Duhet kërkuar shumë në kohë, për të parë se cila ngjarje apo fenomen ka dominuar kaq shumë lajmet në të gjitha mediat botërore sa pandemia e Covid-19. Që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka ndonjë ngjarje tjetër që të ketë marrë kaq shumë vëmendje mediatike. Lajmet erdhën nga Lindja e Largët e pikërisht nga Wuhani, aty ku u njoftua fillimisht për shfaqjen e koronavirusit. Perëndimi u fut menjëherë në teori konspirative dhe akuza duke implikuar Kinën për këtë sëmundje, e cila nuk vonoi të shfaqej e ethëshme e me pasoja në të gjithë botën dhe duke gjunjëzuar ekonominë. Kritikat ndaj Kinës ashpërsoheshin gjithnjë e më shumë me përhapjen e sëmundjes dhe shumë vende gjetën rastin të shpërthenin në akuza nga më të ndryshmet si për mungesë menaxhimi, ashtu edhe në përfshirjen në teori të nga më fantazistet. Menjëherë u hodhën sfida që ky virus jo vetëm që do të parandalohej nga ana e tyre, por edhe do “çliroheshin” me këtë rast nga fuqia konkurenciale ekonomike e Kinës. Por nuk u deshën më shumë se pak javë që të vinte dorëzimi një e nga një i shteteve më të fuqishme dhe sot SHBA që drejtonte korin antikinez në muajt shkurt dhe mars, të ketë numrin më të lartë të infektuarve dhe viktimave.

Kina në fakt jo vetëm mori masa të menjëherëshme, por edhe paralajmëroi për rrezikun e këtij koronavirusi dhe efektet shumë të mëdha që vinin në shëndetin e njerëzve, për të patur pastaj shumë të mëdha në ekonomi.

Kina ka kohë që merr frymë e lehtësuar nga koronavirusi, pasi përmes masash shumë efektive arriti ta vërë në kontroll atë dhe rastet që shfaqen janë sporadike.

Vendi me popullsinë më të madhe në botë i është kthyer normalitetit dhe në Wuhan, ndryshe nga çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës, diskot dhe klubet e natës janë plot, si dëshmi e një sfide të fituar. Modeli i përballimit të situatës pandemike duhet kërkuar pikërisht në vendin ku u dha lajmi i parë për koronavirusin, në vendin ku masat për ruajtjen e shëndetit ishin ekstreme në kuptimin pozitiv. Kina për një periudhë disa javore ngriu pothuaj plotësisht lëvizjet dhe ekonominë, duke mundësuar izolimin e plotë të sëmundjes së rëndë dhe arriti që megjithëse është vendi me popullsinë më të madhe në botë, të këtë numrin më të vogël në shkallë globale të të infektuarve dhe viktimave.

Masat që u morën ishin në disa plane dhe rezultuan të suksesëshme. Por ato fillimisht rënduan ekonominë dhe u mendua se shteti pas kësaj situate do të dilte shumë i lodhur. Kina e mendoi krejt ndryshe këtë gjë. Ajo fillimisht u investua tek ajo që është parësore, tek shëndeti i njerëzve, i popullsisë së vet, por në të njëjtën kohë dha një kontribut të madh për të gjithë botën në këtë krizë globale. Ishte aftësia e masave drakoniane kineze, që pavarësisht kostos së rëndë, të shpëtonin shtetin, por edhe mbarë globin nga një katastrofë me përmasa të paparashikueshme.

Ndërkohë që në periudhën e izolimit total shumë shtete perëndimore po bënin llogaritë me dëmet e mëdha që do i shkaktonte ekonomisë kineze ky izolim total, strategjia për një shëndet të mirë e me fuqi rigjeneruese për ekonominë, do të jepte rezultate të pabesueshme për të gjithë ata që vunë pikpyetje në muajt e parë të këtij viti. Ekonomia kineze nuk pësoi recesion, ashtu si shumë ekonomi të vendeve të fuqishme perëndimore, bankat treguan qëndrueshmëri, përparimi teknologjik u intensifikua dhe drejtimi e puna online u identifikuan si një mundësi që jo vetëm zgjidhi situatën në kushtet e pandemisë, por si një rrugë që duhet ecur më shpejt.

Ndërkohë që sot, kur Evropa po kalon në një mbyllje totale, në Disneyland-in e Shangait ka radhë të gjata për t’u argëtuar në periudhë festash. Asnjëherë kishat në Evropë në natën e ditën e Krishtlindjeve nuk kanë qënë më të vetmuara se këto ditë.

Ndërsa Kina i është rikthyer tërësisht normalitetit, ekonomia kineze dhe rritja e saj përkundër parashikimeve pesimiste të shumë analistëve përëndimorë, ka arritur një trend që përbën një sfidë më vete. Panairi i Shangait dëshmoi jo vetëm qëndrueshmërinë e ekonomisë kineze, por edhe rritjen e saj dhe fuqinë për ta tejkaluar efektin që shkaktoi paraliza nga koronavirusi. Shifra prej 72.62 miliardësh e realizuar në këtë edicion, dëshmoi se tregu ekonomik kinez dhe fuqia e tij për ta ndërlidhur me tregjet më të fuqishme mbeten një adresë referenciale. Pjesmarrja në këtë panair e kompanive më të mëdha të botës, afishoi se normaliteti ekonomik i Kinës është me efekte pozitive për të gjithë globin. Treguesit ekonomikë në Kinë, përfshirë vlerën e shtuar industriale, investimet, shpenzimet e konsumit përshpejtuan një rritje të ndjeshme në nëntor, duke nxitur rritjen e punësimit dhe duke ulur shkallën e papunësisë. Vlera e shtuar industriale në Kinë në nëntor u rrit me 7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po t’i referohesh vetëm një shifre e cila mbart brenda vetes edhe rritjen e mirëqënies së njerëzve, deshifron përmasat e zhvillimit në Kinë. Sivjet numri i automjeteve të pasagjerëve të shitura e tejkalon shifrën 20 milionëve, ndërsa atyre komerciale prej 5 milionësh.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) përforcoi edhe një herë vizionin e Presidentit kinez Xi mbi multilaterizmin si një rrugë efektive dhe e domosdoshme bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë. Kjo marrëveshje me të drejtë u quajt fitore e multilaterizmit dhe e tregëtisë së lirë.

Ky pakt paraqet një realitet ekonomik ku përfshihen territore me burimet më të mëdha njerëzore, por edhe ato në planin financiar dhe natyror, duke krijuar mundësinë e një impakti zhvillimi e komunikimi pozitiv jo vetëm për vendet e përfshira, por për mbarë globin. Kina erdhi në rolin e vet parësor të ndikimit në rajonin e Azi-Paqësorit.

Një marrëveshje që hap tregjet dhe aplikon parimet e përcaktuara për hapjen e ekonomisë, nxitjen e globalizimit dhe të bashkëpunimit shumëplanësh, duke i dhënë një hov të ri investimeve të huaja të kompanive globale dhe të atyre të vendeve të tjera që të investojnë në rajon.

Ky vit shënoi për Kinën edhe një arritje historike, më të madhen në historinë e saj moderne: Zhdukjen e varfërisë. Një cilësi e shtuar jetese është prezente në miliona njerëz deri në skajet më të largëta të Kinës, një ëndërr e guximshme për ata që e projektuan këtë 40 vjet më parë. Kina ndoqi një rrugë dinamike duke zhvilluar ekonominë me një trend ritës prej 10 % në afro tre dekada, çfarë i siguroi mundësitë potenciale financiare për të mbështetur projektin më të fuqishëm të realizuar deri tani. Por në të njëjtën kohë ajo evidentoi të dhëna të sakta për numrin e njerëzve të varfër dhe identifikoi të gjitha burimet që do të mundësonin kthimin në normalitet të jetës së këtyre njerëzve. Nga ekonomia e planifikuar u kalua përmes një vizioni të ri në ekonominë e tregut të lirë, duke mundësuar një sinkronizim të plotë të të gjithë elementëve të tregut ekonomik. Miliona njerëz në zonat rurale janë sot në shtëpi të reja të ndëruara nga shteti dhe për miliona të tjerë janë investuar e ndihmua në kurse trainimi profesionalë.

Në 40 vitet e projektit të madh të zhdukjes së varfërisë, kanë dalë nga kjo gjendje më shumë se 800 milionë njerëz dhe më shumë se 300 milionë kanë të ardhura të mesme të larta, që janë në nivele të njëjta me atë të vendeve perëndimore. Krahas luftës e përpjekjeve për të zhdukur varfërinë ekstreme, Kina vazhdon të ndihmojë një sërë vendesh të tjera për ta luftuar atë.

Janë me qindra projektet në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut që po implementohen dhe që mundësojnë hopin ekonomik të zhvillimit të këtyre vendeve, që Kina ua ka ofruar bujarisht. Asnjë vend tjetër nuk ka mundur të nxjerrë nga varfëria një numër kaq të madh njerëzish dhe në kufij të tillë kohor sa Kina. Në se në vitin 1996 Kina klasifikohej si një vend me të ardhura të ulta, sot ajo është në listën e vendeve me të ardhura mesatare të larta. Ta ardhurat mesatare kombëtare për frymë në vitin 2019 sipas nivelit të fuqisë blerëse arritën në 16.784 $ ndërkohë që në vitin 1990 ishin vetëm 982 $ . Arritjet në uljen e varfërisë, është një nga sukseset që shkëlqen më së shumti në këtë vit të vështirë, është krenari jo vetëm për Kinën, por është edhe një kontribut i çmuar në uljen e varfërisë globale.

Rritja e madhe ekonomike është shoqëruar edhe me probleme në fushën e mjedisit. Duke e ndjerë këtë prishje raportesh në fushën e mjedisit, investimet për zhvillimin e gjelbër përbëjnë një sfidë të re, për të cilën në Samitin e Samitin për klimën, presidenti kinez Xi afishoi objektiva ambiciozë të cilat do të ndikojnë në një raport të ri njeriut me natyrën. Në këtë samit Xi theksoi se “Kina ka dhënë një kontribut për nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit mbi përballimin e ndryshimit të klimës dhe është zbatuese aktive e kësaj marrëveshje”. Presidenti shpalli se Kina do të ulë lëshimin e saj të dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së me mbi 65 % krahasuar me 2005 –ën, do rrisë pjesën e karburanteve fosile në konsumin e energjisë parësore në mbi rreth 25 %, do rrisë vëllimin e rezervës pyjore me mbi 6 miliardë metër kub në krahasim me 2005-ën dhe do të shtojë kapacitetin e përgjithshëm të energjisë diellore dhe të energjisë së erës me mbi 1.2 miliardë kilovat.

Shifrat në ekonomi, në zhvillimin teknologjik, në përmisimin cilësor të jetës së njerëzve, në kualifikimin masiv profesional, në raportet e reja të njeriut me natyrën dhe objektivat e vëna në këtë fushë janë një pjesë e atij koloriti suksesesh që ka arritur Kina gjatë vitit të vështirë të pandemisë.

Kontributi i Kinës në ruajtjen e parametrave kryesorë të ekonomisë globale është një nga arritjet më të rëndësishme gjatë këtij viti dhe e bën Kinën të ndjehet e sigurt në rrugëtimin e saj .

Gëzim Podgorica