Fundi i vitit të kaluar ishte përsëri i hidhur politikisht për Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë. Në përpjekjen e tyre të stërzgjatur e disavjeçare për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian, të dy shtetet morën një JO të përsëritur. Nëse për Shqipërinë janë një varg kushtesh që bëhen pengesë dhe vijnë edhe duke u shtuar, për Maqedoninë e Veriut artikulimi i JO-së lidhet me Bullgarinë dhe mosmarrëveshjet e tyre në një kontekst historik.

Shteti i vogël ballkanik, pas një stërmundimi të gjatë në zgjidhjen e çështjes së emrit, që i shkaktoi vonesa në shumë procese integruese ku i nevojitej të tejkalonte veton greke, tani përballet me një çështje tjetër, por edhe kjo në një kontekst që lidhet me historinë. Tashmë gjendet përballë vetos bullgare, shtetit ndofta më të dobët ekonomikisht e mjaft të brishtë në raportet domokratike brenda Unionit, por që në marrëdhëniet mes dy palëve po tregon “muskujt” e forcës, që vijnë nga vota përcaktuese.

Jo vetëm brenda Bullgarisë, por edhe në BE ka patur paqartësi ndaj sjelljes kryeneçe të politikës aktuale të Sofjes zyrtare. Ndërsa në Bruksel kishin këndvështrime të ndryshme lidhur me mundësitë që kishin dy shtetet aspirante: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ajo që e tejkalonte këtë këndvështrim ishte fakti i moskuptimit dhe deshifrimit të saktë të qëndrimit radikal bullgar.

Marrëdhëniet me Sofjen, por mbi të gjitha atë që lidhet me veton që vjen që andej, kryeministri maqedonas Zaev i ka bërë disa herë pjesë të komunikimit politik dhe diplomatik. Sigurisht që kjo e ka vënë në vështirësi liderin aktual të qeverisë brenda dhe jashtë vendit, për të qartësuar këtë ngërç, por edhe për të propozuar rrugën e tejkalimit.

Brenda vendit ai ndjehet gjithnjë e më shumë i sulmuar, veçanërisht nga opozita VMRO-DPMNE, e cila shquhet për tonet nacionaliste dhe për moslëshimet e çështjeve me kontekst historik, pavarësisht faturës së rëndë që është paguar në këtë drejtim. Në një prononcim për mediat në mesin e muajit dhjetor Zaev tha se: “As kjo qeveri, as vendi ynë, as njerëzit tanë nuk kanë fajin më të vogël për këtë situatë. Identiteti kombëtar maqedonas nuk mund të jetë objekt i negociatave dhe ne nuk mund të heqim dorë nga e drejta jonë për vetvendosje të garantuar nga të gjithë institucionet e konventat ndërkombëtare."

Maqedonia e Veriut e ka shprehur në menyrë të vazhdueshme nevojën për një dialog të shtruar, të qetë dhe konstruktiv si dhe të shprehë hapur mundësitë për bashkëpunim dhe për të tejkaluar situatën e krijuar, në vend të nacionalizmit vendor që jo rrallë është shfaqur në periudhën e fundit. Pikërisht shprehja e këtij nacionalizmi e dëmtoi Maqedoninë edhe në procesin e anëtarësimeve në strukturat euroatlantike si pasojë e vetos greke.

Maqedonia po angazhohet t’i japë mundësi procesit me synimin që të arrihet shpejt një harmonizim i qëndrimeve sipas pozitave të përcaktuara nacionale dhe në bazë të qëllimeve strategjike eurointegruese.

Artikulimi i JO-së nga Sofja duke përdorur statusin që ka për të penguar fqinjin e vet për t’u bashkuar me bllokun, ka bërë që dy shtetet të kalojnë në një klimë të acartë në të gjithë raportet mes tyre. Vërtet kryeministri bullgar Borisov ka përkëdhelur sedrën e votuesve radikalë të djathtë, por i ka futur në ngërç marrëdhëniet me fqinjin e tij dhe u është vënë përballë mjaft shteteve që e kanë mbështetur Bullgarinë në prosesin e rimëkëmbjes ekonomike. Situata e tensionuar brenda vendit e sidomos protestat masive antikorrupsion që kanë zgjatur me muaj të tërë në Sofje, por edhe qytete të tjera bullgare, nuk kanë gjetur ilaçin e duhur për t’u shëruar me veton nacionaliste përballë fqinjëve.

Duke gjetur një zgjidhje të sforcuar në përpjekjen për të tejkaluar situatën e brendshme, Borisov ka vështirësuar komunikimin me fqinjët, por edhe aleatët në BE. Deri tani ai me të drejtë është konsideruar si i përkëdheluri i BE-së. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Bullgaria është në radhën e parë për mbështetjen që i është dhënë. Bashkimi Europian për të gjithë Ballkanin Perëndimor, pra për gjashtë vende me 18 milionë banorë ka alokuar në buxhet për këto vende 9 miliardë euro për një periudhë 7 vjeçare, ndërsa vetëm për Bullgarinë me 7 milionë banorë, mbi 30miliardë euro. Kjo sigurisht e ka bërë Bullgarinë mospërfillëse ndaj shteteve më të vogla dhe arrogante në sjelljet me ato. Sjellja e saj përmes konceptit “Bullgaria në vend të parë”, një ide hegjemoniste që përkon edhe me momente të veçanta të historisë së 100 viteve më parë, nuk do ta avantazhojë atë, pasi do të jetë burim i konfliktit në një rajon të trazuar dhe kokëfortësia e vet në raport me shtete të fuqishme si Gjermania, sigurisht që do ketë një kosto në rritje.

Sofjes në mënyrë të përsëritur, kryesisht nga kancelarja Merkel i është kërkuar të heqë dorë nga vetoja dhe të mundësojë rrugëtimin e Maqedonisë në BE, por megjithë komunikmimin e shtuar një gjë e tillë nuk ndodhi gjatë vitit të kaluar.

Ky qëndrim i Sofjes zyrtare shkon në kundërshtim edhe me Marrëveshjen historike të nënshkruar nga Zaev dhe Borisov ku parashikoheshin marrëdhënie të ngushta dypalëshe dhe Bullgaria merrte përsipër të mbështeste pa rezerva Maqedoninë e Veriut në anëtarësimin e saj në BE.

Tashmë kemi një kthesë radikale në marrëdhëniet midis dy vendeve, e cila ka kaluar në një raport të hapur antagonist. Këmbëngulja bullgare që Shkupi të pranojë që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe gjuha e saj janë derivate bullgare, konflikton më shumë marrëdhëniet, krijon hapësira për një paqëndrueshmëri rajonale, por edhe dy vendet ballafaqohen me vëhtirësi që imponohen si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.

Anëtari i komisionit të ngritur për këtë problem, ish kryeministri Lupço Georgievski vlerëson se “Kur fqinji ynë lindor vendos veto, mendoj se nuk ka marrë parasysh një gjë, në se mendojnë që mosmarrëveshja e tyre është kundër maqedonasve. Ata sikur kanë harruar se në Maqedoni ka 50 % kombësi të tjera, duke përfshirë edhe bullgarët. Kjo do të thotë që vetoja u merr perspektivën jo vetëm maqedonasve, por edhe bashkësive të tjera etnike”.

Çështjet tashmë të hapura midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë krijuar një klimë konflikti mes tyre dhe kërkojnë një zgjidhje të shpejtë, për të mos shkuar në atë rrugë si ato midis Turqisë e Greqisë, që megjithëse jane vende anëtare të NATO-s, rivaliteti i ka çuar drejt përplasjes. Duke nxjerrë në plan të parë pretendime historike të cilat provokojnë nacionalizëm tek të dy palët, ndikimet do kalojnë edhe brenda bllokut të NATO-s, nëse zgjidhja do të vonojë.

Tashmë pyetja shtrohet: A mund ta gjejnë zgjidhje përmes një dialogu mes tyre dy palët? Pavarësisht komisionit të ngritur, me klimën e brendshme që kanë të dy vendet, një zgjidhje përmes negocimit nga një palë e tretë, do të ishte më efektive dhe do e shpejtonte procesin. Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, i cili vjen nga radhët e partisë së kryeministrit Borisov nuk e ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në këtë proces të një negociatori, që do të kishte edhe kredenciale të besueshme, por edhe një suport ndërkombëtar.

Perëndimi, në mënyre specifike Gjermania, kërkon që pas sakrificës dhe marrëveshjes së Prespës, Maqedonia duhet mbështetur e shpërblyer për luajalitetin e treguar në raport me Greqinë. Pikërisht për këtë nga kancelarja Merkel janë dhënë sinjale që një negociator duhet të marrë përsipër zgjidhjen e nyjes bullgaro-maqedonase.

Presidenti maqedonas Stevo Pendarosvki ka lënë të kuptohet në prononcimet e tij lidhur me këtë problem, se ka pasur tentativa për përfshirjen e një pale të tretë, duke konfirmuar se në komisionin e përtbashkët historik të ketë edhe ekspertë gjermanë, por refuzimi bullgar ka vijuar të jetë i prerë. Duke analizuar momentin e tanishëm kur çështja pretendohet të zgjidhet nga historianët bullgarë nga njëra anë dhe ata maqedonas nga ana tjetër, pa praninë e dakordësuar të një pale të tretë, bisedimet do vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe shpresat që ata të përparojnë do jenë tepër minimale.

Në vitin 2017 kryeministri bullgar Boris Borisov në atmosferën e Marrëveshjes së nënshkruar për Fqinjësi të Mirë, deklaronte plot emfazë se “ Jemi të aftë të zgjidhim e të tejkalojmë problemet tona pa ndihmën e askujt”. Por deklarata u zhvleftësua nga realiteti i mëvonshëm dhe dëshmoi se papjekuria në tejkalimin e ndasive, mbetet një tipar arkaik ballkanas. Përfshirja e një pale të tretë me sa duket, por edhe me sa është paralajmëruar, do të jetë mundësia për t’i shtyrë palët drejt gjetjes së zgjidhjes.

Gjermania vijon të mbetet aktive dhe e angazhuar në këtë drejtim.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, për fat të keq, nuk u arrit të bindet Bullgaria të japë pëlqim. Por edhe Maqedonia e Veriut gjithashtu ka vija të kuqe, që nuk mund të kalohen. Bisedimet tani duhet të rinisin në 2021. Duke vepruar kështu, ne këmi bërë në mënyrë të përsëritur të qartë se çështjet dypalëshe, veçanërisht ndryshimet historike, nuk kanë vend në procesin e zgjerimit. Kjo është arsyeja pse ne kërkuam që çështjet e historisë së përbashkët të diskutohen në komision të përbashkët”, ka shprehur qëndrimin e vet për këtë çështje Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Meqenëse në komisionin e ngritur nga dy palët, çështjet e hapura për diskutim duhen mbyllur vetëm në përshtatje me qëndrimin bullgar, i cili është konfirmuar edhe në Parlamentin e Bullgarisë, zgjidhja duket ende larg nëse përfshirja e një pale të tretë nuk është e fuqishme, me suport nga shtete me peshë në vendimmarrjen e BE-së.

Koherenca e qëndrimeve refraktare bullgare është institucionalizuar dhe për të dalë nga ky shtrat e për t’i futur problemet në rrjedhat normale të diskutimit e komunikimit të hapur, delegimi dhe dhënia e autoritetit të nevojshëm ndaj një pale të tretë sa vjen e bëhet e domosdoshme. Vonesa në procesin e tejkalimit të ngërçit bullgaro-maqedonas, nuk do jetë më ndikim në të dy palët, por edhe në rajon. Vërtetë rruga e Maqedonisë për në BE kalon nga Bullgaria, por traseja bullgare ka nevojë për një ratifikim ndërkombëëtar, parpara se pengesat të bëhen serioze dhe ndërlikimi të sjellë pasoja.

Gëzim Podgorica