Aktualiteti ndërkombëtar paraqitet tepër kompleks. Ngjarje që shtrohen në tavolina bisedimesh dhe kur këto të fundit nuk prodhojnë paqe, konfliktet bëhen një realitet.

Fuqitë botërore kanë ndikimin e tyre në këto ngjarje, ndër to edhe Kina. Si një fuqi botërore, jo vetëm sa i përket aspektit demografik, por dhe ekonomia e dytë në botë, Kina luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e çeshtjeve ndërkombëtare.

Autoritetet e larta kineze kanë shprehur qëndrimin e tyre ndaj konfliktit të armatosur në Ukrainë. Në muajin maj Në një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, presidenti kinez Xi Jinping tha se konfrontimi aktual mund të bëhet një kërcënim më i madh për paqen globale sesa lufta aktuale në Ukrainë. Për herë të dytë në dy ditë, Xi përsëriti se evropianët duhet të merrnin çështjet e tyre të sigurisë "në duart e tyre". Sipas një raporti të qeverisë kineze, Xi dhe Macron ranë dakord se "të gjitha palët e interesuara duhet të mbështesin Rusinë dhe Ukrainën për të rivendosur paqen përmes negociatave".

Më herët, i dërguari i Kinës në OKB, Zhang Jun, në një takim të Këshillit të Sigurimit e përshkroi situatën si një "pikë kritike".

"Në kontekstin aktual, të gjitha palët e interesuara duhet të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ne besojmë se dera për një zgjidhje paqësore të çështjes së Ukrainës nuk është plotësisht e mbyllur dhe as nuk duhet të mbyllet” - tha ai.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në muajin mars deklaroi se “koha do ta dëshmojë se pozicioni i Kinës është në anën e duhur të historisë” sa i përket luftës në Ukrainë. “Kina do të vazhdojë të bëjë gjykime të pavarura të bazuara në meritat e çështjes dhe me një qëndrim objektiv dhe të drejtë. Ne kurrë nuk do të pranojmë asnjë presion të jashtëm dhe gjithashtu do të kundërshtojmë çdo akuzë dhe dyshim të pabazuar kundër Kinës”, tha Wang Yi për gazetarët, sipas një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi duke folur për mediat kineze pas përfundimit të turneut të tij në tetë vende ishullore të Paqësorit e karakterizoi me tre fjalë kyçe zhvillimin e marrëdhënieve të Kinës me vendet e tjera në zhvillim. Ato janë Barazi, Mbështetje reciproke dhe Zhvillim.”

Analisti Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) flet për qëndrimin dhe rolin e Kinës ndaj konfliktit Ukrainë-Rusi

CMG: Qëndrimi i Kinës ndaj konfliktit në Ukrainë është neutral. Kina zyrtare u ka kërkuar vendeve që të mbështesin përpjekjet për të arritur një zgjidhje të konfliktit. Vlerësimi juaj për këtë qendrim

Aleksandër Çipa (Foto Sot.com)

Aleksandër Çipa (Foto Sot.com)

Aleksandër Çipa: Mendoj se është një pozicionim i kujdesshëm gjeostrategjik, i cili lidhet me rrethanat dhe kryesisht me vektorët, mbi bazën e të cilëve veprojnë dhe operojnë fuqitë globale dhe në mënyrë të veçantë interesat globale. Qasja e Kinës është një qasje e maturuar, një qasje që diplomatikisht përcjell kumtin ndërkombëtar të zgjidhjes së konflikteve dhe mosdimensionimit të tyre, jo vetëm në planin rajonal, por dhe në raport me historinë e diplomacisë së politikës dhe sidomos në raport me atë që mund ta konsiderojmë konstitucionin shpirtëror dhe antropologjik të kombeve.

Në rastin konkret kjo është një qasje që “de facto” i shërben kujdesit për të mosdimensionuar dhe për të mos e përhapur konfliktin në një rrafsh edhe më gjeopolitik.

Më herët, vetë përfaqësues dhe mendimtarë të zhvillimeve gjeopolitike dhe diplomatike nga Perëndimi e kanë pranuar rolin e Kinës si një rol i cili duhet të merret në konsideratë dhe të vlerësohet diplomatikisht dhe nga potenca dhe fuqia gjeostrategjike.

Në këndvështrimin tim mendoj se kjo është një qasje që duhet të ofrohet dhe të institucionalizohet brenda institucioneve ndërkombëtare dhe kur e them brenda institucioneve ndërkombëtare kam parasysh Kombet e Bashkuara, si dhe institucione të tjera që merren me respektimin e parimeve që ruajnë sistemin e të drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.

CMG: Kina u ka bërë thirrje fuqive të mëdha të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë, të heqin dorë nga përballja midis blloqeve dhe të ndërtojnë një arkitekturë të ekuilibruar, të efektshme dhe të qëndrueshme të sigurisë globale dhe rajonale. Këto ide Presidenti Xi Jinping ia parashtroi edhe homologut të tij amerikan Joe Biden në videobisedën që patën muajin e kaluar.Komenti juaj

Aleksandër Çipa: Kjo vjen në kontekst të një tensioni dhe të një shtrëngese globale gjeopolitike që ka aktualisht bota. Në pika të veçanta të globit janë hapur konflikte dhe ka tensione, të cilat jo vetëm që e kanë alarmuar botën por kanë prishur disa nga konstitucionet institucionale më të rëndësishme të botës së 50 viteve të fundit. Në rastin konkret janë krijuar vatra të reja tensioni dhe të përplasjes gjeopolitike .

Gjithashtu diplomacia ka zhbërë motivet dhe kryesisht modelet e saj të kumtit të qetimit, të maturitetit, të negocimit, të lobimit dhe të përjashtimit të luftës. Sot jemi në një situate kryekëput të ndryshme. Lufta është prezente ku konfliktet dhe gjakimet e popujve, madje dhe brenda një entiteti historik siç është ai midis Rusisë dhe Ukrainës dhe nga ana tjetër ato që konsiderohen perimetra të interesit dhe të fuqisë ndikuese gjeopolitike janë në një agresion shumëplanësh.

Mendoj se një qasje e tillë zyrtare e Kinës prej presidentit Xi Jinping, është një qasje e maturisë, e ofrimit të logjikës së ftohtë dhe jo të logjikës së tensionit. Në një pikëpamje unë e shikoj si një kumt që i adresohet partneritetit dhe paritetit dhe jo dominancës dhe internalitetit.

CMG: Kina zyrtare është shprehur kundër ushtrimit të sanksioneve të gjithanshme e jodiskriminuese, duke thënë se, nëse përshkallëzohen më tej, ata do të shkaktojnë një krizë serioze në zinxhirët globalë të tregtisë, financave, energjisë, ushqimit dhe industrisë, do të dëmtojnë mirëqenien e njerëzve dhe do të përkeqësojnë ngadalësimin e ekonomisë botërore.

Aleksandër Çipa: Dy nga fushat më të rëndësishme të ekzistencës së shoqërisë njerëzore përkatësisht tregtia, ekonomia dhe në planin tjetër diplomacia dhe politika kurrë nuk kanë qenë ndonjëher kaq të ndërvaura dhe të ndërkallura mes njera tjetrës. Kjo për arsye jo vetëm të konfliktit në Ukrainë dhe për shkak të situatës që ka sjellë ajo në zinxhirin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe për një arsye tjetër që me të drejtë Kina e konstaton për zinxhirin e furnizimeve, të trafikut, në kuptimin qarkullues të fjalës, të aseteve më të rëndësishme të ushqimit global.

Këto sjellin një pasojë që është eminente sot, por efektet dhe kostot e saj do të jenë shumë më të pallogaritura në të ardhmen e afërt dhe në muajt që do të vijnë. Sot kemi vënë re dhe shohim që në kalendarin e lëvizjeve dhe kontakteve diplomatike, jo vetëm në relacionet bilaterale të shteteve, por në të gjithë komunikimet dhe shkëmbimet ndërlaterale në epiqendër të vëmendjes dhe të interesit institucional është çeshtja e bazave të furnizimit, rrugëve të furnizimit, të qarkullimit të mallrave jetike, takimi i zhvilluar midis ministrit të jashtëm të Rusisë dhe atij të Turqisë pikërisht për këtë çeshtje.

Ndërprerja e kapilarëve më të rëndësishëm të qarkullimit të mallrave siç janë drithrat është një shembje e interesit dhe e ekzistencës së tregjeve lokale, rajonale dhe atyre ndërkombëtare.

Kjo qasje e Kinës për ta zëvendësuar tendencën për një Luftë të Ftohtë, ruajtjen e lirisë qarkulluese dhe të lirisë së tregjeve në hapësirën ndërkombëtare është një qasje e përgjegjëshme dhe si e tillë duhet vlerësuar. Natyrisht kjo nuk shkëputet nga interesat e fuqive, nga interesat dhe pragmatizmi gjeopolitik që ndajnë palët dhe aq më tepër nga fuqitë dhe zmadhimi në rritje i interesave ushtarake.

Forca e gjuhës militarizuese dhe e arrogances ndërkombëtare është një nga risqet më të mëdha, madje në një lloj pikpamje ka vlerën dhe të malinjitetit, si një sëmundje malinje, por dhe të një rreziku, i cili ka në imazhin njerëzor forcën e një goditjeje bërthamore. Prandaj diplomacia është në alarm dhe për këtë shkak mendoj që diplomacia kineze vazhdon të përdorë gjuhën e apelit dhe të luajalitetit ndërkombëtar. Kjo është një gjë shumë e mire.

CMG: Ky qëndrim i matur, siç e thatë edhe ju, i Kinës, një qëndrim neutral por dhe me qetësi në marrjen e vendimeve dhe në parjen përtej asaj që po ndodh aktualisht, a luan një rol pozitiv edhe në vijueshmërinë e gjithë diplomacisë ndërkombëtare ?

Aleksandër Çipa: Situata është në agravim dhe lëvizjet jo vetëm diplomatike, por dhe të mekanizmave të tjerë në marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale janë ende një proces zhvillues që mbart befasi dhe ka të papritura, energji negativiste në jo pak raste si dhe rizgjim të nacionalizmave dhe të interesave, të cilat mund të jenë pjesë e një psiqike të re ndërkombëtare prej historisë së prepotencës, arrogancës, të konfliktit, të tentativës për të cënuar hartat e deritanishme administrative, gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Të gjitha këto së bashku janë një arsye madhore që bota duhet të jetë e alarmuar. Kina në mënyrën se si e ofron qasjen e vet ndaj konfliktit në Rusi dhe Ukrainë është e kujdesshme dhe në atë pozicion që i lëshon kumte jo vetëm fuqisë tjetër globale që janë SHBA, por edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, që kanë kredibilitet dhe force, këtu përfshij Bashkimin Evropian apo dhe vende potencialisht ndikuese brenda Evropës, si Franca, Gjermania etj.

Në mënyrë të veçantë Kina ka një qasje të përkujdesshme, duke e mbajtur në epiqendër inkurajimin e tregjeve rajonale siç është rajoni i Ballkanit, marrëdhëniet specifike që ndajnë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor me Kinën. Në këtë kuadër mendoj që deri tani kanë qenë me leverdi dhe pragmatizëm diplomatik dhe jo një qasje në kumtin dhe kuptimësinë politike të saj.

Eda Merepeza