Kriza e sotme nuk po njeh ende një autoritet të fortë moral, me kapacitet të menjëhershëm ndikimi, qoftë ky edhe brenda pjesës së strukturës tradicionale të institucioneve ndërkombëtare. Tensioni në rritje përshkallëzon krizat, afron konflikte të reja, rrit dramacitetin në klimën globale dhe po dimensionon qasje të rrezikshme e shton sfida të mëdha.

Dialogu i nivelit të lartë i realizuar në takimin e 14-të të udhëheqësve të BRICS, përbën një hap të ri strukturues të një blloku vendesh të fuqishme dhe me ndikim ndërkombëtar. Vendet e BRICS, ku bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afria e Jugut, janë një realitet i rëndësishëm tashmë jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht.

Samiti i radhës, i realizuar virtualisht por me Kinën si vend pritës, vlejti për të servirur imazhin e një vlere dhe funksioni kontribuues të potencuar të këtij forumi. Njëkohësisht, i shërbeu dhe forcimit të shëmbëlltyrës së një mekanizmi në të cilin vendet pjesëmarrëse janë aktorë kyç për angazhimin dhe zhvillimin ndërkombëtar.

Veç krerëve të këtyre vendeve, në këtë edicion morën një ftesë të veçantë dhe u shtuan edhe liderët e 13 vende të tjera me kapacitete e ndikime rajonale e ndërkombëtare në masa të konsiderueshme. Bëhet fjalë për vende si Indonezia, Tajlanda, Kamboxhi, Kazakistani, Argjentina, Senegali, Uzbekistani, Algjeria, Egjipti, etj. Organizatorët raportuan se pjesëmarrësit në këtë dialog shënuan një konsensus të gjerë dhe formuluan një listë me 32 masa në mbështetje të zhvillimit global 2030. Këto masa kanë lidhje me zbutjen e varfërisë, sigurimin e furnizimit me drithëra, luftën kundra pandemive, grumbullimin e fondeve të zhvillimit, përballjen e ndryshimeve klimaterike, mjedisin dhe ekonominë digjitale. Pra, bëhet fjalë për fusha të ndjeshmërisë së lartë njerëzore dhe ndër-shtetërore, të cilat ofrojnë mundësi të mira për bashkëpunim multilateral. Kjo sipërmarrje dhe riaktivizimi në grupimin e shtuar të shteteve, përkon edhe me një kontekst zhvillimesh dramatike në tablonë ndërkombëtare.

Në vetvete, ky forum dhe sipërmarrjet brenda tij janë një reagim i strukturuar edhe përballë sfidave të pangjashme globale. Dialogu brenda dhe me të afruarit pranë BRICS, krijon një perceptim real alternativ me tensionet dhe situatën kritike ndërkombëtare.

Kina, duke qenë vendi kryesues i BRICS për 2022, ofroi projektin e vet ambicioz. Presidenti Xi Jinping shpalli katër propozime që ai i etiketoi si elemente të nxitjes së zhvillimit të përbashkët. Njëkohësisht, ai erdhi dhe me një moto me mesazh të qartë politik, teksa theksoi se "vetëm kur popujt në tërë botën të jetojnë më mirë, mund të ruhet lulëzimi dhe të garantohen siguria e të drejtat e njeriut." Padyshim që subjekt i këtyre deklaratave ishin jo vetëm të pranishmit në samit, por mbi të gjitha vendet perëndimore të cilat nuk ishin aty.

Presidenti i Kinës nënkuptonte me këtë, ftesën ndaj komunitetit ndërkombëtar për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm zhvillimi, duke shenjuar nevojën e një ekonomie botërore të hapur dhe sistem qeverisjeje globale të barabartë. Në mënyrë indirekte, nuk mund të anashkalohet në analizë dhe një përpjekje për të dhënë një mesazh politik në raport me samitin e tjetër madhor të këtij fundmuaji, specifikisht ndaj takimit në Gjermani të vendeve të G7.

Në qasjen e tij, presidenti Xi deklaroi hapat pragmatik të Kinës për mbështetjen e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030. Në lidhje me këtë të fundit, ai sugjeroi se formimi i forcave nxitëse për zhvillimin, kërkojnë strukturim shumëpalësh të industrive moderne dhe zgjerimin e partneritetit të zhvillimit global. Parë nga këndvështrimi i Pekinit, rëndësia në këtë aspekt qëndron dhe te iniciativa ambicioze “Brez dhe rrugë”.

Përcaktueshëm në strategjinë e shpalosur, presidenti i Kinës theksoi se “vendet e zhvilluara duhet të përmbushin detyrimet e tyre, vendet në zhvillim duhet të thellojnë bashkëpunimin, dhe Jugu e Veriu duhet të ecin në të njëjtin drejtim". Kësaj devize strategjike, ai i bashkëngjiti edhe premtimin e fortë për ta drejtuar zhvillimin global në një fazë të re rritjeje të ekuilibruar, përfshirëse dhe që, sipas tij, gëzon mbështetjen e mbi 100 shteteve të globit.

Fondet e ndihmës që planifikohen zyrtarisht nga Kina për këto projekte, janë kontribut potencial në drejtimin financiar dhe atë ekonomik. Këtij qëndrimi prej kryesuesi të Kinës iu bashkëngjit edhe deklarata zyrtare e përbashkët e samitit të 14-të të BRICS, sipas së cilës udhëheqësit e këtij blloku aktivizohen për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve. Nuk mund të mos humbasë në këtë drejtim dhe një kumt interesant duke marrë parasysh luftën aktuale të Rusisë me Ukrainën.

Për t’u rikthyer përsëri te krahasimi me samitin e G7, takimi i BRICS shënoi një përpjekje për të krijuar një alternativë më me diversitet ndaj grupimit të qendërzuar të perëndimit dhe të ankoruar te demokracia. Do të jetë interesante të shikohet në vijim aplikimi i agjendave të zhvillimit, duke marrë parasysh që dhe G7 e kishte një të tillë në produktet kryesore të saj. Dhe, gjithaq interesante, do të jetë dhe samiti i ardhshëm i G20, ku, në njëfarë mënyrë, do të gërshetohen të dy këto realitete të rëndësishme politike dhe ekonomike.

Nga Aleksandër Çipa