“Edhe pse situata ndërkombëtare po ndryshon vazhdimisht, tendenca e zhvillimit të hapur nuk do të ndryshojë. Ndonjëherë e qetë, ndonjëherë e ashpër, por gjithmonë duke ecur përpara.” – shprehet Presidenti Xi Jinping në samitin e 14-të të BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrika e Jugut), duke theksuar se takimi bëhet në një pikë kritike ku nevojiten forca pozitive, të qëndrueshme dhe konstruktive. Kjo në fakt, është edhe përgjigjja e Kinës ndaj thirrjes së kohës, në një bote të rrethuar nga një mori sfidash dhe rreziqesh. Kina projekton një botë me prosperitet të përbashkët të ndërtuar përmes bashkëpunimit, nxitjen e partneriteteve me cilësi të lartë dhe fillimin e një epoke të re për zhvillimin global

BRICS në retrospektivë

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, Shtetet e Bashkuara u bënë superfuqia e vetme asokohe me koeficientin e Paritetit të Fuqisë Blerëse (PFB, tregues që llogarit sa njësi monetare kushton një sasi e caktuar mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme) që ishte 1/5 e totalit global, dhe më i madhi midis të gjitha vendeve. Në të njëjtën kohë, vendet e mëdha si Kina, Rusia, India dhe Brazili, ishin ende shumë pas. Ishte qartë një botë unipolare në sensin ekonomik.

Në shekullin e 21-të, kriza financiare në 2008 ishte një pikë kthese vendimtare për Shtetet e Bashkuara, ku pesha e saj në vëllimin total të ekonomisë globale filloi të bjerë në mënyrë konstante. Ato ishin vitet e rritjes eksponenciale të Kinës, por edhe India dhe Brazili, gjithashtu panë pjesën e tyre në rritje pavarësisht krizës. Në këtë sfond, liderët e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës mbajtën takimin e tyre të parë zyrtar në vitin 2009.

Kina priti samitin e BRICS për herë të parë në vitin 2011, në qytetin jugor kinez të Sanya-s, kur bota ishte ende e tronditur nga ndikimi i krizës financiare, në këtë vit Afrika e Jugut iu bashkua grupit. Deri atëherë, pesë vendet BRICS përbënin rreth çerekun e PBB-së dhe 40% të popullsisë globale.

Hera e dytë që Kina priti samitin e BRICS ishte në vitin 2017, në qytetin jugor të Xiamen-it, vit kur PBB-ja e Kinës në terma paritet të fuqisë blerëse kaloi atë të Shteteve të Bashkuara. Por, çfarë ndodhi me peshën kolektive të vendeve të BRICS? Ajo shkoi më tej në pothuajse 29%. Ndërkohë, pesha e ekonomisë amerikane vazhdon të bjerë në rreth 16% të totalit botëror. Ishte në atë samit që Kina propozoi për herë të parë ftesa “plus” për të ftuar vendet të tjera në zhvillim.

Aktualisht, pavarësisht nga COVID-19 dhe sfida ekonomike globale, pesha e përgjithshme e pesë vendeve ka vazhduar të rritet edhe në vitin 2020. Të pesë vendet përbënin rreth 30% të PBB-së globale.

Në vitin 2022 samiti u prit sërish nga Kina. Kësaj here, edhe 13 vende të tjera ju bashkuan grupit nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Disa janë ekonomi në zhvillim, me rritje relativisht të shpejtë dhe industrializim të nivelit të lartë, duke shërbyer si motorë të zhvillimit ekonomik rajonal. Përpjekja për të propozuar modelin e bashkëpunimit BRICS+ po përpiqet të promovojë përfaqësim dhe zë më të madh të vendeve në zhvillim në qeverisjen ekonomike globale dhe të nxisë një rend ekonomik ndërkombëtar që është më i drejtë. BRICS+ nuk po funksionon për të mirën e disave, por në ndjekje të zhvillimit të përbashkët dhe të qëndrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit.

Kina në BRICS dhe më tej

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), vendet e BRICS kanë kontribuar gjysmën e rritjes ekonomike botërore që nga krijimi i grupit, dhe vazhdojnë të udhëheqin rimëkëmbjen ekonomike globale. Ndërsa BRICS mblidhet për samitin e tij të 14-të, peizazhi global ka ndryshuar shumë që nga samiti i parë në 2009, dhe ka ardhur koha që vendet në në zhvillim të jenë aktorë dhe faktorë në vendimmarrje dukë qenë se janë motorë të rritjes globale.

Kina bën thirrje për solidaritet e hapje, ndërsa bota përballet me ndryshime drastike. Por angazhimet e Kinës nuk ngelen në letër, pasi ajo ka qenë një kontribuuese thelbësore në adresimin e sfidave ndërkombëtare dhe avancimin e qeverisjes globale ndërsa bota përjeton një rimëkëmbje të brishtë ekonomike nga pandemia dhe një hendek zhvillimor midis vendeve dhe rajoneve që duket shumë i vështirë për t’u eliminuar. Nën temën "Nxitja e një Partneriteti Global Zhvillimor për Epokën e Re për të zbatuar së bashku Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm" më 24 Qershor 2022, Kina nxjerr disa propozime të lidhura ngushtë me problemet globale. Çfarë Kina promovon është hartimi i kursit për zhvillimin global. Në fjalët e Presidentit kinez: “Ne duhet të kuptojmë mirë tendencën e zhvillimit të përgjithshëm në botë, të forcojmë besimin dhe të veprojmë në union dhe me motivim të madh për të promovuar zhvillimin global dhe për të nxitur një paradigmë zhvillimi që përmban përfitime për të gjithë, ekuilibër, koordinim, gjithëpërfshirje, prosperitet të përbashkët.” Për të parë se si Kina i përgjigjet sfidave globale mund të analizohen në spektrin historik problemet e kohës dhe reagimet përkatëse të Kinës.

Sfida: pandemia – përgjigjja e Kinës: angazhimi i menjëhershëm dhe solidariteti

Kina ka marrë drejtimin në përpjekjet globale për të përballuar sfidat e sjella nga pandemia. Që nga fillimi i saj, Kina ka kryer bashkëpunime me qindra vende për të përballuar sfidën e përbashkët, duke ofruar furnizime mjekësore dhe vaksina, shkëmbimin e përvojës në parandalimin e viruseve dhe trajtimin e pacientëve. Kina ka përkrahur gjithmonë vizionin e ndërtimit të një komuniteti global të shëndetit për të gjithë dhe ka mbështetur bashkëpunimin global në luftën kundër pandemisë. Qindra milionë sot në botë janë imunizuar me vaksinat kineze.

Sfida: mungesa e ndërlidhjes – përgjigjja e Kinës: nisma “Një brez, një rrugë”

Etiketuar shpesh si përshpejtues për zhvillimin botëror vizioni për zbatimin e nismës “Një brez, një rrugë” mbetet i jashtëzakonshëm, dhe gurthemeli i çdo deklarate zyrtare kineze është: bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë. Sa më shumë të rritet intensiteti dhe përhapja e këtyre praktikave, aq më shumë ajo do të arrijë një sinergji unike dhe proaktive të gjithë palëve të përfshira

Sfida: varfëria në shkallë botërore - përgjigjja e Kinës: Iniciativa për Zhvillimin Global

Në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vitin e kaluar, Kina paraqiti Iniciativën e Zhvillimit Global (GDI). Tetë fushat prioritare të GDI janë reduktimi i varfërisë, siguria ushqimore, transformimi i gjelbër, energjia e pastër, bashkëpunimi kundër pandemisë, industrializimi, ekonomia dixhitale dhe ndërlidhja. Në udhëtimin e së drejtës së tyre për zhvillim, populli kinez ka bërë përpjekje të mëdha dhe arritje të rëndësishme duke nxjerrë më shumë se 850 milion njerëz nga varfëria. Kina ka bërë përpjekje maksimale duke krijuar kështu një tjetër histori suksesi për eliminimin e varfërisë, nga e cila vendet në zhvillim mund të mësojnë shumë. Iniciativa për Zhvillimin Global po i paraqitet botës nga një vend që eliminimin e varfërisë e bëri realitet dhe prioritet ka përherë mirëqenien.

Sfida e vitit 2022: konfliktet - përgjigjja e Kinës: Iniciativa e Sigurisë Globale

Përvojat e kohëve të fundit kanë treguar se siguria globale është një çështje e integruar që nuk mund të arrihet duke antagonizuar ose izoluar një vend ose një grup vendesh dhe është bërë e nevojshme që bota të ndërtojë solidaritet të vërtetë ndërkombëtar për hir të sigurisë dhe paqes. Iniciativa e Sigurisë Globale, mbron një vizion të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Me tej ajo ndjek filozofinë se njerëzimi është një komunitet i pandashëm sigurie dhe synon të krijojë një rrugë të re drejt sigurisë që përmban dialogun dhe jo konfrontimin.

Së fundmi, përse filozofia e zhvillimit të Kinës mund të ndihmojë në promovimin e prosperitetit global? Angazhimi i Kinës për të promovuar unitetin dhe bashkëpunimin, ku nuk ka rëndesi nëse një vend është i vogël apo i madh, i pasur apo i varfër, i fortë apo i dobët ushtarakisht, bëhet tërheqëse për vendet më pak të fuqishme që duan të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të korrin frytet e zhvillimit mbarëbotëror. Dhe mbi të gjitha, për çdo nismë që avancon Kina po përdor eksperiencat e saj të brendshme, të cilat kanë funksionuar dhe po korrin sukses.

Sido që të jetë klima botërore - herë e qetë dhe herë e ashpër – Kina do të ecë përpara, dhe në këtë rrugëtim po zgjat dorën e bashkëpunimit për vendet në zhvillim.

Dr. Marsela Musabelliu