Shifrat zyrtare ekonomike të Kinës për vitin 2020 u publikuan më 18 Janar. Rekordi i ri është 101 trilion Yuan (ose 15.5 trilion $) dhe në këtë ditë populli kinez ka 101 arsye për të qenë krenar për daljen nga humnera ekonomike.

Zyra Kombëtare e Statistikave deklaroi një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) 2.3% duke kapërcyer zyrtarisht stuhinë e pandemisë COVID-19. Po flitet për tregun më të madh të konsumit në botë, bazën më të madhe industriale dhe të gjitha këto kanë dalë me rritje gjatë vitit të kaluar.

Analistët ia atribuojnë këtë aftësisë së Kinës për të kontrolluar me sukses pandeminë. Në fillimet e vitit 2020, në Kinë u vendos jeta e njerëzve si prioritet, si pasojë u shkaktua një dëm i madh ekonomik; më tej u respektuan udhëzimet e përgjithshme të punës për të bërë përparim duke ruajtur stabilitetin, u koordinuan masivisht punët e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë; u aplikuan politika më të forta makroekonomike për të zbehur ndikimin ekonomik të COVID-19.

Ekonomia e Kinës është padyshim tani motori i rritjes globale. Sipas Bankës Botërore, për vitin 2020, ekonomia amerikane u tkurr me -3.6% dhe ekonomia e eurozonës me -7.4%. Kjo u jep shpresë tregjeve dhe investitorëve në të gjithë botën, veçanërisht atyre që kërkojnë siguri ose një strehë të sigurt biznesi. Ekonomia botërore është me të vërtetë një entitet global dhe për këtë arsye, prosperiteti varet nga ndërvarësia dhe hapja e tregjeve. Fatet ekonomike të vendeve janë të ndërlidhura, veçanërisht kur sfera të tilla si zinxhirët e furnizimit dhe tregjet e konsumit shtrihen në shumë vende. Kur një ekonomi e madhe lëndohet, të tjerat lëndohen gjithashtu; megjithatë, kur një ekonomi e madhe ripërtërihet, të gjitha ekonomitë e tjera përfitojnë sërish.

Dhe për më tepër, objektivat e 2021 janë që organet kompetente t'i përmbahen trendit të përgjithshëm të punës për të bërë progres duke ruajtur stabilitetin, t'i përmbahen filozofisë së re të zhvillimit, të nxisin modelin e ri të qarkullimit të dyfishtë, të thellojnë reformën, hapjen dhe inovacionin, të konsolidojnë fitimet e arritura dhe të ndërmarrin hapa të fortë për të siguruar stabilitetin ekonomik afatgjatë. Për investitorët dhe konsumatorët në të gjithë botën, Kina është një bast i sigurt, pasi në sajë të politikave të mësipërme, pritet të arrijë një rritje prej +8% në vitin 2021.

Prioritete të qarta, mobilizim i gjithanshëm (Gjashtë fronte, Gjashtë fusha)

Ning Jizhe, kreu i Zyrës Kombëtare të Statistikave, duke iu përgjigjur gazetarëve në deklaratën e 18 Janarit tha se ‘trojka’ e rritjes për Kinën përbëhet nga investimet, konsumi dhe eksportet; të treja bashkë kanë hedhur një themel të fortë për ekonominë kineze, duke përshpejtuar formimin e një modeli të ri zhvillimi me tregun vendas si shtyllë kryesore dhe tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare që mbështesin reciprokisht njëri-tjetrin. Por, fushat që i dhanë përparësi rritjes në kohë krize janë të shumta si p.sh. një sistem me cikël të plotë industrial brenda vendit. Pas shumë përpjekjesh, Kina është bërë i vetmi vend në botë që ka marrë të gjitha kategoritë industriale të renditura në klasifikimin industrial të Kombeve të Bashkuara, me pak fjalë çdo produkt që ekziston mund të prodhohet në Kinë. Por janë edhe përparësitë e tregut të madh dhe burime të bollshme njerëzore. Kina ka forcën më të madhe të punës në botë, me gati 900 milion njerëz në moshë pune (16 deri 59 vjeç), 200 milion punëtorë të kualifikuar dhe numrin më të madh në botë të personelit kërkimor. Këto gjithashtu i japin mbështetje të vazhdueshme intelektuale zhvillimit me cilësi të lartë të vendit.

Nga ana tjetër, çfarë ndihmoi daljen nga kriza e tremujorit të parë është edhe fakti që ndërkohë që punohej pa pushim për të mposhtur virusin dhe për të zbutur pasojat negative në ekomomi nuk u hoq vëmendja nga prioriteti për zhvillim cilësor, këto referohen si “Gjashtë fronte dhe gjashë fusha”. Politika e Kinës për sigurimin e stabilitetit në gjashtë fronte i referohet: punësimit, financave, tregtisë së jashtme, investimeve të huaja, investimeve të brendshme dhe pritshmërive të tregut. Politika e sigurisë në gjashtë fushat nënkupton: ruajtjen e punësimit, nevojave themelore të jetesës, zhvillimin e njësive të tregut, sigurinë e ushqimit dhe energjisë, funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve industriale,të furnizimit dhe mbarëvjatjen funksionale të shoqërisë. Duke zbatuar ato politika u mbajtën bazat e ekonomisë së qëndrueshme në një vit ku u arrit edhe synimi i çrrënjosjes së varfërisë.

Dy sektorë pararojë si lokomotiva e rritjes ekonomike

Dy sektorët, që pjesa tjetër e ekonomive të botës i ka në nivele të limituara, janë prania e lartë e dixhitalizimit dhe prania e ndërmarrjeve shtetërore, të cilat në Kinë gjatë vitit 2020 treguan se mund të jenë karta fituese në përmbysjen e parashikimeve.

Ekonomia dixhitale në Kinë gjatë 2019 ishte afro 40% e totalit, në kohët e pandemisë shkoi në afro 70% të totalit. Në kohë pandemie kur pothuajse gjithçka u transferua online ekonomia kineze ishte gati për sfidën, pasi ka vite që punohet për të. Kina provoi vrullin e fortë në inovacione të drejtuara nga zhvillimi i industrive të teknologjisë së lartë dhe industrive në zhvillim me rëndësi strategjike. Dixhitalizimi i industrive por dhe industrializimi i ekonomisë dixhitale ishin në aktivitet të plotë, të cilat si rrjedhojë rritën konsumin shtesë në internet. Këto sollën fitime të konsiderueshme në forcën ekonomike të Kinës dhe një rritje të jashtëzakonshme në produktivitetin e saj industrial dhe bujqësor. Lidhjet 5G në Kinë kanë tejkaluar mbulimin për 200 milion qytetarë, duke u renditur e para në botë. Sektori modern i shërbimeve, përfshirë shërbimet e informacionit, shërbimet e biznesit, shërbimet e kërkimit të zhvillimit dhe shërbimet e marketingut, vazhdojnë të modernizohen falë avancimeve teknologjike. Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë dixhitale kontribuon prekshëm në rritjen ekonomike dhe u pa në shifrat zyrtare sipas kategorive.

Për ndërmarrjet shtetërore (NSh), privatizimi është parë si "ilaçi" kryesor për ish-anëtarët e bllokut lindor. Ekonomitë në tranzicion të Evropës Lindore iu drejtuan të ashtuquajturës "terapi shoku" në një nxitim për t'i shpëtuar të kaluarës dhe për t'u bashkuar me shtetet e tjera perëndimore me zhvillim kapitalist. Por ndodhi që kjo terapi shoku ekonomik u shoqërua me kriza të ashpra, trazira shoqërore dhe përvetësime abuzive, pasi vendet përkatëse nuk kishin institucione të mirëfillta e të qenësishme të tregut dhe as një kornizë për të drejtat e pronës, për proceset e tregut të lirë, Shqipëria është një shembull i përkyer i asaj “terapie”.

Nga ana tjetër, Kina zgjodhi një qasje më graduale të përgatitjes fillestare të ekonomisë për tranzicionin dhe hapjen ndaj tregut të lirë, duke ndërtuar institucionet e nevojshme dhe infrastrukturën e të drejtave të pronës, si dhe reformimin e NSh-ve në korporata konkurruese moderne. Ndërmarrjet shtetërore janë një përbërës organik i qeverisjes ekonomike të Kinës, megjithëse kontributi i tyre në prodhimin kombëtar është tkurrur në 40%. Ato konsiderohen akoma si blloqe thelbësore ndërtimi të ekonomisë dhe veprojnë si një mbrojtës kundër goditjeve të brendshme dhe kërcënimeve të jashtme. Rasti i shpërthimit të pandemisë gjatë 2020 tregoi sa të nevojshme janë ato për një ekonomi kombëtare ku jo çdo aset i një shteti duhet të privatizohet. Duke shfaqur një nga avantazhet institucionale të Kinës, Ndërmarrjet Shtetërore treguan rëndësinë e tyre përmes lëvizjeve të tilla si sigurimi i nevojave themelore të njerëzve gjatë betejës kundër virusit, heqja dorë nga qiratë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ardhja në ndihmë për komunitetet ku ato operojnë etj.

Ndryshe nga firmat private që shmangin rrezikun, ndërmarrjet shtetërore priren të jenë në ballë të sfidave gjatë periudhave të vështira, duke rritur investimet, duke çimentuar biznesin e tyre kryesor dhe duke siguruar më shumë punë për njerëzit, duke shërbyer si stabilizues ekonomikë në kohë krize, prej tyre mund të kërkohet më shumë, dhe në Kinë gjatë 2020 kompanitë shtetërore bënë diferencën.

Që Kina pati rritje gjatë një viti krize nuk është një rastësi apo anomali. Fakti që vendi ishte në gjendje përmes stimulit monetar të matur (e të kufizuar) të përballonte sfidat ekonomike të Covid-19 në të vërtetë është vetëm një vazhdim dhe rezultat i vendimeve e politikave ekonomike të zbatuara në mënyrë efikase. Nëse shikojmë pas në historinë e 40 viteve të hapjes kjo është vetëm arritja e fundit në një varg suksesesh pothuajse të pathyera të sistemit ekonomik kinez.

Dr. Marsela Musabelliu