte adresa e radhës e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku arritën vaksinat kineze Sinopharm. Pas disa dozave të kufizuara që erdhën nga Serbia në vendin e vogël ballkanik, sasia e parë prej 30.000 dozash nga Kina krijon një frymëmarrje për personelin shëndetësor dhe moshat e thyera.

Është shpejt për të folur me tone optimiste për mposhtjen e pandemisë, por nisja e vaksinimit në njërin nga vendet me kurbën më të lartë infektuese, u jep njerëzve shpresë se në verë do të ketë një rikthim në normalitet dhe dyert për turistët nuk do të jenë të mbyllura si një vit më parë. Turizmi për Malin e Zi përbën arterien kryesore të ekonomisë dhe një mbyllje e tij edhe për këtë vit do të ishte fatale. Por gjërat tashmë duket se po ndryshojnë dhe jo vetëm që po shikohet se ka dritë në fund të tunelit, por me një këndvështrim të hapur dhe duke mos e interpretuar gjeopolitikisht situatën e pandemisë, Mali i Zi po shfrytëzon çdo mundësi për të siguruar vaksinat dhe po i përgjigjet pozitivisht ofertave që vijnë.

Kohët e fundit, Presidenti kinez Xi Jinping ka ritheksuar gatishmërinë e vullnetin për një bashkëpunim pa kufi në luftën për mposhtjen e pandemisë. “Të përballojmë drejtëpërdrejt sfidat e pandemisë dhe të forcojmë besimin e bashkëpunimit për kapërcimin e vishtirësive” nënvizoi edhe së fundi presidenti kinez, duke qënë i hapur për të ndihmuar vende të ndryshme me vaksinën kineze.

Në Forumin e Davosit dhe në atë 17+1 Xi theksoi në mënyrë specifike se zhvillimi i vaksinës është një përpjekje dhe investim kapital për ta bërë produkt publik global, për të siguruar një furnizim sa më të balancuar e të plotë për të gjitha vendet që kanë kërkesa në këtë drejtim.

Sigurimi i vaksinës kineze nuk është vetëm një alternativë për të kapërcyer situatën e rëndë pandemike në vendet e Ballkanit Perëndimor, por është edhe një garanci tashmë e certifikuar shkencore për të dhënë mesazhin e një sigurie shëndetësore, e cila në vende të ndryshme të botës po provohet si e tillë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë aleatë dhe kandidatë potencialë për të qënë anëtarë të Bashkimit Evropian, por në planin e vaksinave, lëvizin nga mesi i listës deri në fund. Entusiazmit të fillimit kur përmendeshin shifra optimiste dhe të larta për një mundësi mbështetje me vaksina për një kohë të shpejtë, tani ia ka zënë vendin një shpresë e venitur. BE ka akorduar 70 milion euro për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por shpërndarja është shumë e ngadaltë dhe vende të pasura e të fuqishme nuk kanë lënë koridore të lira dhe po prishin ekuilibret e domosdoshme që duhet të jenë në këtë drejtim lidhur me një furnizim të barabartë të vaksinave.

Ministri i shëndetit i Serbisë Zlatibor Loncar është vaksinuar me vaksinën kineze, Sinopharm.

Ministri i shëndetit i Serbisë Zlatibor Loncar është vaksinuar me vaksinën kineze, Sinopharm.

Vendet e Ballkanit janë pjesë e programit COVAX, ku synohet të sigurohen vaksina për të gjithë botën, por meqenëse skema po ecën me ritme të ngadalta e ka kufizime të ndjeshme në furnizim tre muaj pasi vaksinat janë hedhur në treg, shumë pak kanë arritur nga ky program të mbështesin zgjidhjen.

Pritja për mbështetje nga programi COVAX dhe një vëmendje nga BE për disa vende të Ballkanit Perëndimor nuk zgjati shumë. Me pragmatizëm dhe iniciativë, duke iu larguar gjeopolitikës në çështjen e ndjeshme të vaksinave, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç iu drejtua Kinës dhe Rusisë lidhur me vaksinat dhe sot Serbia është një nga vendet e para në botë për ritmet në vaksinimin e popullsisë. Ajo ka disa lloje vaksinash në dispozicion:Atë Sinopharm, Sputnik V dhe Pfizer/Biontech.

Më shumë se 1.5 milionë vaksina Sinopharm kanë ardhur deri tani në Beograd, duke bërë të mundur që paralel edhe me vaksinat e tjera çështja e vaksinimit të jetë tashmë e relaksuar si situatë. Pa vaksinën kineze Serbia do të ishte në të njëjtën situatë me vendet e tjera të rajonit, por suporti i 1.5 milionë vaksinave kineze ka bërë të mundur që vendi të radhitet në rreshtat e parë të kësaj gare globale.

Kryeministri i Hungarisë Orban Viktor është vaksinuar me me vaksinën kineze Sinopharm

Kryeministri i Hungarisë Orban Viktor është vaksinuar me me vaksinën kineze Sinopharm

Vaksinat janë pjesë e inciativave të rëndësishme që Kina ka ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që vazhdojnë të implementohen projekte të rëndësishme në Serbi, Mal të Zi, Bosnje, Kroaci, Maqedoninë e Veriut, të cilat me një sërë fushash e në veçanti me infrastrukturën dhe që kanë sjellë një zhvillim shumë të ndjeshëm në këtë drejtim.

Pas marrjes së vaksinës kineze dhe ritmeve të larta të kryerjes së këtij procesi në të gjithë vendin, Serbia krijoi mundësitë që edhe të bënte donacione e të mbështeste fillimin e vaksinimit edhe në vendet fqinj me të. Ajo i dhuroi Maqedonisë së Veriut rreth 5000 doza nga sasia që ka siguruar vetë, 4000 të tjera për Malin e Zi, ndërkohë që ka mbështetur me vaksinim personelin shëndetësor në Republikën Srspska të Bosnjë –Hercegovinës. Ka qënë kjo mbështetje me vaksina edhe pjesë e një diplomacie rajonale, në të cilën Sebia po kërkon të luajë protagonizmin e saj.

Ballkani Perëndimor është një rajon i vogël dhe mundësia për ta mbështetur me vaksina për kapërcimin e situatës pandemike është më e lehtë se për rajone e shtete të mëdhenj. Megjithëse në këtë zonë janë aplikuar disa nisma bashkëpunimi e projekte të përbashkëta si nga BE, ashtu edhe nga Kina për një sërë projektesh në fusha të ndryshme, në përpjekjen për të tejkaluar pandeminë shtetet e Ballkanit nuk janë në unison.

Shqipëria është ndër vendet e para në rajon që ka nisur vaksinimin, por numri dhe ritmi është shumë i ulët, ndërkohë që Kosova megjithë premtimet dhe marrëveshjet e firmosura nuk ka marrë asnjë vaksinë. Mali i Zi iu bashkua vetëm ditët e fundit lëvizjeve pa komplekse gjeopolitike në drejtim të sigurimit të vaksinës. Kina po bëhet donatori më i madh edhe këtu, mdërsa Maqedonia e Veriut e nënshkroi marrëveshjen me Kinën për 200.000 vaksina dhe po negocion për të tjera. Edhe në samitin e 17+1 koridori kinez i furnizimit u dëshmua si një mundësi jo vetëm potenciale, por realiste dhe konkrete nga ku vendet pjestare të këtij mekanizmi kanë të gjithë ofertën e nevojshme për të përmbushur kërkesat e tyre.

Programi i vaksinimit është dhe mbetet një test për kapacitetin e shteteve për të bashkëpunuar, pasi dihet tashmë mirëfilli se bota nuk mund të rikthehet në normalitet në rast se pandemia nuk vihet nën kontroll në çdo vend. Suksesi i disa vendeve që kane ecuri pozitive me vaksinën, nuk lidhet vetëm me mundësitë financiare dhe kapacitetet teknologjike të tyre, por edhe fleksibilitetin për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit me shtetet të cilat kanë mundësinë për të ofruar ndihmë në këtë drejtim. Fakti që Kina ka dërguar ose ka në proces vaksina për më shumë se 52 shtete në të katër anët e globit dhe kërkesat ndaj saj rriten, dëshmon se dera ku mund të trokasësh është e hapur. Të gjitha qeveritë janë përgjegjëse për qytetarët e tyre, dhe çdo interpretim gjeopolitik i këtij problemi, do të rëndojë mbi jetën e njerëzve, por edhe do të dëshmojë vizionin e drejtuesve të shteteve dhe përgjegjësinë e tyre ndaj qytetarëve.

Sipas gjurmuesit të vaksinave të “Financial Times”, deri tani në të gjithë botën u janë injektuar njerëzve më shumë se 250 milion vaksina. Ndërkohë që janë zhvilluar disa vaksina dhe kanë marrë miratim nga entet rregullatore shumë nga këto produkte, pritet që prodhimi të rritet dhe shpërndarja e tyre të bëhet më e shpejtë dhe me ritme më të larta. Sfidat për një mbulim vaksinimi për moshat madhore janë të mëdha dhe në këtë shqetësim global ngjan shumë e vogël pesha që zë Ballkani Perëndimor.

Por pavarësisht kësaj, alternativat që vijnë për këtë rajon janë disa, vetëm kërkohet që të veprohet shpejt dhe pa komplekse. “ Pavarësisht nga vendi në të cilin një vaksinë është prodhuar, në qoftë se ato janë të sigurta dhe efektive, ata ndihmojnë në luftën me pandeminë” - deklaroi me 31 janar të këtij viti Ministri Federal I Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn.

Shumë vende duhet të përpiqen të shmangin sindromën e nacionalizmit të vaksinave dhe të betetjës që bëhet me origjinën e produktit. Zgjidhja e problemit dhe sigurimi i saj nevojiten të mbeten orientimi kryesor. Në Ballkanin Perëndimor preferencave perëndimore për vaksinat, tani po ia zë vendin pragmatizmi dhe orientimi për ta gjetur e realizuar atë sa më shpejt të jetë e mundur. Kësisoj Kina po bëhet gjithnjë e më shumë një adresë e sigurtë, ndërkohë që vetëm Shqipëria ka mbetur e kufizuar tek Pfizer. Ministria e Shëndetësisë deklaroi se priten të vijnë gjatë marsit 10.000 vaksina Pfizer /Biontec, të cilat do të mbulojnë vaksinimin e të gjithë personelit shëndetësor, ndërkohë që pjesa tjetër e popullsisë mbetet në një pritje të gjatë.

Akoma qeveria shqiptare nuk po analizon dhe mbetet në një dilemë të pakuptueshme për të nisur kërkesën për vaksina Sinopharm, të cilat edhe në samitin 17+1 u ofruan nga Kina. Gjykimi mbi nacionalitetin e vaksinave, të cilat janë të dëshmuara pozitivisht në testet klinike dhe kanë marrë dritën e gjelbër, vë në rrezik shëndetin e njerëzve. Situata aktuale do të shërbejë si një provë si për integritetin e qeverive, ashtu edhe për unitetin njerëzor.

Vendet e Ballkanit Perëndimor që po tregohen të hapura dhe pa asnjë kompleks gjeopolitik në trajtimin e vaksinës, do të kenë një qasje më pozitive se vendet e tjera që vijojnë t’i vendosin kufizime të panevojshme vetes në këtë drejtim.

Gëzim Podgorica